Personave me aftësi të kufizuara nga Likova u refuzohet leja e parkimit në Kumanovë

Kumanova

Personave me aftësi të kufizuara nga Likova u refuzohet leja e parkimit në Kumanovë

Më: 14 nëntor 2026 Në ora: 11:30
Pamje nga takimi

Për një vizitë në spital apo për shërbime sociale, banorët e Likovës dhe të Staro Nagoriçanit vijnë në Kumanovë. Por për disa persona me aftësi të kufizuara nga Likova, adresa e banimit është bërë pengesë për të marrë leje parkimi me kushte të lehtësuara. Sipas këshilltarit të AKI-së, Isuf Seferi, atyre u është refuzuar leja këtë vit pikërisht sepse nuk banojnë në Komunën e Kumanovës.

Çështja u ngrit sot në seancën e 20-të të Këshillit të Komunës së Kumanovës, gjatë shqyrtimit të ndryshimeve në programin e punës dhe në planin financiar për vitin 2026 të ndërmarrjes publike “Kumanova – Parking”. Në përgjigje të shqetësimit të Seferit, kryetarja e Këshillit, Ivana Gjeorgjievska, dhe këshilltarja e ZNAM-it, Monika Markovska, propozuan që zgjidhja të kërkohet përmes bashkëpunimit ndërkomunal, raporton OPEN TV.

Seferi tha se ishte kontaktuar nga qytetarë me aftësi të kufizuara nga komunat fqinje. Sipas tij, banorët nga Likova që iu drejtuan kishin përfituar më parë nga parkimi me kushte të lehtësuara, ndërsa këtë vit u ishte thënë se nuk e plotësonin kriterin e vendbanimit. “Qytetarët e Likovës dhe të Staro Nagoriçanit nuk vijnë në qytetin tonë për luks, por për nevoja elementare dhe jetike. Ata vijnë këtu për të shkuar në Spitalin e Përgjithshëm, në Qendrën për Punë Sociale dhe në institucione shtetërore që nuk ekzistojnë në komunat e tyre”, tha Seferi. Ai sqaroi se nuk kishte arritur të paraqiste në kohë një propozim formal, por kërkoi të shqyrtohet se si mund të ndihmohen qytetarët e prekur. Sipas tij, numri i tyre nuk është i madh, ndërsa lehtësirat e parkimit do të kishin peshë për buxhetin e familjeve të tyre.

Gjeorgjievska tha se mjetet që Këshilli i Kumanovës i ndan ndërmarrjes “Kumanova – Parking” janë subvencione komunale. Ajo propozoi që edhe Likova dhe Staro Nagoriçani të kontribuojnë në financimin e lehtësirave dhe e ftoi kryetarin e Këshillit të Komunës së Likovës në një takim për ta diskutuar çështjen. “Këto çështje zgjidhen përmes bashkëpunimit ndërkomunal. Ashtu siç mund të ndajë mjete Këshilli i Komunës së Kumanovës, mund të ndajnë edhe këshillat e Likovës dhe të Staro Nagoriçanit”, deklaroi Gjeorgjievska. Ajo sugjeroi që këshillat të dakordohen për një propozim dhe ta vendosin në rend dite. Pavarësisht numrit të kufizuar të vendeve të parkimit, Gjeorgjievska vlerësoi se në Kumanovë mund të gjenden vende për personat me aftësi të kufizuara që vijnë për të marrë shërbime.

Edhe Markovska kërkoi një marrëveshje zyrtare ndërmjet komunave. Sipas saj, zgjidhja duhet t’ua lehtësojë qasjen qytetarëve nga komunat fqinje, ndërsa kostoja duhet të ndahet mes komunave. “I ftoj drejtuesit dhe këshillat e Likovës dhe të Staro Nagoriçanit që të dakordohemi për një model të përbashkët dhe secila komunë të marrë pjesë në mbulimin e shpenzimeve për banorët e vet”, tha Markovska.

Edhe këshilltari tjetër ZNAM-it, Darko Mitevski,  kishte pajtim mes këshilltarëve se rritja e mjeteve për parkim me kushte të lehtësuara për personat me aftësi të kufizuara ishte e arsyeshme. Ai mbështeti edhe shtimin e subvencioneve për aktivitetet mësimore, jashtëmësimore dhe sportive të notit në pishinën e mbuluar të qytetit. Mitevski e cilësoi programin, që zhvillohet prej disa vitesh, si një projekt të mirë dhe tha se fondet përdoren edhe për të mbuluar shpenzimet e funksionimit të pishinës. “Këto mjete i përdorni edhe për shpenzimet e funksionimit të pishinës së qytetit: për pagat e stafit, ujin, reagentët, analizat kimike dhe bakteriologjike të ujit, mirëmbajtjen teknike dhe energjinë elektrike”, tha Mitevski.

Në debat u propozua hapja e bisedimeve mes tri komunave. Mënyra e financimit dhe kushtet që do të duhej të plotësonin banorët e komunave fqinje për të marrë leje mbeten për t’u përcaktuar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat