Maltretim i të burgosurve deri në alivanosje - Dosja e Prokurorisë për ish-drejtorin e Burgut në Prishtinë dhe dy ish-gardianët

Lajme

Maltretim i të burgosurve deri në alivanosje - Dosja e Prokurorisë për ish-drejtorin e Burgut në Prishtinë dhe dy ish-gardianët

Më: 15 maj 2024 Në ora: 11:54
Foto ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 13 maj 2024 ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër tre të pandehurve Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Ljubomir Çimburoviç akuzohet se si drejtor i burgut të Qarkut në Prishtinë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, gardianë të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan dhe tashmë të akuzuarin Dragisha Milenkoviq, gardian i Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë luftës, ka qenë gjatë gjithë kohës në dijeni dhe se nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndaluar veprimet e gardianëve dhe nuk i kishte raportuar këto veprime në hierarki.

Aktakuza thotë se gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, gardianët në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i u shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Në aktakuzë thuhet se Çimburoviç, në cilësi të drejtorit të burgut të Qarkut në Prishtinë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht nga data 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në paralelen e Burgut të Prishtinës në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve gardianët Predrag Bradiq, Milivoje Iviq dhe tashmë të akuzuarin gardianin Dragisha Milenkoviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga burgu i Dubravës në burgun në Lipjan, ka qenë gjatë gjithë kohës në dijeni dhe kishte qenë prezent dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për t’i ndaluar gardianët dhe nuk i kishte raportuar këto veprime në hierarki.

Sipas aktakuzës, fillimisht gardianët kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, ashtu që i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë, dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.

Me këtë, Çimburoviç akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), e inkriminuar tani sipas nenit 144, 145, 146 dhe 147 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, në cilësinë e gardianëve të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve, drejtorin e Burgut të Qarkut në Prishtinë, Ljubomir Çimburoviç dhe gardianin e Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, Dragisha Milenkoviq, ngarkohen se në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, ashtu që i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë,

Në aktakuzë thuhet se Bradiq dhe Iviq, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht nga 24 maji 1999 deri më 10 qershor 1999, në paralelen e Burgut të Prishtinës në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me Çimburoviç dhe Milenkoviq, ngarkohen se pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë, nga burgu i Dubravës në paralelen e Burgut të Prishtinës në Lipjan, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore, duke iu shkaktuar lëndime, dhunë psikike dhe lënë pa ngrënë me ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë, dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.

Më këtë, Bradiq dhe Iviq ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, e inkriminuar tani sipas nenit 144, 145, 146 dhe 147 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat