Sektori i Punëve të Brendshme në Kumanovë ka reaguar në lidhje me informacionet e publikuara në media, për një grup qytetarësh që lëviznin në këtë qytet, për të cilët pretendohet se janë pjesë e ndonjë sekti.
SPB Kumanovë thotë se grupi i personave të vërejtur në Kumanovë është grup i pjesëtarëve të bashkësisë fetare hebreje.
“Këta persona i respektojnë ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë plotësisht të ligjshëm këtu dhe janë me qëndrim të përkohshëm në vendin tonë. Grupi përfshin amerikanë, kanadezë, belgë dhe qytetarë të Amerikës së Jugut, ata kanë pasaporta ose dokumente të ligjshme dhe kanë vendbanim të autorizuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
“Sipas informacioneve që disponon Ministria e Brendshme, grupi është në lëvizje të vazhdueshme dhe pritet të largohet nga vendi ynë në ditët në vijim. SPB Kumanovë njofton qytetarët e Kumanovës se grupi i përmendur nuk paraqet ndonjë rrezik dhe apelon për tolerancë dhe solidaritet ndaj tyre”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, shumë shtetas të huaj që janë shpërngulur në Kumanovë, kohët e fundit kanë filluar të kryejnë predifike fetare në një ndërtesë me qira në qytet. Kumanovanët kanë reaguar dhe kërkojnë nga SPB Kumanovë që të hetojë se për çfarë bëhet fjalë, kush janë këta persona dhe kush i ka lejuar të kryejnë predikime fetare.