​Hapet Java Kulturore e Kosovës në Kanada

Kultura

​Hapet Java Kulturore e Kosovës në Kanada

Më: 19 maj 2024 Në ora: 21:34
Foto ilustrim

Me një atmosferë festive me qindra të pranishëm nga komuniteti shqiptar dhe mysafirë nga Kanadaja, nën tingujt e Orkestrës së Filarmonisë së Torontos nën dirigjimin e mjeshtrit Bujar Llapaj, drejtorit ekzekutiv e artistik Qazim Kallushi dhe tenorit me famë botërore Ramë Lahaj sot u mbajt koncert festiv në hapje të Javës së Kulturës së Kosovës në Kanada.

Java Kulturore e Kosovës mbahet në shënim të 25-vjetorit të mikpritjes kanadeze për refugjatët nga Kosova dhe 15-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Kanadasë, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Kosovës në Kanada.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, shprehu mirënjohjen e saj të thellë për kontributin e Kanadasë në çlirim dhe zhvillim të Kosovës dhe në veçanti integrim dhe mbështetje të mërgatës sonë në Kanada.

“Ata janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Ndërtojnë ura të fuqishme mes Kosovës dhe Kanadasë, por pa harruar asnjëherë vendin e tyre”, tha Gërvalla.

Ndërsa, senatorja kanadeze, Rebecca Patterson, foli rreth marrëdhënieve të fuqishme mes Kanadasë dhe Kosovës, si dhe miqësinë mes dy popujve tanë.

Përgjatë një jave do të mbahen shumë aktivitete në qytete të ndryshme të Kanadasë ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, do të këtë shfaqje të filmave, dokumentarëve, aktivitete kulturore të ekspozimit të veshjeve tona kulturore si dhe do të organizohen edhe aksione të dhurimit të gjakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat