Një udhëtim me 'Një mijë diej vezullues' që do t'ju transformojë

Kultura

Një udhëtim me 'Një mijë diej vezullues' që do t'ju transformojë

Më: 20 maj 2024 Në ora: 20:26
Kopertina e librit

Herë pas here, të gjithëve na ndodh që të përfundojmë me një libër në duar që nuk na rrëfen vetëm një histori, por ndryshon mënyrën se si e shohim botën e perceptojmë realitetin.  Dhe për mua, i tillë ishte “Një mijë diej vezullues” i Khaled Hosseinit, një roman nga ata që nuk të shqitet nga mendja, edhe kur ka kaluar kohë që kur ke kthyer faqen e fundit.

Ndoshta për dikë është vonë për të sugjeruar këtë libër, por në duart e mia erdhi pikërisht në momentin e duhur. Sot u zgjova me lajmet për vdekjen e presidentit iranian dhe artikull pas artikulli përfundova duke lexuar mbi Iranin dhe Lindjen e Mesme, e po reflektoja mbi atë që po ndodh atje. Nga kjo mora shkas për këtë review.

Ndonëse i vendosur në një kontekst të caktuar, "Një mijë diej vezullues" ka mesazhe universal - dashurinë, sakrificën, qëndrueshmërinë dhe shpresën. Pavarësisht se është i vendosur në Afganistan, temat e romanit i tejkalojnë kufijtë kulturorë dhe gjeografikë.

Disa libra të argëtojnë, disa të edukojnë dhe më pas këta, të rrallët, që të transformojnë. Duke e lexuar, nga faqja në faqe m'u duk sikur më çoi nëpër një udhëtim të thellë emocional, që la gjurmë në mendjen time jo vetëm në ditët kur sapo e kisha përfunduar, por edhe tani që kanë kaluar disa muaj.

Kur them udhëtim i referohem historisë së trazuar të Afganistanit, ku zhvillohen ngjarjet, që përfshin mbi tre dekada: Pushtimin sovjetik, ngritjen e talebanëve dhe periudhën e rindërtimit. Pikërisht këto tri periudha shërbejnë si sfond për jetën e ndërthurur të dy personazheve, dy super grave Mariam dhe Laila.

Është e pamundur mos të përfshihesh në historitë tyre, që janë sa prekëse aq edhe frymëzuese. Si asnjëherë tjetër, përmes këtyre personazheve ndjeva peshën e historisë dhe trazirave politike në jetën e njerëzve. Këto ngjarje nuk janë vetëm shenja historike, por forcat që formësojnë dhe ripërcaktojnë jetën e personazheve.

Historia e Mariam fillon me një sërë refuzimesh të ashpra. E ardhur në jetë nga një lidhje jashtë martesore, ajo kthehet në një personifikim të përbuzjes shoqërore dhe abuzimit. Martesa e saj me Rashidin, një burrë mizor dhe konservator, vetëm sa i shton vuajtjet e saj. Nga ana tjetër, Laila, e cila ka lindur në një epokë pak më progresive, e sheh jetën e saj të ndërprerë nga lufta. Kur Laila përfundon në shtëpinë e Rashidit, armiqësia fillestare mes saj dhe Mariam shndërrohet në një lidhje më të fortë se gjaku.

Familja në këtë libër nuk përcaktohet nga lidhjet e gjakut. Xhalili është familjar, por në thelb ai e refuzon të bijën, Mariam. Nana e Mariam, e cila ishte aq brutale me Mariam gjatë gjithë fëmijërisë së saj, ndihet aq e tradhtuar nga gjaku i saj saqë nga dëshpërimi var veten. Ndërsa Rashid është burri i Mariam, por dhuna dhe refuzimi i tij bën shtypës të saj. Në fund Mariam gjen familjen e saj te Laila, Aziza dhe Zalmai. Mariam dhe Laila kanë një lidhje më të fortë se dy motra dhe Mariam bëhet nënë e dytë për Azizën dhe Zalmai. Është ky përkushtim që e shtyn Mariam të bëjë zgjedhjen për t'u dorëzuar, duke u pushkatuar në mënyrë që Laila dhe fëmijët të mund të jetojnë në liri.

"Një mijë diej vezullues" është një dëshmi e forcës dhe rezistencës së grave. Ku nëvizohen padrejtësitë e rënda me të cilat përballen gratë afgane, por gjithashtu theksohen këmbëngulja e tyre për shpresë, dashuri dhe triumf. Edhe kur goja pikon gjak, dhe kur kanë dy duar të forta rreth fytit, edhe kur janë buzë vdekjes…

Dhe është pikërisht kjo ajo që më la më shumë mbresa nga ky libër: portretizimi i dashurisë dhe sakrificës. Mes luftës dhe normave shtypëse shoqërore, marrëdhënia e Mariam dhe Laila bëhet një akt sfide, përmes të cilës përcillet mesazhin kryesor i romanit: se lidhjet njerëzore dhe aktet e guximshme mund të ndriçojnë edhe kohët më të errëta.

Thellësia emocionale e këtij romani është e një niveli tjetër. Stili i Hosseinit bën që të përjetosh çdo ndodhi sikur të jesh pjesë e tij. Në 384 faqe kalova në një spektër emocionesh - zemërim për padrejtësitë, trishtim për vuajtjet, dhembshuri për dhimbjen dhe shpresë për qëndrueshmërinë. Dhe kështu, Mariam dhe Laila u bënë nga thjesht personazhe në dy histori që ndikuan thellë te unë dhe mënyra si e perceptoj tani çdo ndodhi, atje në Lindjen e Mesme…

Sigurisht që kur flas për “Një mijë diej vezullues” nuk mund të flas vetëm për patos e ndikim emocional. Pasi Hosseini jep një pasqyrim për kulturën afgane, paraqitje të realiteteve brutale të jetës nën talebanët, normave kufizuese shoqërore që rregullojnë jetën e grave, pasurinë kulturore dhe shpirtin e qëndrueshëm të popullit afgan.

Titulli i romanit bazohet në poezinë e poetit të shekullit të 17-të Saib Tabrizi "Kabul". Në rreshtat 15-16, Tabrizi shkruan: “Nuk mund të numërohen hënat që shkëlqejnë në çatitë e tijj/ Dhe mijëra diej vezullues që fshihen pas mureve të tij”. Poema e tij është një këngë dashurie për qytetin e Kabulit, i njëjti qytet ku Laila dhe Mariam krijojnë lidhjen e tyre, dhe qyteti që, ndërsa është shkatërruar nga lufta, e tërheq Lailën për ta ndihmuar të ringrihet. Është një vend tmerri me talebanët, por më vonë, ai bëhet një simbol i shpresës për një fillim të ri për Afganistanin.

"Një mijë diej vezullues" është më shumë se thjesht një roman; është një rikujtesë se edhe në rrethanat më shtypëse, ka gjithmonë një fije shprese; është një reflektim mbi fuqinë e rezistencës; një thirrje për rëndësinë e solidaritetit dhe shpresës edhe në kohërat më të errëta. Nëse nuk e keni lexuar ende, kjo është shenja juaj që ta lexoni sa më parë.

Është një histori që do t’ju prekë zemrën dhe do të lërë një impakt në mendje përgjithmonë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat