Kushtimore tmerri

Kultura

Kushtimore tmerri

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 18 maj 2024 Në ora: 17:10
Foto ilustrim

Grupi i turistëve shihnin me kureshti kafkat e murosura në Çele-Kullën e Nishit. Ishte pasdite me vapë gushti. Qyteti ishte përgjumur.

-Ua sa tmerr! Trupi me rrëqethet, – i pëshpëriti gruaja burrit.

-Kam ftohtë, mërdhijë , – u ankua një vajzë e re aty pranë.

Pamjet e gojës së kafkës si vrimë honi e akullonin.

-Sa qenkan zvogëluar këto kafka, – habitet burri në moshë.

-Kafka e njeriut është më e madhe, -fliste me mëdyshje ai.

-Mbase koha e ka zvogëluar, mbase kishte teknikë të veçantë të balsamosjes e zvogëlimit të rrashtës së kokës, – përpiqej të sqaronte ciceroni i zënë ngushtë në pamundësi të sqaronte më shumë.

Dikush nisi t’i numëronte kafkat e murosura. Nuk i dilnin sa thuhej se i kishte mbjell ushtria turke dyqind e dhjetë vjet më parë nëpër murin e ndërtuar enkas për këtë qëllim.

Qyteti i vjetër i Konstantinit të madh ofronte edhe gjurmë tjera të së kaluarës: kështjellën e vjetër, shtatoret, shtëpi banimi aristokratësh dardanë, banja termale etj. Por ky monument që i kushtohej vdekjes me kafka njerëzish ishte i veçantë dhe i vetmi në Gadishullin Ilirik. Të tmerronte kur e mendoje ku mund të arrijë çoroditja e mendjes njerëzore: kushtimore tmerrit për të prodhuar tmerr.

Timurlengu kishte ngritur piramidë me kafka shekuj më parë në Azi. Ai la pas vetës mal me kufoma, por la edhe objekte të mahnitshme e tregti që lulëzoi në dy kontinente. Për koincidencë prijësi mongol kapi rob e vrau sulltanin Orhan Bajazitin I në Angora (Ankara). Pasardhësit e Bajazitit I, nuk u hakmorën ndaj mongolëve, por e kopjuan mizorinë e kullave të tmerrit.

– Në shenjë të çfarë fitoreje e ngritën kushtimoren e vdekjes, – pyeti dikush.

-Në shenj paralajmërimi: mëso nga mynxyra. Osmanët nuk lanë objekte publike, nuk lanë as monumente në tokat e pushtuara. Ata rrënuan monumentet vendëse. Xhamitë e hamamet i morën nga arabët, ndërsa i mbollën ngado që shkonin. Flisnin osmanisht, shkruanin me alfabetin arab, luteshin arabisht. Mizorinë e kishin turqisht, -sqaronte burri me flokë të thinjura nga grupi i turistëve.

Grupi dëgjonin e habiteshin. Vajza pasi e mori vetën e pyeti me kureshtje:

– Kush ishin fatkeqit që u kanë mbetur të përjetësuar kafkat, në vend të emrave?

– Kronikat e kohës e thonë ndryshe nga sa shkruan katalogu zyrtar.

Sipas kronikave të kohës, shqiptari Gjergj Pjetri, pinjolli i fisit të Kelmendit, udhëhoqi kryengritjen e të krishterëve kundër Perandorisë Osmane në territorin që sot e ka pushtuar Serbia. Për ta ndëshkuar kryeneçësinë e tij, pushtuesit turq bënë hakmarrje të tmerrshme kundër shqiptarëve të krishterë, që Pjetër Bogdani i quante arbnor të shkjenizum. Kështu vranë mijëra shqiptarë të ritit bizantin, me 952 kafka të tyre ndërtuan Çele-Kullën në Nish. Bajraktari serb, Millosh Obrenoviç, një fshatar i pagdhendur, që u pasurua në kohën e Turqisë, u lidh me turqit dhe ua ofroi kokën e Gjergj Pjetrit, për ta qetësuar zemërimin e Perandorisë Otomane. Millosh Obrenoviç me ndihmën e ushtarëve turq vrau në pabesi pinjollin e fisit të Kelmendit, kokën e të cilit ua dorëzoi turqve.

-Ua sa tmerr! E ku janë pasardhësit e kafkave fatkeqe?, pyeti vajza që kishte të ftohtë në vapën e gushtit.

-Nuk ka, i zhduken ata që duhej t’i falënderonin për çlirimin e vendit, u përgjigj me mllef burri i thinjur.

Ciceroni shihte i habitur. Nuk e kuptonte gjuhën e folësit. Ai u fliste grupit të italianëve, ndërsa të tjerët vazhdonin tutje.

-Këtu në afërsi është një qytet i tërë me varre të shqiptarëve të paemër që pasi i nxirrnin nga burgu i ekzekutonin. Këtu ishte burgu më i madh në ish-Jugosllavi, ku vuajtën mijëra shqiptarë, mijëra të tjerë nuk dolën kurrë nga telat me gjemba. Nishi ishte Gulagu i shqiptarëve.

Grupi i turistëve vazhduan me autobusin luksoz të një agjencie turistike.

-Nuk është vetëm Çele-Kulla përmendore e tmerrit, as vetëm Burgu i Nishit, Gulag i shqiptarëve, - vazhdoi ai, ndërsa të tjerët shihni nga dritarja auto udhën.

-Kronistët turq flasin edhe për kushtime tjera perëndisë së tyre-Allahut:

“Nën thirrjet “Vdekje shqiptarëve!”, “Allahu Akbar!” osmanët sulmojnë qytetin. Pasi e pushtojnë, kalifi islamik Fatihu i masakron të gjithë barbarisht. Vetëm në këtë qytet humbën 20.000 mijë shpirtra të pafajshëm. Kafkat e tyre do të jenë për shumë vjet ushqim për shpezët e këtyre viseve”.

Turistëve u dukej sikur po kalonin nëpër tunelet e tmerrit. Vajza që ngrinte donte të kthehej, nisi të qante.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat