Nevoja e zgjerimit të bashkëpunit ndërkufitar Shkodër-Krajë

Kultura

Nevoja e zgjerimit të bashkëpunit ndërkufitar Shkodër-Krajë

Më: 18 maj 2024 Në ora: 19:56
Kraja Monumentale

Një fotoekspozite e arkitektit Korab Kraja, e titulluar “Kraja Monumentale“ ka sjellë në vëmendje nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit ndërkufitar mes Shkodrës dhe Malësisë së Krajës, në Mal të Zi. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, Kraja është e vetmja zonë e banuar nga shqiptarët në Mal të Zi, e cila nuk ka një pikëkalim kufitar me Shqipërinë, megjithëse një gjë e tillë është premtuar prej shumë vitesh nga autoritetet shtetërore si të Shqipërisë, ashtu edhe Malit të Zi.

E hapur në qendrën historike të qytetit të Shkodrës, ekspozita fotografike “Kraja Monumentale”, e arkitektit Korab Kraja, është një bashkëpunim mes Shoqatës “Kraja” në Mal të Zi dhe Qendrës së Trashëgimisë Kulturore, në Shkodër.

Ekspozita, thotë autori i saj, arkitekti nga Kraja, Korab Kraja, përmban 40 fotografi dhe sjell pjesë të rëndësishme të trashëgimisë materiale, të harruar ose në rrezik, që dëshmojnë për identitetin e Krajës, si pjesë e trashëgimisë kulturore të Shkodrës.

“Përsa i përket trashëgimisë ndërtimore, Kraja është mjaft e pasur. Ka trashëgimi ndërtimore të larmishme. Ndërsa, përsa i përket lidhjes me Shkodrën, është një lidhje direkte, sepse ka ndikime arkitekturore nga Shkodra në Krajë, por edhe anasjelltas”, thotë ai.

Në përpjekje për të ruajtur vlerat e trashëgimisë së përbashkët kulturore, Shoqata “Kraja” në Mal të Zi dhe Qendra e Trashëgimisë Kulturore, në Shkodër, janë binjakëzuar ditët e fundit, thotë drejtuesja e Qendrës së Trashëgimisë Kulturore, Besara Podgorica.

“Ky binjakëzim do të shënojë edhe aktivitetet të tjera të ndërsjella, të cilat synojnë që të promovojnë jo vetëm kulturën, po edhe aspekte të historisë, vlerave, identitetit, trashëgimisë, fakteve, të cilat dëshmojnë për lidhjen e kaherëshme mes Malësisë së Krajës dhe Shkodrës”.

Kraja është një krahinë e veçantë etnografike shqiptare, që shtrihet mes Liqenit të Shkodrës dhe Malit të Rumisë. Dy fshatra të Krajës, Shiroka dhe Zogaj, ndodhen brenda territorit të Shqipëtisë, në bashkinë e Shkodrës, kurse 22 fshatrat e tjerë ndodhen në shtetin e Malit të Zi, në komunën e Tivarit.

Arkitekti Kraja thotë se është e rëndësishme të ruhet dhe pasqyrohet kjo pasuri e trashëgimisë kulturore shqiptare, pasi, për shkak të gjendjes ekonomike dhe mundësive të pakta të komunikimit, banorët e Krajës vazhdojnë të largohen drejt emigrimit, kryesisht në SHBA.

“Ka mjaft shpërngulje. Ka aktivitete të rradha por, përsa i përket shoqatës “Kraja” mundohet të ngjallë pak aktivitete dhe lëvizje në Krajë. Shpëngulja sigurisht e ka bërë të vetën dhe, do të ishte mirë, që sidomos Shkodra, t’i vinte një dorë Krajës përsa i përket aktiviteteve, por edhe mirëqenieve të tjera qofshin ato kulturore por edhe ekonomike”.

Shkrimtari dhe publicisti nga Kraja, Ali Gjeçbritaj, thotë se përveç mungesës ndër vite të investimeve, një nga shkaqet e emigrimit të banorëve të Krajës është edhe mungesa e komunikimit me shtetin amë, Shqipërinë.

“Të gjitha pjesët, të cilat lidhen me Shqipërinë, kanë pika kufitare që janë që nga viti 1990 sepse, me rënien e Murit të Berlinit tejkalohen shumë bariera që kanë penguar deri atëherë, po Kraja ka mbetur jashtë. Edhe sot e kësaj ditë, edhe pse flitet me të madhe nga të dy anët e kufirit se do të hapet pika kufitare Skje- Zogaj, edhe sot e gjithëditën ajo mbetet e mbyllur”, thotë ai.

Në vitin 1961, thotë Ali Gjeçbritaj, Kraja kishte 5600 banorë, ndërsa sot në Krajë nuk jetojnë më shumë se 1000 banorë. Ndaj, sipas tij, veç të tjerash, është i rëndësishëm, zgjerimi i komunikimit me Shkodrën dhe Shqipërinë, për të frenuar emigrimin dhe zgjeruar hapësirat e komunikimit ndërkufitar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat