Një profil tjetër i profesor Ymer Berisha

Kultura

Një profil tjetër i profesor Ymer Berisha

Nga: Lush Culaj Më: 22 maj 2024 Në ora: 12:58
Lush Culaj

Telenti i Ymer Berishës prej shkrimtari e mendimtari bie në sy herët, në veçanti në bankat e shkollës, si normalist.

Atëbotë, në faqet dhe numrat e revistës “Normalisti” të Shkollës Normale të Elbasanit, kishin promovuar talentin e tyre shumë nxënës, në krijimtari letrare të zhanreve të ndryshme, si: tregime, novela, poezi, vjersha etj., por dhe në reportazhe dhe shkrime zhanresh të ndryshme publicistike.

Aty kishin parë dritën tregimet: “S’ka përse zotni”-nga Sterjo Spasse, “Një natë dimri” nga Zef Pali, “Kur hyna në shkollë” nga A. Imami, novelat “Shqiptarja me besë” nga Qamil Guranjaku (me pseudonimin Qukapiku), “Një dashuri që humb” nga Vangjel Nasto, “Nder vorre” nga Zef Pali, “Dashuri që shpërblehet” nga Vangjel Nasto, “Gjaku i ma­leve” nga S. Alliu, vjershat “Shkolla ime”, “Shtëpia ime” “Nëna” nga Qamil Guranjaku etj. Edhe hartimet e esetë e nxënësve të talentuar gjetën hapësirën e veçantë në këtë revistë, si: “Puno në rini, qi të jesh i lumtur në pleqni” nga Dervish Cara, “Kanga e Balës” nga Ymer Berisha.

Në atë kohë, të botuarit e një reviste kërkonte një punë të madhe prej shumë nxënësve, të cilët, duke shfrytëzuar individualitetin e gjithsecilit dhe me një bashkë­pu­nim të mirëfilltë midis tyre arritën të kapërcenin vështirësitë dhe të nxirrnin në vazhdim numra të tjerë të kësaj reviste. Për sigurimin e të ardhurave financiare normalistët jepnin shfaqje, si për vetë nxënësit, ashtu dhe për popullatën e qytetit të Elbasanit, si në ambientet e konviktit të shkollës, ashtu edhe në kinemanë “Beethoven” të qytetit. Revista dha po ashtu kontribut të veçantë për të reflektuar përpjekjet shqiptare për qëndresë para shtypjes që kishte ndodhur nën pushtimin e Perandorisë Osmane. Ajo përçonte ndjenja patriotike duke prekur vetëdijen kombëtare. Ymer Berisha ishte gjithsesi ndër më të dalluarit me shkrimet e veta.

Një nga hartimet e tij, nga prof. Xhuvani dhe kolegjiumi i shkollës ishte vlerësuar si hartimi më i mirë në shkollë. Prof. Xhuvani, kur e kishte lexuar hartimin, i kishte thënë: “Në sytë t’u unë shoh një pjesë të Shqipërisë”.

Nëse shihet niveli i nxënësve të Normales, që for­malisht mund të krahasohet me një shkollë të mesme të sotme, por që në pikëpamje të cilësisë pothuajse kalon caqet e universiteteve të sotme, pak kush mund të besojë që nxënësit e shkollës të mesme të asaj periudhe të kishin një nivel të tillë aq të lartë kulturor e njohës. I tillë ishte profili i Ymer Berishës, krahas atij të Sterjo Spasses, i cili më vonë do të bëhet emër i shquar i letërsisë shqipe.

Unë po e sjell këtë shkrim të Ymer Berishës në for­mën si i ka shkruar ai në atë kohë, si nxënës, dhe lexuesi le të gjykojë vetë për nivelin qëndrimet dhe pikëpamjet e tij. Në esetë e hartimet e tij, Ymeri u dallua sa për përshkrimet artistike, po aq dhe për përmbajtjen atdhetare të teksteve të tij, prandaj dhe kishte marrë lavdërata nga profesorët.

Hartime nxanësish

NUK ASHT GJA E MADHE TË DUASH MIKUN; PUNA ASHT TË DUESH EDHE ANMIKUN

Shkrimi i Ymer Berishes

Njeriu, kur vjen në botë, bjen me vehte të gjitha gjendjet shpirtnore (dispozitat e natyrshme), me të cilat mund të shtjellohen idet morale, shtjellimi e përparimi i të cilavet asht në dorë t’edukatorit. Fëmija, kur len, asht fare i kulluet nga çdo gja e keqe; por mbasandej në mes të shoqnis njerzore, ku jeton (në rrethanat), fiton përveç vir­tytevet edhe nji shumicë shprehish e vesesh të këqia, e bashkë me këto edhe mënin, e cila tue gjetun vend në ndër­­gjegjen t’onë fuqizohet e këthehet n’anmiqsi. E për­kundërta e anmiqsis, sikurse e dijmë, asht miqsia, e cila fitohet me dashuni. Dashunia asht ma i madhi e ma i nalti i të gjitha vyrtyteve hyjnore, se ba-shkon zemrat e njerëzvet. Zemrat e njerëzvet të njij familje, të njij shteti e të botës mbarë janë bashkuem me anën e telavet të padukshëm të dashunis.

Po pse vallë, kur nji njeri shef në mjerim të madh nji t’jetër të panjoftun, merr pjesë edhe ai n’idhnimin e tij edhe përpiqet ta shpëtojë nga ai mjerim, në qoftë se mundet, me gjithë qi nuk e ka kurgja dhe nuk e njef fare? Vetëm pse dashunia, këjo flakë e shejtë asht pjestuem prej të Naltit nëpër zemrat e njerzëvet, qi ta përdorin me e dashtun njeni t’jetrin.

A mund do ta duronte natyra njerzore qi njeriu tue mujtun, të mos përkrahi shokun e tij ma të dobtë? A kishte me na shtymë natyra të shkojmë deri n’atë shkallë sa qi, edhe kur shohim nji njeri në thojt e vdekjes, të mos zgjasim dorën me e shpëtuem, me gjithë qi mundemi?! Jo, gjithë këtë mizori e pamëshirë nuk mund ta mendojmë në natyrën njerzore, sepse ajo vetë na shtyn qi t’i gjindemi shoqi shoqit ndër nevojë e ngushtica të jetës.

Miqsia asht ai vyrtyt i ambel qi na i zbukuron ma tepër ditët e jetës, e dashunia na i ban me i gëzuem e me i shijuem këto. Me anë të këti vyrtyti rregullohet e gjithë bota; unë të due ty, ti don atë; pra edhe mua me shtyn natyra e më thotë arsyeja me e dashun atë, qi don ti e të don ty. E kështu gjithë njerzia, si u-njoftkanë, si s’u njoftkanë, janë lidhur zingjir shoq me shoq me anë të këtyne telave të hyjnueshëm. Dashunia asht ajo, qi ka bamë familje, shoqni e atdhe. Njeriu kurrsesi nuk mund të rrojë në botë pa dashuni (shoqni e miqsi). Pa këtë nuk do të kishte shije bota, do t’ ishte nji lu­ginë mjerimesh, nji skëterrë e gjithmonëshme. Të mos kish­te dashuni, njeriu nuk do të kryente kurrë vepra të mëshirëshme; nuk do ta ndihmonte të vobektin, nuk do të për­krahte të dobtin, nuk do të mësonte të paditunin, nuk do të ngushëllonte të mjeruemin e nuk do të donte atë fuqi të mbinatyrshme, Zotin, qi ka krijuem kaqë e kaqë të mira për njerin. Ndjenjat e mëshirës, të dhimbunisë, të bamirësis, etj. qi janë themelet e vyrtytevet të nalta, e kanë burimin nga dashunia.

* * *

Njij njeriu i bajmë mirë, pse e duem; edhe ai na ban mirë, pse na don. Po athue kurrë nuk do t’i bajmë mirë dhe nuk do ta duem atë, qi s’na don e s’na ban mirë;? Nuk do ta duem, asnjiherë; anmikun t’onë: Do të përpiqemi me e zhdukun nga faqja e dheut si bajnë disa?! Jo, Jo, nuk asht e drejtë. Puna asht ta duem edhe atë, qi s’na don, se atë qi na don, e kemi për detyrë të domosdoshme me e dashun; e njeriu në këtë botë, në qoftë se mjaftohet tue e bamë vetëm atë, qi ka për detyrë ta bajë, të mos rrehet kot, se s’e kryen si duhet detyrën e tij. Anmikun duhet ta duem, në qoftë se mbahemi njerzë me moral e me dituni, se ai asht i afërmi i ynë. Ai ndoshta nuk do të na dojë, pse i mungojnë këto cilësi të nalta; por sido qoftë, na duhet ta duem atë, se dikur do të vijë në vehte e do ta kuptojë gabimin e vet.

Duaje anmikun t’and; këtheja të keqen më të mirë, se njeriu nuk pendohet kurrë pse fal, don e nderon; por gëzohet, shpirti i naltësohet dhe e ndien vehten ma të lumtun, e përkundrazi mbas çdo pune të keqe vjen përnjiherë pendimi. Fali gabimet e të tjerëvet, pse i shton vehtes nderë e lavdi ma tepër. Zemra e nji burri të vërtetë tregohet, atëherë kur ai, me gjithë qi asht ma i fuqishëm se anmiku, e fal e don dhe e nderon atë. Duroi të tjerët për të këqiat qi të bajnë, se vetëm ata qi s’dijnë, s’mund të durojnë kurrgjë. Lum kush e ka sundues durimin mbi të gjitha vyrtytet e veset e tij, se ai i shpëtuem ka me qenë.

Tue i falun e tu i nderuem anmiqt, ata dikur do ta kuptojnë gabimin e tyne dhe do të jenë mirënjohës kun­drejt nesh, e kështu na do ta ndiejmë vehten ma të këna­qun, pse kemi bamë të mirë të keqijt, pse kemi përmirë­suem (kemi zbutë) shpirtna. Sa vepër e naltë! A ka vepër ma të naltë të zemrës se kur shpëton njeriu anmikun e tij nga nji mjerim a rrezik i math, kur t’i vijë për doresh? A ka gja ma të mirë se me e këthyem të mirë të keqen, qi na ka bamë nji tjetër? Jo, besoj vepër ma burrnore nuk mund të kryejë zemra e njeriut; sepse ai qi e kemi quajtun anmik, edhe sikur të jetë njeriu ma i keq, ma i egër e ma zemër-gurë në botë, do të zbutet dhe menjiherë do të ndiej nji kënaqësi të patregueshme në shpirtin e tij, me qenë se i kemi bamë mirë në të tilla raste; edhe do ta ketë për jetë nder mend të mirën, qi i kemi bamë në ditë të ngushta, e kështu do të përpiqet me ‘mish e me shpirt, qi t’i vijë dikur dita me na shpërblyem atë të mirë me fish, se ma të keqen s’na e don kurrë. E gjithë ajo anmiqsi u këthye tash në miqsi të ngushtë, e anmiku i maparshëm do të jetë gati njime ndoshta edhe me e dhanë jetën për ne.

Për ta dashtun me të vërtetë anmikun, nuk asht nji punë e lehtë; këtë gja mund ta bajë me lehtësi nji njeri me karakter të fortë, nji shpirtmadh, ai qi ka mbërrimë në kul­min e moralitetit. Të mos kërkojmë aty për aty me ia shpër­blyem të keqen anmikut, sepse kemi për ta pamë se ai ka me e ndeshkuem vetvehten, se ndergjegja s’ka me lanë kurrë të qetë. Na do të përpiqemi kurdoherë mos me i përngjamë atij, pse, tue na pamë gjithmonë të vyrtytshëm e të mirë, do t’i vijë keq; e këjo asht mënyra ma e mirë për shpagim kundra tij. Sa e idhtë do të na kalonte jeta, po t’ishim zhytun në humneret e mënis e t’anmiqsis! Sa fat­keqësi do t’ ishte për ata, qi miqsin, e cila ta mbush zem­rën plot me gëzim, e këthejnë n’anmiqsi tue e shperdo­ruem atë dhuratë të Qiellit! Asht shum e arsyeshme fjala e urtë popullore qi thotë: “Ma mirë nji mik se nji çiflik”.

* * *

Miqsia asht ma e vjetre se se anmiqsia. Çdo njeri, qi na ka qilluem të na bahet anmik, ma parë e kemi dashtun, ose pak së paku nuk e kemi urryem, nuk e kemi pasun meni.

E do t’ishte nji e mirë e pakufishme, sikur të mos fitonte njeriu anmiq në botë, por ta shkonte jetën me ambelcim tue i dashun të gjithë. Mirpo njeriu prej natyre e urren e don ta humbi nga faqja e dheut atë, qi i ban keq anmikun. Ky mundohet gjithmonë t’ia shpaguejë t’tjetrit të keqen qi i ka bamë, pa menduem aspak se çfarë faji ka ai i shkretë. E tue vepruem kështu, bahet ma i keq se i keqi: sepse po e mbjell të keqen, në vend që ta zhduki fare e të punojë për të mirën e përgjithshme, sikur thotë e vërteta morale. Po të mendojshin gjithë njerzit se nuk duhet falun asndonjë e keqe qi ta ban t’jetri, atëherë e gjithë bota do t’ishte në nji gjendje të përherëshme; do të luftojshim pa pushuem kurrë, e qytetnimi i sotshëm, kush e di, do t’ishte me miliona vjet mbrapa; bota do t’ishte në nji errësinë të madhe. Nji shtet aqë ma i fortë e ma i përparuem asht, sa ma fort të duhen njëni me t’tjetrin vendasit e tij.

* * *

Unë jam i mendjes se ai qi shtyhet të vrasi nji njeri, nuk ka faj; pse, po të mendohemi mirë e mirë, do të gjejmë se atij nuk asht për t’i ngarkuem ndonji përgjegjësi për këtë punë, mbasi natyra e ka shtymë të veprojë ashtu; i ka ramë, si me thanë lota (asht thanë) të vrasi, ose të bajë ndonji të keqe të madhe. Njeriu shtyhet të bajë të keqen prej lakmis së tepërme në pronë, prej egoizmit, i cili e ban të përbuzet e të mos duket prej të tjerëvet, e prej nervozitetit; të gjitha këto janë sëmundje të natyrëshme, e na duhet të përpiqemi në qofshim njerzë, me i shëndoshë ata e jo më i sëmu ma keq.

Shum kësi fajtorësh ndeshkohen me burg, ose dënohen me vdekje, por duhet ta dijmë se ndeshkimi a dënimi i përket fajit e jo njeriut vetë. Të vramë ka, por kriminelë nuk ka. Shum herë njeriu, i urdhnuem prej natyrës së tij, (zemërimi e padurimi), ngjyen duert me gjakun e vllaut të tij, qi s’ asht gja t’jetër veçse gjaku i atij vetë! Sa shëmtim....! Mos na raftë me e provuem!

Po vllaun vrasës vallë kush do ta fali e ta dojë ma?! Ma i pari baba, qi asht për të dy njisoj, vllau t’jetër e të gjithë me radhë. Po në çfarë gjendjeje shpirtnore ndodhet ai, qi e gjet ky shëmtim kaq i madh? Nuk mund të merret me mend; don të mos rrojë i gjallë mbi dhe, e mallkon atë çast të zi e i duket sikur gjithë njerzia e vetë Perendia po e shiqojnë me sy të keq për mkatin e math, qi ka bamë. Kështu pra, sikurse fal baba djalin e vllau vllaun, tue shkuem pas natyrës, duhet të fali çdo njeri atë, qi i ban keq, dhe të mos kërkojë arsye e pa arsye me marrë shpagimin, se të gjithë njerzë jemi, si ai qi ban keq, si ai qi ban mirë.

* * *

Duhet dijtun se njeriu nuk ka mik as anmik ma të madh se vehten e vet. Ai e don vehten ma tepër se çdo njeri t’jetër në botë; vehten ai don ta shofi ma mirë dhe ma nalt se gjithë të tjerët në çdo pikëpamje; e këjo asht nji gja qi shifet në jetën e përditshme. Por njeriu përnjëherë asht edhe anmiku ma i madh i vetvehtes, së cilës asht për t’iu dashtun ma tepër se askujt. Ai, tue dashun tepër vet­vehten, harron se nëpër çfarë rruge duhet shkuem e, për t’i plotësuem dëshirat e tepërme gjithëfaresh, të cilat ma vonë i bahen sëmundje, nuk din se ç’ban; përdor mjete fitimi të shnderëshme, si vjedhje, shpërdorime e vrasje. Por të gjitha këto i këthehen në ndëshkime e dënime, qi randojnë mbi kurriz të tij, e ma në fund i bien humbjen e pasunis, të liris, të nderit e të jetës. Shum herë njeriu i idhnuem me vehten e vet, qi i sjell mjerime dhe ban të kalojë nëpër valët ma të rrëmbyeshme të jetës, e vret atë me dorën e tij.

Shka ta ban vehtja, s’ta ban kush, - thotë nji fjalë e urtë popullore.

Njeriu në mes të sa e sa humbjeve, qi mund t’i ngjajnë në jetë, duhet të përpiqet deri në fund, qi të ruejë dashunin mbi të gjithë njerzit, se kjo e ban të nderohet e të çmohet edhe mbas vdekjes.

* * *

Njerzit ma të ndershëm e të lavdishëm, qi përmend historia, shum herë i kanë falun anmiqt e tyne. Ndër ata asht edhe Skender-Beu i ynë, i cili e fali Moisi Golemin, me gjithë qi ai e kishte tradhtuem këtë tue u bashkuem me anmiqt. Po kështu ngjau me edhe me të nipin e tij Hamzën. Ndoshta Skender-Beu në pikpamje politike nuk bani mirë, por në pikpamje morale do të jetë shëmbëllë e pavdekunë për ne. Edhe Leka i Madh, kur mundi Dariusin, mbretin e Persis, zuni familjen e tij, por u-suell shum mirë me të dhe e nderoi si duhet.

Shembëllën ma të mirë e kemi ke Krishti, moralisti ma i madh i botës, i cili gjithë jetën u-përpoq për të mirën e moralin e njerzis. Ky, kur u kryqëzue prej anmiqvet barbarë, në çastin ma të mbramë të jetës tha: Fal-i o At, pse nuk dijnë shka janë tu bamë; fal-i , fal-i, pse s’dijnë se ç’po kryejnë mbi mue këta të mjerë; kështu ndrroi jetë miku i gjithë njerzis, i cili nuk deshi të lajë prapa grindje e zanje, por vllaznim.

Në qofsh dashës, do të jesh i dashun; don pse gëzon e gëzon, pse don.

Ymer Berisha 1932

Është kjo një ese e mrekullueshme e një nxënësi të Normales, ende djalosh njomzak, pa i dërsirë mustaku. Një ese që sublimon njerëzoren si etikë, besim e politikë, si mirësi e dashuri. Duke e lexuar këtë ese, nuk e di njeriu nëse po lexon shpirtin e Nënë Terezës, bashkëkohanike e tij, më vonë fituese e çmimit Novel për Paqe, apo të Ibrahim Rugovës, fitues i disa çmimeve për paqe si dhe i çmimit evropian Saharov, prijës i popullit të Kosovës, njeriu i cili filozofinë “rinore” të durimit e paqes që shpreh një normalist atëbotë e kthen në program dhe vizion politik në vitet ’90 të shek. XX, si vazhdimësi e projektit të pakryer të Ymerit.

Ymer Berisha e ndërton profilin human të njeriut “dashës” që në armik e ndërton mikun, sipas motiveve të lashta vedike e biblike që bëhen gurthemel i filozofisë së tij paqësore që kthehet edhe në dashuri ndaj atdheut. Ai njeh dashurinë ndaj botës duke u nisur nga dashuria për të veten e kombin, ndryshe nga internacionalizmi proletar që do të gërryejë palcën e shpirtit shqiptar pak vite më pas.

Mjafton kjo ese djaloshare për të parë që Ymer Berisha ishte ndër personalitetet më fisnike, shpirtërisht e intelektualisht, që njohu “raca” ilire-shqiptare.

Implikimët politike të Berishës më vonë sigurisht që japin edhe dimensionët e profesorit, pedagogut, politikanit dhe ushtarakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat