Burgu mund t’i presë edhe anëtarët e thjeshtë të grupeve në Telegram që keqpërdorin foto intime

Lajme

Burgu mund t’i presë edhe anëtarët e thjeshtë të grupeve në Telegram që keqpërdorin foto intime

Më: 24 prill 2024 Në ora: 20:14
“AlbKings”

Sulmi që mori grupi “AlbKings” nga Polica e Kosovës, të cilët shpërndanin foto intime të grave shqiptare me qellim denigrimin e figurave të tyre, nuk i zhduku ata.

Në fakt ata ndërruan vetëm aplikacionin dhe u krijuan grupe të reja nën emrat “Shqip King”, “Shqipet87”, “JOQ Anglia Channel”, ku në total numri i abonentëve të tyre rrumbullakon numrin e abonentëve të “AlbKings”, i cili po hetohet nga Policia e Kosovës.

Të frikësuar për mundësinë e kapjes nga policia, ata u zhvendosen në “Nicegram”, i cili është degë e Telegramit, por konsiderohet me më shumë siguri në aspektin e gjurmimit dhe privatësisë.

Mentor Hoxhaj, i cili është njohës në fushën e krimeve kibernetike, ka theksuar se aplikacionet e tilla janë vështirë të gjurmueshëm sidomos nëse janë të personave apo kompanive të shteteve jodemokratike, me të cilat Kosova nuk ka raporte të mira.

Sipas Hoxhajt, aplikacione të tilla japin mundësinë e qëndrimit në anonimitet të plotë për shfrytëzuesit.

Ai ndër tjerash bën thirrje për kujdes të të gjithë atyre që janë pjesë e këtyre grupeve, numri i të cilëve është i madh, ngase një ditë lehtësisht mund të jenë objekt i hetimit nga drejtësia.

Në parim, aplikacioni Nicegram është krijuar për të lehtësuar komunikimin, pasi ky aplikacion mund të veprojë edhe me internet jostabil dhe të ofron siguri më të madhe në privatësi.

Diamant Bajra, njohës i rrjeteve sociale, thotë se ajo që aktualisht mund të bëhet për mbylljen e këtyre faqeve është që vetë anëtarët e saj ta raportojnë atë, në mënyrë që Nicegrami ta shqyrtojë si opsion mbylljen e tyre, për shkak të përmbajtjes jolegale.

Edhe në të kaluarën, sipas Bajrës, ka pasur grupe të tilla, të cilat kanë funksionuar si “dark ueb”, të cilat janë përdorur kryesisht për veprimtari të jashtëligjshme.

Ai është i mendimit se janë njerëzit e njëjtë, veçse tash përdorin Telegramin dhe Nicegramin për shkak të sigurisë në gjurmim dhe privatësisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat