Parandiloviq: Kosova i shërbeu Vuçiqit për pastrim parash

Lajme

Parandiloviq: Kosova i shërbeu Vuçiqit për pastrim parash

Më: 28 mars 2024 Në ora: 14:24
Millosh Parandiloviq

Deputeti i koalicionit Serbët kundër dhunës dhe kryetari i partisë Fytyra e Re e Serbisë, Millosh Parandiloviq, tha se pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë epilog, siç tha ai, i politikës katastrofike dhe të gabuar të Aleksandar Vuçiqit drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Parandiloviq tha për agjencinë Beta se është e paprecedentë që “një pjesë e territorit të një vendi të pranohet në Këshill të Evropës, por edhe se ‘shpërbërja dhe copëtimi’ i shtetit serb ka dekada të tëra.

“Kushtetuta e vitit 1974 përcaktoi në masë të madhe fatin e Kosovës. Kur shikojmë se çfarë kanë bërë autoritetet tona ndaj Kosovës në gjysmëshekullin e fundit, kjo që po ndodh tani është një pasojë logjike. Dhe vetëm Vuçiqi bëri më shumë për pavarësinë e Kosovës në 12 vitet e tij të pushtetit sesa të gjitha të mëparshmet së bashku”, tha ai.

“Vuçiqi ia dorëzoi Prishtinës policinë, gjyqësorin, energjetikën, telekomunikacionin, kodin e zonës dhe në veri hoqi targat dhe ua la pushtetin lokal shqiptarëve. Pas 12 vjetëve të sundimit të Vuçiqit, sot Serbia ekziston në Kosovë vetëm me besimin tonë se është pjesë e territorit tonë”, ka vlerësuar Parandiloviq, raporton N1info.

Sipas tij, Kosova i shërbeu Vuçiqit për pastrim parash dhe tregti me bashkësinë ndërkombëtare për të qëndruar në pushtet.

Ai tutje shtoi se gjurmët e shtetësisë serbe në Kosovë janë shkatërruar nga ekipi i viteve nëntëdhjetë, Millosheviqi, Shesheli e Vuçiqi!

“Ne pësuam disfatë në Kosovë”, shtoi ai, “për shkak të trashëgimisë komuniste dhe Aleksandar Vuçiqit, i cili vepron si komisar komunist”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat