Vazhdojnë punësimet me identitet të rrejshëm etnik, në Kumanovë 8 maqedonas punësohen si shqiptarë

Kumanova

Vazhdojnë punësimet me identitet të rrejshëm etnik, në Kumanovë 8 maqedonas punësohen si shqiptarë

Më: 11 maj 2023 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Vazhdojnë punësimet e maqedonasve që paraqiten si shqiptarë. Rasti i fundit është me 8 punësimet e reja në Komunën e Kumanovës të cilët sipas emrave dhe mbiemrave dallohet se janë maqedonas, por në konkurs janë paraqitur si shqiptar ose shqiptare.

Për shembull punësimi i parë fillon me kandidaten Angjela Jovanovska-Nikollovska, e deklaruar si shqiptare dhe e punësuar si bashkëpunëtore e re për siguri gjatë mbrojtjes dhe shpëtimit civil dhe për menaxhim me gjendjet e krizës. Edhe më tej lista vazhdon njëjtë, Dragana, Margica, Nikolla, Ivana, Igori, Dejani e Roberti, që të gjithë janë deklaruar me përkatësi entike shqiptare.

Punësimet në Komunën e Kumanovës:

-Dragana Zafirovski, shqiptare
-Margica Boshkovska, shqiptare
-Nikolla Boshkovski, shqiptar, i punësuar në Sektorin për punë komunale, infrastrukturë, trafik dhe mbrojtje të mjedisit
-Ivana Bogdanovska, shqiptare, e punësuar si bashkëpunëtore për kulturë
-Igor Trajkovskin, shqiptar, gjithashtu i punësuar si bashkëpunëtor për kulturë
-Dejan Dimitrievski, shqiptar, i punësuar si inspektor i trafikut
-Robert Nikollovski, shqiptar, i punësuar si referent i pavarur për përgatitjen e punëve të administratës në Departamentin për bashkëpunim ndërkombëtar dhe eurointegrime

Kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski, e arsyeton këtë duke thënë se nuk mund të përzihet se si paraqiten kandidatët, pse siç shprehet, deklarimi mbi identitetin etnik është e drejtë personale e aplikuesit. Shpjegon se të gjithë procedurën e udhëheqë Agjencia për administratë nëpërmjet një komisioni të përzier të cilët rangojnë kandidatët me pikë më të larta dhe të cilët më së mirë kanë kaluar fazat e punësimit.

“Komuna ka vepruar dhe do të vazhdojë të veprojë në bazë të dispozitave pozitive ligjore gjatë punësimeve të kuadrove të reja. Prioriteti ynë është që të kemi kuadro profesional duke mos i ndarë në baza kombëtare ose në baza të përkatësisë etnike. As nuk hyjmë në zgjedhjen personale të kandidatëve për përkatësinë etnike, fesë ose çfarëdolloj përkatësie tjetër për shkak se kjo është personale dhe e drejtë e garantuar me Kushtetutë”, deklaroi Maksim Dimitrievski, kryetar i komunës së Kumanovës.

Në ndërkohë për punësimet e 8 maqedonasve të deklaruar si shqiptarë ka reaguar edhe grupi i këshilltarëve të BDI-së, të cilët janë opozitë në Këshill.

“Nuk është fare për t’u habitur sepse është vetëm vazhdimësi e veprimeve dhe politikave nacionaliste që ai i ka ndaj shqiptarëve”, tha Arta Ademi, koordinatore e këshilltarëve të BDI-së.

E partnerët e koalicionit të Dimitrievskit, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që krijojnë shumicën në Këshillin komunal të Kumanovës, shprehen kështu:

“Ky problem do të zgjidhet vetëm përmes ndryshimit të ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për të cilin ne si subjekt jemi zotuar dhe punojmë në miratimin e një ligji të ri”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

“Është evident keqpërdorimi i balanserit por ky konkurs nuk është rast i izoluar, kjo ndodh gjithandej në çdo institucion për arsye se këtë e mundëson ligji aktual dhe rregulloret. Padyshim se duhet me urgjencë të ndryshoj ky ligj por këtë detyrë e ka Qeveria dhe Kuvendi i RMV. Mos-keqpërdorimin e balanserit e kemi kërkuar me ngulm në kohën sa ishim në qeveri, por edhe tani”, theksojnë nga Alternativa.Manipulime të tilla në punësime ka pasur edhe në të kaluarën.

Ka pasur raste kur për t’iu përshtatur konkursit, qytetarët maqedonas janë vetë deklaruar edhe si turq, rom, boshnjak, vlleh e serb, por asnjëherë deri tani nuk është gjetur zgjidhje.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat