Thaçi thotë se Kurti po ndërhyn në Maqedoni për shkak të vendimeve të vështira për Kosovën

Lajme

Thaçi thotë se Kurti po ndërhyn në Maqedoni për shkak të vendimeve të vështira për Kosovën

Më: 15 prill 2024 Në ora: 22:18
Menduh Thaçi

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po implikon “maqinerinë” e tij në Maqedoninë e Veriut.

Madje Thaçi tha se fillimisht ai kishte menduar se implikimi i Kurti kishte të bënte me pakënaqësitë e tij me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.

“Deri para disa kohe kam menduar se kjo është një hamendësim i kryeministrit apo një pozicion, një performancë, është i pakënaqur me të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë kjo do të ishte  krejt legjitime dhe korrekte, mirëpo më pastaj kur vërejta implikimin e maqinerisë së tij se unë jam politikan me përvojë, vërejta se janë qëllimet të tjera. Pa i thënë ai vet cilat janë qëllimet, kuptohet se të mijat do të quhen subjektive, po do të mundohem që sa më afër realitetit objektiv të jenë”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit”.

Sipas të parit të PDSh-së, Kurti po mundohet që me implikimet në Maqedoninë e Veriut të tërheqë vëmendjen prej momenteve të vështira të vendimmarrjes të cilat e presin Kosovën.

“Mendoj se qëllimi i parë është pa hezitim e them, tërheqja e vëmendjes prej Kosovës për shkak se Kosovën e presin momente të vështira të vendimarrjes. E në kuadër të këtyre momenteve të vendimmarrjes të vështira si çdo politikan me përvojë, do të tentonte që vëmendjen dhe fokusin ta bartë dikun tjetër. Çështja e dytë prap them me hamendësim, pa u deklaru ai  vet, mund të jenë raportet e mira me krahun e luftës në Kosovë që ka zoti Ahmeti por edhe unë. Edhe pse unë nuk i pranoj si raporte partiake, do të vazhdoj t’i quaj si raporte të një momenti historik. Ndërhyrja me kaq brutalitet e ashpërsi e Albin Kurtit në zgjedhjet në Maqedoni, shkon paralelisht me ndërhyrjet e Rusisë që bënë në Bosnje, Mal të Zi, e Maqedoni”, shtoi më tej Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat