Disa dilema të një vepre me vlerë

Libra

Disa dilema të një vepre me vlerë

Nga: Feti Tunuzliu Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 16:57
Prof.Dr. Ismet Salihu autori i librit "Leksikon i së drejtës penale"

Me të dalë n’qarkullim libri i prof. dr. Ismet Salihu “Leksikon i së drejtës penale (në vijim: Leksikoni) kah fillimviti (2022) e bleva një ekzemplar të tij. Kureshtja ishte aq e madhe, sa nuk mund të mos e filloja leximin sakaq të cilin e përfundova kohë më parë. Gjatë tërë kohës më ka përcjellë ndërdija veçanërisht për vullnetin suprem të profesorit tim të së drejtës penale që iu kishte përvesh një pune sfiduese e të stërlodhshme pak para moshës 74 vjeçare të cilën e kishte përmbyllur në moshën 78 vjeçare. Këto rrethana, pse jo edhe kënaqësia e madhe që po sjellte frytin ku kishte derdh përvojën e punës së vet për t’iu dhënë të tjerëvë, e bën të veçant këtë dijetar. Së këndejmi, si t’mos admirohet entuziazmi, energjia, përkushtimi dhe durimi që i kishte shpërfaqë autori gjatë prurjes më të re në vazhdën e prodhimtarisë së tij intelektuale.

I cytur nga kërshëria profesionale dhe i mbështetur në përvojën gjyqësore e prokuroriale tri dekadëshe nuk munda të përmbahem dot e t’mos vendosi që t’i qasem këtij opinioni, ndonëse nuk synoj t’i vlerësoj aspektet shkencore të Leksikonit, siç do rezultoi më poshtë. Ndaj, megjithë vogëlsinë time përball një figure markante, siç njihët prof. dr. Ismet Salihu, nuk dua të kursehem nga artikulimi i pikëpamjeve të mia solide profesionale domosdoshmërisht të sinqerta lidhur me Leksikonin e specializuar, siç e quan autori tekstin e vet. E këtu do aspiroj që të prezentoj në mënyrë shumë transparente, direkte dhe konkrete gjurmët që për një kohë të gjatë m’i ka lënë në ndërgjegjën profesionale përmbajtja e veprës së fundit të autorit Salihu. Këto gjurmë, veç tjerash, ndërlidhen edhe me ate se autori sa ka arritur t’ua bëjë të lehtë e të qartë juristëve që të kuptojnë, interpretojnë dhe implementojnë, siç pretendon ai, shpejt, lehtë dhe saktë, ndonjë term, nocion dhe institut të së drejtës penale dhe shkencave jopenale në praktikën gjyqësore, prokuroriale, avokatore, policore, penitenciare, etj. Fundja, ky publikim dinjitoz që pau dritën qe nëntë muaj, vijimësisht është nën thjerrëzën e kritikës publike gjë që nuk duhet mungoi. Përkundrazi. Duhet mbështetur dhe kultivuar dashamirësisht. Këtej, mendimet e mia dhe të të tjerëve, shpresoj që autori do t’i pranoi si qëllimmira, në sensin e shprehjes së lirë të mendimit.

Rrjedhimisht, të formuluara pa vetëpërmbajtje por me gjithë siklet, mendimet e mia i quaj mbresa të pastra subjektive të karakterit thjeshtë profesional që i atribuuohen drejtpërdrejt drejtësisë penale me çka jam përballur gjatë studimeve. Ndërsa studimet katërvjeçare më kanë mundësuar të fitoj dijeni dhe kulturë profesionale juridike – në njerën anë, ushtrimi i funksioneve prej gjyqtari penalist dhe prokurori publik, përkatësisht të shtetit – në tjetrën anë, më kanë mundësuar zbatimin e njohurive solide teorike penale dhe fitimin e shprehive të caktuara për të përvetësuar përvojën juridike penale.

Por, si ta shpjegoj kurojon që m’shoqëroi gjatë përpilimit të këtij shkrimi. Kam bindjen se vendosmëria dhe gatishmëria që t’mos i trembem rreziqeve dhe vështirësive kombinoheshin me ethe për disa arsye, posaçërisht për faktin se autori i Leksikonit është regjur me hartimin e veprave universitare e shkrimeve profesionale, ndërkohë që, ka rastisur të jem njëri ndër ish-studentët e Tij tek i cili kam dhënë provimin në vitin e dytë e të largët akademik 1974/75.

Nuk pretendoj dot se në këtë shkrim kam trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse termat, nocionet dhe institutet e së drejtës penale të përfshira në Leksikon nga këndi shkencor në cilësinë e eseistit përmes artikulimit të qëndrimeve të mia me ndonjë notë të thellë subjektive. Në fakt, pavarësisht sipërthënave dhe respektit ndaj profesorit të çmuar, vetëm kam shkoqitur dhe trajtuar me gjuhë neutrale disa terma, nocione dhe institute të përzgjedhura në Leksikon. Pra, pa aparaturë shkencore por edhe pa fjalë e përsiatje emocionale.

Image "Leksikon i së drejtës penale"

Poashtu, nuk pretendoj dot se këtu kam studiuar termat, nocionet dhe institutet e së drejtës penale nga këndvështrimi i recensuesit shkencor përmes artikulimit mediatik të mendimit tim kritik. Në fakt, botimi i Leksikonit, u është kumtuar lexuesëve përmes emisioneve televizive, gazetave, portaleve dhe depozitimit nëpër librari, biblioteka, … Kësisoj, Leksikoni vazhdon të jetë target vlerësimi dhe gjykimi të kritikës.

Mëtej, nuk pretendoj të kem studiuar termat, nocionet dhe institutet e së drejtës penale as nga pikëpamja e studiuesit shkencor përmes kumtimit të përfundimeve të punës gjurmuese në mënyrë të gjithanshme. Para se t’i qasem këtij shkrimi, kam gjurmuar, siç thash, vetëm një rreth të kufizuar termash, nocionesh dhe institutesh të së drejtës penale dhe procedurale të përfshira në këtë vepër që ka vlerë të posaçme.

pretendoj as të kritikoj Leksikonin, përkatësisht autorin e tij përmes përpjekjeve që të depërtoj shkencërisht në thelbin e çështjeve penale që i ka trajtuar në Leksikon. Këtej, kam mëtuar t’i analizoj profesionalisht, duke identifikuar objektivisht e me vigjilencë një numër të kufizuar termash, nocionesh dhe institutesh penale n’raport me kodet penale kosovare, nëse përkojnë apo jo me përkufizimet dhe domethëniet e këtyre kodeve aktuale.

Këku nuk merrem as me kritika të autoriteteve shkencore sikundër që nuk merrem as me shënime bibiliografike e as me faktografi, siç bën kritika shkencore.

I lindur në Ferizaj (1944) ku kreu shkollën e mesme ekonomike, Ismet Salihu pasi diplomoi në Fakultetin juridik-ekonomik në Prishtinë (1967) u zgjodh gjyqtar në Gjykatën Komunale në Ferizaj e pastaj asistent i lëndës E drejta penale në të njejtin Fakultet. Magjistroi në Fakultetin Juridik në Zagreb (1970), doktoroi në ate të Lubjanës (1982), ndërsa studimet e postdoktoratës i vijojë në Sorbonë - Paris (1987).

Ishte: docent i lëndës E drejta penale në Fakultetin Juridik në Prishtinë (1971); profesor inordinar (1983) dhe ordinar (1988). Ligjëroi Të drejtën Ndërkombëtare penale (1996).

Ishte: anëtar i grupeve për hartimin e këtyre ligjeve e kodeve: Ligjit penal të Kosovës (1975-1977), Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës (2003), Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPK - 2019), Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPK - 2003, 2008, 2012), Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale (2010), etj.); Kryetar i Shoqatës për të Drejtën Penale dhe Kriminologji të Kosovës (1988-1990); Kryeredaktor i revistës “E drejta” (1987-1995); Bashkëpunëtor profesional në Zyrën Ligjore të UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës (2000-2005); anëtar i Komisionit për lirim me kusht (2005-2007); Sekretar Shkencor i Institutit të Hulumtimit të Krimeve të Luftës (2011-2018).

Prof. dr. Ismet Salihu shkroi: - Vrasjet në Kosovë (1985) dhe i prurjeve akademike e universitare (nonografi): E drejta penale – Pjesa e veçantë (2014); i Komentarit të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (2014, bashkautor dhe coordinator); Personat e zhdukur gjatë Luftës në Kosovë (2015, monografi); E drejta penale – Pjesa e përgjithshme (2015); E drejta penale ndërkombëtare (2016); E drejta penale për të mitur (2018), shumica e të cilave janë ribotuar. Mban autorësinë e dhjetëra shkrimeve publicistike: studimeve, artikujve, recensioneve, paraqitjeve në kongrese, konferenca e simpoziume shkencore në shkallë kombëtare e ndërkombëtare; panelist i ngjarjeve promovuese me kumtesa, referate, diskutime, intervista, anëtar i Zyrës ligjore të UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës (2000-2005) dhe ish-Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (2011-2018), etj.

Lidhur me historikun e krijimtarisë intelektuale të kryeprotogonistit tonë, të themi se një publikim i Universitetit të Prishtinës, Fakultetit juridik-ekonomik (shtator, 1971) që shenonte një dekadë nga themelimit i Fakultetit juridik-ekonomik në Prishtinë (1961-1971), në fq. 88-89, konfirmon se mr. Ismet Salihu, docent, mban autorësinë e shkrimit: “Disa aspekte sociologjike të vrasjeve nga motivet e gjakmarrjes”, datë 17.10.1970 në të përditshmën “Rilindja” të Prishtinës. Sipas kësaj që sapo u tha, ky artikull qe botuar pak kohë para mbrojtjes së temës se magjistraturës nga ai në dhjetor 1970: “ Vrasjet nga gjakmarrja si relikt i Kanunit të Lek Dukagjinit, me vështrim të veçantë në praktikën gjyqësore në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë dhe në Gjykatën Supreme të Kosovës”. Ka të ngjarë që ky artikull shenon aktin nismëtar të profilit krijues të autorit të Leksikonit i cili ka lënë gjurmë të mirëfillta në fushën e drejtësisë penale.

Ndërsa shfletoja Leksikonin hasa këtë strukturë përmbajtësore të tij: Parathenie; Autori dhe Vepra: Hyrje në Leksikonin e se Drejtës Penale; Leksiku (prej A-ZH); Literatura dhe së fundi Ligjet dhe burimet tjera të shfrytëzuara.

Mbase nuk është e zakonshme për natyrën e këtyre shkrimeve që në to të analizohen të gjitha pjesët përbërëse të librit, do i lejoj veti që fillimisht të rikujtoj lexuesin me disa citate të pjesëve integrale të Leksikonit e pastaj do reflektoj duke i jap shpalosur përshtypjet e mia për to.

Që në rreshtin e parë të Parathënies, autori e cilëson Leksikonin si “i pari i këtij lloji në Kosovë” dhe shton se, sipas njohurive të tij, në Shqipëri “ende nuk është botuar një leksikon i këtille”. Tutje, vazhdon ai, Leksikoni i dedikohet gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, policëve dhe zyrtarëve tjerë që kanë nevojë për të dhëna të shpejta e të sakta nga e drejta penale.

Sipas autorit, gjatë punës përtej katër vjeçare, në Leksikon ka shkri përvojën e profesorit universitar të së drejtës penale dhe dijenin modeste të drejtësisë penale. Për rrjedhojë, ka hedhur në Leksikon fondin prej afro 2.800 termave, nocioneve dhe instituteve që pasqyrojnë të drejtën penale (materiale e procedurale), të drejtën penale ndërkombëtare, të drejtën penale të të miturëve, Kriminologjinë, Penologjinë, Viktimologjinë, Kriminalistikën, Politikën kriminale, Mjekësinë ligjore, Psikiatrinë gjyqësore dhe Psikologjinë. Korpusi i termave, nocioneve dhe instituteve të inkorporuara në Leksikon janë shpjeguar në variantin e gjërë dhe të shkurtër, varësisht nga rëndësia praktikë e tyre, sqaron autori.

Autori sqaron se aty gjenden edhe sentenca latine dhe fjalë në kuptim informatash apo referencash të fushave të përafërta me fushën penale. Priret kah mendimi se Leksikoni, “ka tiparet e enciklopedisë nga lami penal-juridik” me shpjegime edhe për gjykatat ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të Hagës (“Gjykatën Speciale”). Leksikoni ka trajtuar veprat penale duke iu referuar Kodit penal në fuqi të Republikës së Kosovës (2019), shprehet ai.

Përmes shpjegimeve të dy apo më shumë termave konkrete penale, sipas autorit, është përpjekur që fjalët e shprehjet të gjenden në formë të lehtë e të shpejtë, jo vetëm për komunitetin e juristëve. Ndërsa, kur janë paraqitur shpjegime të pamjaftueshme apo kur termat e caktuar lidhen me ndonjë term a institucion tjetër, thot ai, është përdorur fjala “shih” si udhëzim për konsulta gjegjëse.

Veç literaturës (në gjuhët: shqipe, kroate, sllovene, serbishte, maqedonishte dhe frengjishte) ka shfrytëzuar edhe aktet ndërkombëtare dhe veprat nga opusi i vet krijues.

veçanërisht Ministrinë e Drejtësisë për financimin e botimit të Leksikonit dhe Nexhmi Rexhepin, ish-studentit të tij, tani koleg, mik i ngushtë dhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ndihmën e “konsiderueshme emocionale dhe profesionale”.

Fare në fund të Parathënies, autori shpreh edhe gatishmërinë për pranimin kritikave, vërejtjeve e sugjerimeve qëllimmira që ribotimi eventual të jetë i përmirësuar.

Duke shkuar gjurmëve të historisë së çështjes së leksikografisë penale në shqipe, rmund të themi se është prof. dr. Ismet Salihu, i pari autor shqiptar që përvjeli mëngët në tavolinën e praktikës së leksikografisë penale në Kosovë e më gjërë dhe hartoi Leksikonin e së drejtës penale. Gama e termave, nocioneve e instituteve penale prej 2.800 sish dhe shpjegimet e shpalosura në versionin e tij shpërfaqin kuintesencën e këtij produkti shkencor, profesional, leksikor, sintagmatik dhe semantik.

Në fq. 2 të Leksikonit, Mr. Nexhmi Rexhepi figuron në pozitën e Redaktorit, ndërkaq, në fq. 7. titulli:” Autori dhe vepra: Hyrje në Leksikonin e së drejtës penale që pasohet me tekstin deri kah fundi i fq. 8 ku figuron titulli tjetër:“Vepra: udhërrëfyes në shtegun e së drejtës”, që pasohet me tekstin deri në fq. 11. ku pas përfundimit të tekstit, figurojnë të dhënat: “Prishtinë, janar 2022, më tutje, Nexhmi Rexhepi”.

Në pjesen e parë (fq. 7-8), Nexhmi Rexhepi, thot se prof. dr. Ismet Salihu është autor i Leksikonit të së drejtës penale, të “veprës së një natyre antologjike”, “një vepër jetësore”, “një gramatikë universale e së drejtës penale në gjuhën shqipe”. Gjatë punës disa vjeçare në këtë Leksikon, vijon ai, e shoqëronte shqetësimi nëse do arrijë apo jo të përfundonte së hartuari të njejtin shkaku i pandemisë “Covid-19”.

Tek profili i prof. Ismet Salihu shkrihet “misionari dhe akademiku” me që ishte ndër ata profesorë që kishin “fatin historik dhe përgjegjësinë jetësore ta themelojnë, zhvillojnë ruajnë dhe mbrojnë Universitetin e Prishtinës”, ndërkohë që, vazhdon Rexhepi, prof. dr. Ismet Salihu nuk iu nda as kontributit “shtetformues e kulturor”.

Prof. Ismet ishte pjesë e grupit që hartuan: Ligjin penal të KSA të Kosovës (1977), Kodin e Përkohshëm Penal të Kosovës (2004), dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës (2010), vëren Rexhepi.

Rexhepi tutje thekson se prof. dr. Ismet Salihu, “mbi katër dekada” ishte profesor universitar i drejtësisë penale dhe “kaloi gjysmë shekulli në përpjekje për zhvillimin e fushës së drejtësisë penale”. Ndërkohë, vazhdon Rexhepi, prof. Ismeti shkroi veprat: “E drejta Penale – Pjesa e përgjithshme; E drejta Penale – Pjesa e posaçme; E drejta Penale Ndërkombëtare; E drejta Penale për të Mitur; Komentar i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, etj.”.

Prof. Ismet Salihu, studioi në Prishtinë, Zagreb, Lubjanë e Sorbonë. I përkiste ekipit të Rektorit Ejup Statovcit për organizimin e mbajtjes së mësimit universitar pas dëbimit të profesoratit dhe studentëve shqiptarë nga objektet universitare. Ishte Dekan i Fakultetit Juridik në Prishtinë viteve 1991-1996, saktëson Rexhepi.

Në këtë pjesë, Rexhepi e përshkruan takimin e ngrohtë të prof. Ismet (2016) me mentorin e tij të disertacionit të doktoratës dhe mikun, Lubo Bavcon, prof. i Fakultetit juridik të Lubjanës i cili e kishte quajtur “shumë të qëlluar” dhe i kishte dhënë mbështetje morale “tepër inkurajuese” për idenë e prof. Ismet “për një leksikon të së drejtës penale.

Në Pjesën e dytë (fq.8-11), Nexhmi Rexhepi thekson se Leksikoni synon për një leksik juridik sa më gjithëpërfshirës në funksion të të kuptuarit të nevojshëm e të domosdoshëm të “gramatikës” kardinale të fushës së drejtësisë.”

“Leksikoni përfshinë një spektër të gjërë të nocioneve, shprehjeve e instituteve nga fusha e gjerë e drejtësisë penale, nga disiplina të ndara, por të ndërlidhura, respektivisht nga fusha e se drejtës penale materiale dhe ajo procedurale, nga kriminologjia, kriminalistika politika kriminale, penologjia e viktimologjia por edhe nga disiplina të tjera humane të ndërlidhura me to”, vë në pah Rexhepi dhe vazhdon duke shtuar se “vepra sintetizon elementet thelbësore të gjuhës juridike penale, një gjuhë e cila u shërben nevojave lokale, por të ndërlidhur me çështjet universale që përbëjnë themelet e drejtësisë penale në përgjithësi dhe të drejtës penale në veçanti”.

Sipas Rexhepit, Leksikoni “është shumë i çmuar për ambientin e studimit e mendimit në Kosovë”. Një dimension me rëndësi në përmbajtjen e kësaj vepre, sipas Rexhepit, është “trajtimi i institutive të së drejtës penale në kuadër të së drejtës penale ndërkombëtare”.

Pos “shpjegimeve thelbësore që burojnë nga gjuha normative dhe doktrinare e së drejtës penale në kuptimin e gjërë”, Leksikoni, sipas Rexhepit, përfshinë edhe “nocione e koncepte tipike për disiplinat tjera të ndërlidhura me hulumtimin, studimin, luftimin dhe parandalimin e krimit … dhe ”shpjegime që lidhen me “fenomene socio-kulturore, psikologjike dhe politike-sociale”.

Rexhepi shton se “Leksikoni është shkruar “mbi bazën e teknikave leksikografike moderne, duke ndjekur praktika e shembuj të vendëve evropiane” dhe të përvojës së autorit si profesor dhe ekspert të fushës së të drejtës penale.” Së këndejmi, “padyshim se mbetet një resurs shumë i vlefshëm për studentët, dhe studiuesit … gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe profesionistë tjerë”, përfundon Rexhepi.

Fjala e Nexhmi Rexhepi, vlerësoj unë, meriton një analize të thukët.

Në fund të tekstit të fjalës hyrëse figuron “Nexhmi Rexhepi”, pra, si autor, ndërsa gjithandej tekstit mungon epiteti i Redaktorit. Atëherë, parashtrohet pyetja, vallë, përnga përmbajtja e saj, fjala e Nexhmi Rexhepit mund të nënkuptohet, përkatësisht të barazohet apo jo me fjalën e Redaktorit, pozitë që i është besuar sipas fq. 2. të Leksikonit.? Unë personalisht kam përgjigje negative për këtë pyetje sepse një përmbajtje e tillë nuk e provon, nuk e reflekton këtë. Sipas këtij teksti, mendoj unë, provohet se i njejti nuk është përkujdesur posaçërisht për rritjen e cilësisë shkencore të Leksikonit, gjë që ka qenë detyrë e tij nëse mban pozitën e Redaktorit. Në fakt, veç lavdërimeve të shumta dedikuar veprës, nuk rezulton nëse Rexhepi ka përpunuar apo jo Leksikonin për t’ia dhënë formën finale para dërgimit në shtyp. Tutje, nën kushtin se kemi të bëjmë me fjalën e Redaktorit, parashtrohet pyetja vijuese, sipas një praktike editoriale është apo jo e drejtë që Parathënia e autorit të Leksikonit (fq. 5-6) të pasohet më Fjalën e Redaktorit (fq.7-11) duke ndërhyrë kështu (personi tjetër !) në strukturën e Leksikonit dhe më pas përsëri të kthehet autori për t’vazhduar me pjesët tjera përbërëse të Leksikonit. Mos do t’ishte më e drejtë që Fjala e Redaktorit t’i paraprijë Parathënies dhe pjesëve që pasojnë atë ?

Autori ka preferuar renditjen e disa termave njëfjalëshe dhe të termave dy apo me shumë fjalëshe (togfjalësha) të sanksionuara me kode penale – materiale e procedurale dhe jo vetëm. Por, duket se s’ka arritur së qartësuari mjaftueshëm principet respektive të renditjes së tyre.

Ç’është e vërteta, gjatë gërmimeve tona nuk kemi arritur të mësojmë për principet udhërrëfyese të autorit kur p.sh. në kryeradhë, së pari ka renditur togfjalëshat pararendës alfabetikisht e në vijim, në kryeradhë ka renditur termat pasrendës që ndërlidhen me togfjalëshat pararendës. Gjykojmë se, renditja sipas kësaj teze – së pari togfjalëshat e më pas termat – pamundëson gjetjen e shpejtë, të lehtë e të saktë të termit apo togfjalëshit konkret nga ana e lexuesit, që, përndryshe, është synim i autorit. Ja disa shembuj:

Termi: Ankesa (fq. 32) renditet në kryeradhë si pasrendës i 4-të, pas 3 togfjalëshve: Ankesa ndaj aktgjykimit të shkallës së parë (fq. 31); Ankesa kundër aktvendimit (fq. 30) dhe Ankesa kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë (fq. 30); Termi: Bashkëkryerja (fq. 49) renditet në kryeradhë si pasrendës i 10-të, pas 9 togfjalëshve: Bashkëkryerja e domosdoshme (fq. 48); Bashkëkryerja e mëpasme (fq. 49); Bashkëkryerja fiktive (fq. 49); Bashkëkryerja jo e drejtë (fq. 48); Bashkëkryerja paralele (fq. 49); Bashkëkryerja sekondare (fq. 49); Bashkëkryerja suksesive (fq. 49); Bashkëkryerja te veprat penale të përbëra (fq. 49) dhe Bashkëkryerja te veprat penale me mosveprim (fq. 49); Termi: Dhuna (fq. 158) renditet në kryeradhë i 8-ti, si pasrendës i 7 togfjalëshve: Dhuna absolute (fq. 154); Dhuna fizike (fq. 154); Dhuna kompulzive (fq. 154); Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës; Dhuna ndaj të dënuarit (fq. 155); Dhuna në familje (fq. 156); Dhuna penalo-juridike (fq. 157) dhe Dhuna psikike (fq. 157).

Por, pa u mjaftuar me kaq, çuditërisht, nëpër kryeradhë autori ka renditur ngjashëm edhe të tjera terma e togfjalësha, p.sh.: Dënimi (fq.129) renditet në kryeradhë i 19-ti, pas 18 togfjalëshve; Krimi (fq. 369); renditet në kryeradhë i 5-ti, pas 4 togfjalëshve; Ndihma (fq.510) renditet në kryeradhë i 24-ti, pas 23 togfjalëshave; Paraburgimi (fq. 546); renditet në kryeradhë i 4-ti, pas 3 togfjalëshve; Rrezikimi (fq. 681), renditet në kryeradhë i 9-ti, pas 8 togfjalëshve, etj.; Togfjalëshi Kodi penal (fq. 324) renditet në kryeradhë i 8-ti, pas 7 togfjalëshve.

Ndryshe nga kjo renditje, gjatë shfletimit të Leksikonit syri m’i kapi disa terma të renditur nëpër kryeradhë si pararendës të togfjalëshve që pasojnë. Renditja leksike sipas kësaj teze do e quaja të drejtë ngase ofron mundësinë e gjetjes se shpejtë, të lehtë e të drejtë të termave ngat lexuesi kureshtar. Kështu, termi: “Azili” (fq. 44) i paraprinë togfjalëshave në fq. 45: Azili diplomatik; Azili eksterritorial; Azili i brendshëm dhe Azili territorial; Termi: “Kanosje” (fq. 291) pasohet nga 2 togfjalësha: “Kanosja e kandidatit” (fq. 292); Kanosja për përdorimin ose kryerjen e vjedhjes apo të grabitjes së materialit radioaktiv” (293). Termi: “Lajthimi” (fq. 388) pasohet nga togfjalëshat: “Lajthimi i kryerësit të veprës penale me subsumcionin” (fq. 388); “Lajthimi i personit zyrtar” (fq. 388); “Lajthimi juridik”, “Lajthimi juridik i drejtpërdrejt” dhe “Lajthimi juridik indirekt” (fq. 389) etj. dhe vazhdon me forma tjera të lajthimit deri në fq. 393. Termi: “Preventiva” (fq. 626) pasohet nga 4 togfjalësha pasrendës: “Preventiva e kriminalistikës” (fq. 626); “Preventiva e përgjithshme apo gjenerale” (fq. 626); “Preventiva gjenerale” (fq. 627); “Preventiva individuale” (fq. 627). Termi: “Vrasja” (fq. 893) pasohet me gjithsej 23 togfjalësha pasrendës prej fq. 882 (“Vrasja atruiste”, “Vrasja e anëtarit të familjes”, “Vrasja e femrës për të cilën kryerësi e di se është shtatzënë”, etj.

Ajo që bie në sy, gjithnjë sipas meje, përveç termave janë edhe disa togfjalësha që renditen pa ndonjë parim apo kriter, mendoj unë. Së këndejmi, as kjo renditje nuk i ndihmon lexuesit që të gjej shpejtë, lehtë dhe saktë çështjet që i interesojnë lexuesit. Kështu, togfjalëshi: Vrasjet e rënda (fq. 894) pasohet i 6-ti pas 5 togfjalëshave pararendës në kryeradhë: Vrasjet e kualifikuara; Vrasjet e privilegjuara; Vrasjet e rënda sipas mënyrës së kryerjes; Vrasjet e rënda sipas motiveve; Vrasjet e rënda sipas pasojave; Vrasjet e rënda sipas sjelljes, të kaluarës së mëparshme të dorasit; Vrasjet e rënda sipas vetive, karakteristikave të subjektit pasiv (të gjitha në fq. 893).

Do thënë se disa terma janë renditur nëpër kryeradhë midis togfjalëshve. As për këtë renditje nuk mësuam principet, përkatësisht kriteret leksikografike sipas të cilave është bërë renditja e këtillë, p.sh. termi: “Prova” (fq. 643) është futur në kryeradhë pas togfjalëshve pararendës: Prova reale, … në njerën anë dhe togfjalëshve pasrendës: Provë jo e plotë, … në tjetrën anë ! Së këndejmi, përsëri lexuesi nuk mund t’i gjej shpejtë, lehtë dhe saktë çështjet që e prokupojnë.

Mirëpo, duhet veçuar dhe mirëpritur faktin se autori, ka specifikuar format e fajit: dashjen dhe pakujdesinë si dhe nënformat e tyre. P.sh. në fq. 887 precizohet se vepra penale Vrasja e rëndomtë kryhet “me dashje direkte dhe eventuale”; Dhunimi kryhet “vetëm me dashje”; etj. (fq. 161); Nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore (fq. 528); Cenimi i të drejtës në ushtrimin e mjetit juridik (fq. 91) kryhen vetëm me dashje direkte. Mirëpo, për fatin e keq, këto shpjegime mungojnë për një numër të caktuar veprash penale, sepse krjon dilemën nëse kryhen me dashje a pakujdesi, p.sh.: Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike nga neni 268 të KPRK (fq. 633); Fshirja, heqja apo ndryshimi i shenjave në armë të zjarrit apo municion nga neni 365 të KPRK; Deklarata e rreme nën hetim nga neni 383 të KPRK (fq.105).

kanë pikësynim dhe për detyrë të fusin sa më shumë qartësi dhe saktësi leksike e kuptimore. Si një vepër me rrezatim të gjërë përdorimi, Leksikoni duhet të konsiderohet mision që shpie drejt një leksiku penal uniform dhe standard. Mirëpo, një vend të shenjuar në Leksikonin që tani më e kemi në duar, zënë edhe termat, nocionet dhe institutet procedurale penale, të themi problemore që nuk përputhen me leksikun ligjor të KPPRK dhe pasojisht krijojnë mëdyshje terminologjike e kuptimore. E tezat me të cilat devijiohet, përkatësisht me të cilat ofrohen zgjidhje të kundërta nga vokabulari i legjislacionit procedural penal në fuqi mund dhe duhet evituar, eliminuar dhe përjashtuar si të tillë. Kështu nuk i kontribuuohet respektimit të kritereve terminologjike të ligjeve pozitive penale. Në Leksikon nuk gjejmë argumentime përse veprohet ndryshe nga terminologjia e lansuar ligjore. Ndryshe, sa ia ka dal autori i këtij Leksikoni të dëshmoi në përgjithësi se është në mbrojtje të këtij misioni është çështje vlerësimi nga leksikologët e fushës së drejtësisë penale.

Në këtë kontekst, na magnetizojnë vëmendjen togfjalëshat: Shqyrtimi kryesor gjyqësor (fq. 758) dhe shqyrtimi kryesor (fq. 20, 21, 30, 514 etj.) që, fatkeqësisht, kanë zënë vend të qëndrueshëm në gjujhën e sotme procedurale penale edhpse nuk janë shprehje të përligjura me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK). Sa për t’u bindur, mjafton të lexosh vetëm titujt e disa neneve të KPPRK, p.sh.: neni 285 (Caktimi i shqyrtimit gjyqësor); neni 286 (Vendi i mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor); neni 287 (Personat e thirrur në shqyrtim gjyqësor); neni 288 (Kërkesat e caktimit të shqyrtimit gjyqësor), etj. për t’u bindur se KPPRK ka hequr këto dilema duke përligjur togfjalëshin: ”shqyrtimi gjyqësor” (hiq nenin 123 !). Kësisoj, automatikisht shpërligjet termi: “kryesor”, përkatësisht togfjalëshi: “shqyrtimi kryesor”. Prandaj, me që këto togfjalësha nuk përkojnë me normën penale procedurale por me leksikun, të themi ashpër - të përdhosur, as nuk duhet vazhduar me praktikimin e këtij ndërtimi sintaksor.

Tutje, me bën përshtypje pikërisht përdorimi i cilësorit të paligjshëm: dënues (aktgjykim dënues) që e ndeshim në Leksikon (fq 21) dhe në teorinë e praktikën juridike penale dhe media në Kosovë. Ky term bie ndesh me cilësorin e terminologjizuar: fajësues (aktgjykimi fajësues) që e sanksionon neni 365 i KPPRK. Andaj, vetëkuptohet që nuk duhet lejuar anashkalimi i gjuhës penale ligjërisht të sanksionuar dhe lehtësisht të vazhdohet me avazin e vjetër duke përdorur termin joligjor: “dënues” në vend të termit ligjor: “fajësues”.

Nuk e kam idenë më të vogël se si i ka shpëtuar autorit edhe përdorimi i togfjalëshit: “shpallet i pafajshëm” (fq. 22) që është lansuar në publicistikën penale procedurale të shkruar dhe elektronike dhe çuditërisht vazhdon së përdoruri dendur. Po të kundrohet strikt nga këndi i KPPRK në fuqi, del kristalisht qartë se togfjalëshin e ekspansionit medial “shpallet i pafajshëm” ligjdhënësi ynë nuk e përdor fare në KPPRK. Këtej, ky togfjalësh, thënë vrazhdë, na del si - përdhunim sintaksor për çgjë duhet pushuar së përdoruri në gjuhën penale të shkruar dhe të folur. Pra, nuk duhet të shkaktojë kurrfarë hezitimi.

Ç’është e vërteta, me një shikim të kujdesshëm, shohim se KPPRK në nenin 364 ka lansuar togfjalëshin procedural “aktgjykim lirues” me të cilin i akuzuari lirohet nga akuza nëse plotësohet njeri prej tri kushteve alternative të parashikuara në këtë nen. Sipas leksikut të përligjur me KPPRK del në pah fare qartë se me aktgjykimin lirues i akuzuari lirohet nga akuza - nuk shpallet i pafajshëm (!). Gjithnjë sipas KPPRK, termin shpallje, KPPRK ia atribuuon aktgjykimit si akt formal juridik i cili “merret dhe shpallet” (nenet: 366 dhe 367) në emër të popullit (neni: 359).

Tutje, Leksikoni përmban togfjalëshin: aktgjykimi liberal (fq. 21) që sipas shpjegimit të dhënë është lloj aktgjykimi me të cilin: “i pandehuri lirohet nga aktakuza”. Ndërkaq, në kryeradhën në vijim, vërejmë togfjalëshin “aktgjykim lirues” (fq. 21). Zbërthimi i këtij togfjalëshi, udhëzon në togfjalëshin e KPPRK “aktgjykimi me të cilin i akuzuari lirohet nga akuza”, përkatësisht në áktgjykimin lirues” (neni 364) si togfjalësh i përligjur procedural penal. E togfjalëshi: Akgjykimi me të cilin i akuzuari lirohet nga aktakuza – renditet në kryeradhën vijuese (fq. 21).

Mendoj se është një konfuzion leksik dhe konceptual i këtyre tri llojeve të aktgjykimeve (liberal; lirues dhe aktgjykimi me të cilin i akuzuari lirohet nga aktakuza) të përmendura në Leksikon në raport me formulimin e dhënë në nenin 365 të KPPRK të cilit nen, për habinë tonë, nuk i atribuuohet fare autori i Leksikonit !

Kështu, sipas Leksikonit (fq. 21), me aktgjykim liberal - i pandehuri lirohet nga aktakuza, ndërsa me aktgjykim lirues - i akuzuari lirohet nga akuza. Dilemë shkakton fakti se ku qëdron theksi, poenta veç e veç e termave brenda këtyre togfjalëshve (i pandehuri, i akuzuari, aktakuza, akuza) !

Më tej, derisa në Leksikon theksohet shprehimisht: “Në procedurën penale gjithashtu mund të ekzistojnë këto akte akuzuese: 1) “Kërkesa për zhvillimin e hetimit”; 2) “propozimi për ngritjen e drejtpërdrejtë të akuzës; 3) akuzimi; 4) “propozimakuza”; 5) padia private; 6) “Kundërpadia” (fq. 23), megjithatë, në KPPRK sanksionohen vetëm dy sish: akuzimi (lexo: aktakuza, nenet: 241 242, 243, etj.) dhe padia private (lexo: propozimi i të dëmtuarit, nenet: 6, 49, etj).

Në vijim le ta sjellim në vëmendjen e lexuesit shpjegimin e dhënë në Leksikon për termin Hetimi (fq. 270) ku thuhet tekstualisht: “Hetimi është fazë paraprake e procedurës penale e cila shprehet me kërkesën e prokurorit të autorizuar në bazë të vendimit për zhvillimin e hetimeve ndaj personit të caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale.” Nocioni i hetimit, mendoj unë, sipas Leksikonit sikur është konfuz nëse i referohemi KPPRK sepse krijon mëdyshje.

Kështu, faza e hetimit, që Leksikoni e quan: faza paraprake (fq. 270), renditet e para dhe pasohet me tri faza të tjera sipas KPPRK (neni 687). Por është e paqartë pjesa e fjalisë në Leksikon që në vijim thotë se kjo fazë “shprehet me kërkesën e prokurorit të autorizuar në bazë të vendimit për zhvillimin e hetimeve” dhe gjyqtari, prokurori i shtetit, etj. vehen para dilemës: nëse “faza paraprake” (pra, hetimi) fillon kumulativisht: edhe me kërkesë (formale) prokuroriale edhe me (akt)vendim (formal) prokurorial !? apo fillon alternativisht - ose me kërkesë formale prokuroriale ose me vendim formal prokurorial ! Por, fatmirësisht, këtë hezitim e eviton prerazi KPPRK, ku thuhet: “Hetimi fillohet me aktvendim të prokurorit të shtetit” (neni 104).

E kam të ngulitur në mendje se Leksikoni e përsërit thënien që prokurori i shtetit kërkon zhvillimin e hetimit dhe ngrit propozimakuzes (fq. 639) sepse këtë e bën për herë të dytë, duke rënë ndesh me KPPRK (nenet: 240, 242, 243, etj) dhe të Ligjit të Prokurorit të Shtetit nr. 03/L-225 (neni 7) sipas të cilave zgjidhet dilema qartë se: prokurori i shtetit nuk kërkon hetim por zbaton hetimin dhe nuk paraqet propozimakuzues por aktakuzë !

Ndërkaq, përfundimi i fjalisë në Leksikon (fq. 270), që i referohet togfjalëshit “dyshim i bazuar” nuk përkon me dispozitat të KPPRK sepse sipas KPPRK hetimi (“procedura paraprake”) nuk fillon për shkak të “dyshimit të bazuar” por për shkak të dyshimit të arsyeshëm (nenet: 101, 102 e 104 të KPPRK). Ndryshe, togfjalëshi “dyshimi i bazuar” sipas KPPRK është i rezervuar ekskluzivisht për dy lloj masash: e para - për Masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit (neni 88-93, etj.) dhe e dyta - për Masat e sigurimit të të pandehurit gjatë procedurës penale (nenet: 178-180, 183-185, etj.).

Se nuk barazohet përmbajtja kuptimore e togfjalëshit “dyshimi i bazuar” me ate të togfjalëshit “dyshimi i arsyeshëm” dhe heqet kjo mëdyshje fare, provohet qartë nga vet Leksikoni ku togfjalëshi: “Dyshimi i arsyeshëm” renditet ndaras në kryeradhën e fq. 146 nga togfjalëshi “dyshimi i arsyeshëm” që renditet në kryeradhën e fq. 147. në të cilat janë bartë përkufizimet tekstuale prej nenit 19 të KPPRK. Vetëm kalimthi të theksojmë se te “dyshimi i bazuar” ka më shumë gjasë që kryesi të ketë kryer veprën penale se sa te “dyshimi i arsyeshëm” dhe pikërisht “përmasa” e kësaj “gjase” dallon njërin dyshim prej tjetrit.

Sipas mendimit tim, as nocioni “i dyshuar” siç është zbërthyer në Leksikon nuk përkon plotësisht me përkufizimin e dhënë në KPPRK.

Sipas shpjegimit të Leksikonit (fq. 275) i dyshuar nënkuptohet “personi ndaj të cilit është filluar procedura penale, përkatësisht procedura paraprake …”. Kur e di se KPPRK ka një përkufizim ndryshe për këtë nocion nuk po mund të kem ngurimin as më të vogël që t’mos i referohem këtij përkufizimi (neni 19) që thot::“i dyshuari është personi … ndaj të cilit nuk është filluar hetimi”.

Në kuadër të këtyre shmangieve nga leksiku ligjor penal i KPPRK (Kapitulli XXI, nënkapitujt 5. dhe A.), në Leksikon ndeshemi edhe me një mjet të jashtëzakonshëm juridik që tani emërtohet: Kërkesa për rishikimin e procedurës penale. Termi aktual - rishikimi, (nenet: 418-428 të KPPRK) zëvendëson ish-termin – “përsëritje” (fq. 475 e Leksikonit) pavarësisht nëse këto dy terme janë apo jo sinonime, të barasvlefshëm kuptimësisht, megjithatë vetëm njëri (rishikimi) është në harmoni me leksikun aktual procedural penal. Mbi këtë bazë, mënjanohet dilema me përdorimin e ndërtimit gjuhësor të përligjur: Rishikimi i procedurës penale për t’iu shmangur termit – përsëritje, përkatësisht togfjalëshit të paligjshëm: Përsëritja e procedurës penale,

Tutje, kemi rastisur në një semantikë të paqartë në Leksikon që ka të bëj edhe me kompetencën lëndore (reale) të prokurorit të shtetit (“Procedurën ndaj të miturit mund ta fillojë vetëm prokurori për të mitur - fq. 631). Kështu në Leksikon, fillimisht thuhet: “Procedura mund të fillohet vetëm me kërkesën e prokurorit.”, gjë që nuk po u besoja syve. Që të bindesha se nuk e kisha gabim e rilexova, por mendimi më ngeli i pandryshuar. Ndërsa, më pas thuhet: “Prokurori i shtetit për të mitur me aktvendim mund të fillojë procedurë përgatitore”.

Për më tepër, në Leksikon ka dilema edhe për llojin e aktit formal me të cilin fillon procedura përgatitore ndaj të miturit, nëse është kërkesa apo aktvendimi !?

Por, neni 52 i Kodit të Drejtësisë për të Mitur (KDM) i eliminon ligjërisht këtë dilemë, këtë paqartësi formale procedurale në formën e plotë dhe të qartë me formulimin konciz: “Procedura përgatitore fillohet me aktvendim të prokurorit”. Pra - jo me kërkesë prokuroriale !

Në Leksikon mungojnë termat dhe togfjalëshat e së drejtës penale materiale me të cilat ndeshemi dendur, p.sh.: forca, deportimi, persekutimi dhe togfjalëshat: Bashkësia jashtëmartesore, Kufiri shtetëror. Këto dhe të tjera terma apo togfjalësha të pa përfshira në këtë Leksikon përbëjnë një fond termash, nocionesh e institutesh që mund të trajtohen me rastin e rihartimit (eventual) të një Leksikoni më të përshtrirë që do përplotësonte fjalësin e Leksikonit aktual pse jo edhe do i përmirësonte ato që duhen përmirësuar.

Togfjalëshat: Kodi i Hamurabit (fq. 319); Kodi penal i Bavarisë (1813), (fq. 319); Kodi penal i Francës i vitit 1791 (fq. 319); Kodi penal i Mbretërisë së Jugosllavisë ( fq. 322); Kodi penal i Napoleonit (1810), (fq. 323) dhe Kodin penal (fq. 324) gjenden të renditura (listuara) në Leksikon, por, çuditërisht, jo edhe togfjalëshi: Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Kosovës edhepse figuron si burim i veçantë i shfrytëzuar nga autori: “Kodi i procedurës penale i Kosovës”, (Gazeta zyrtare nr. 37, dt. 28 dhjetor 2012)” (fq. 909) !

Pena e autorit nuk ka futur në Leksikon as terma që përdoren dendur në praktikën gjyqësore e prokuroriale, p.sh. togfjalëshi: “dyshimi i bazuar mirë” që sipas nenit 19 të KPPK: “nënkupton ngritjen e aktakuzës. Posedimi i provave të pranueshme që do të bindtte një vëzhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur dhe që është kryer nga i pandehuri”.

E shkarazi të themi se sa është përpiluar në frymën e plotë e të drejtë të parimeve, metodave dhe teknikës leksikografike, përfshirë, p.sh. kriteret e përgjedhjes së termave e të togfjalëshve apo përafrimin me praktikën leksikografike europiane, fjalën e tyre mund ta thënë me kompetencë: leksikologët, leksikografët dhe terminologët e fushës penale.

Shembujt ilustrues të mësipërm janë tregues mjaft domethënës që provojnë shkeljet e leksikut të KPRK dhe KPPRK nga prakticientët dhe teoricientët për arsye nga më të ndryshme.

Tituj ligjesh, deklaratash, paktesh, konventash e statutesh që mbushin tri faqet e Leksikonit, (909-911) janë material i shfrytëzuar nga autori me çka ai ka projektuar këtë vepër.

Mirëpo, pothuajse shumica e titujve janë përsëdytur duke figuruar nga dy herë: p.sh. Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, Ligji nr. 04/L-015); Ligji penal i RSFJ-së, “E drejta,” nr. 3, Prishtinë, 1978 (fq. 909 dhe 910); Ligji për Dhomat e specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ligji nr. 05/L-0536 (fq. 910). Ngjashëm janë përsëritur edhe titujt: Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e OKB-së, 1948; Konventa e të Drejtave të Fëmijëve e OKB, 1989 e konventat tjera; Statuti i Tribunalit Ndërkombëtar për Gjykimin e personave përgjegjës për Cënime të Renda të së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare në Territorin e ish-Jugosllavisë, OKB, 25 maj 1993; Kodi doganor dhe i akcizave, Kodi nr. 03/L-109. Çka t’themi për togfjalëshin: Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike i OKB, 1966 i cili figuron katër herë në listë !

Ndryshe, për hartimin e Leksikonit autori është shërbyer edhe me të dala nga literatura tjetër: fjalorë, tekste universitare revista periodike, enciklopedi duke i interpretuar dhe analizuar ato.

Praktika bashkëkohore leksikografike dëshmon se leksikonet hartohen sipas disa kritereve dhe mund të jenë të shumëllojshëm. E sipas cilave kritere dhe cilit tip të Leksikonit i përket Leksikoni i prof. dr. Ismet Salihu: tipit të Leksikonit të vogël, të mesëm, të madh apo të një tipi mikst - me tipare të dy tipeve të Leksikoneve - nuk mund të dijmë sepse këto nuk janë specifikuar aty.

Në Leksikon, siç u pa, qet krye edhe pakuptimësia e metodikave të aplikuara veçanërisht gjatë renditjes dhe sistematizimit të termave, nocioneve e instituteve. Në fakt, kam përshtypjen se për këto autori sikur i ka mbetur borxh lexuesit për sqarime më të detajuara në kuptim të mënyrës së identifikimit e të diferencimit të qartë, “në formë koncize”, siç deklarohet ai. Në këtë udhë, do t’ishte interesante për lexuesin p.sh. shpalosja e arsyeve përse Leksikoni s’është titulluar: Leksikon enciklopedik i së drejtës penale apo Fjalor shpjegues i së drejtës penale, apo … ?!

Nga ky Leksikon nuk dihet se prurësi i tij - nga e ka vjel lëndën leksiko-frazeologjike e semantike të së drejtës penale, përkatësisht cili është brumi i gjuhës penale që i ka shërbyer atij për hartimin e Leksikonit ? Pra, nga shumësia e leksikoneve dhe fjalorëve pavarësisht gjuhëve - cili prej tyre ka shërbyer për model, nëse ka patur të tillë, që ta disenjoi Leksikonin. Rrjedhimisht, çfarë e dallon këtë Leksikon nga tipet tjera të leksikonëve të konsultuar.

Leksikoni nuk reflekton mjaftueshëm zhvillimet e fundit të leksikut penal, të semantikës leksikore, gjallërimit të fjalëve të reja dhe ngritjen e nivelit të qartësimit të tyre në drejtësinë penale kosovare. Duke pasqyruar traditën dhe risitë leksikore nuk kam gjetur shpjegime se leksiku tradicional me çfarë akti apo veprimi (teorik apo praktik) pushon së qenuni term apo togfjalësh teknik i së drejtës aktuale penale.

Ndonëse isha kurioz, megjithatë, nuk arritura të mësoj pothuajse asgjë rreth vështirësive me të cilat ishte përballur autori gjatë hartimit të Leksikonit dhe mënyrës së .tejkalimit të tyre. Shpjegimet e tilla do ishin me rëndësi të veçantë marrë parasysh posaçërisht dy rrethana: e para, mugesën e përvojës së autorit se sa dhe si është reflektuar në cilësinë e Leksikonit dhe e dyta, synimin e tij për t’qenë n’hap me leksikonet bashkëkohorë ngase edhe leksiku penal shqip zhvillohet, pasurohet e konsolidohet.

Mospërdorimi i duhur i shkurtesave (akronimeve) si mjete ndihëmse vështirson komunikimin e Leksikonit me lexuesin. Në Leksikon vihet re se disa shkurtesa janë të rëndomta, sidomos ato që përdoren dendur gjatë komunikimit profesional apo bisedor të kategorive të caktuara të përdoruesëve: gjyqtarëve, prokurorëve të shtetit, avokatëve, hetuesëve, etj. Kështu, do të shkurtoheshin togfjalëshat duke u zëvendësuar me disa shkronja: p.sh. Kodi Penal i Republikës së Kosovës (KPRK); Kodi i Drejtësisë për të Mitur i Republikës së Kosovës (KDMRK); Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës (KPPRK); etj. Në Leksikon janë përdor disa shkurtesa të mirënjohura pa përdorimin e togfjalëshve, ndonëse s’janë shqipëruar, p.sh.: UNMIK (fq. 242, 256, etj.), EULEKS (fq. 242, 256, etj.), KFOR, NATO (fq.246, 822, etj.) OKB (fq, 244, 245). Gjatë komunikimit ndërmjet kategorive të të juristëve përdoren edhe terma e togfjalësha latine që ruajnë formën tingullore dhe nuk i përshtaten sistemit fonetik të gjuhëve të ndryshme “të gjalla”. Ndërsa, disa shkurtesa janë përdorur paralelishtë me togfjalësha të plotë, p.sh. UÇK dhe Ushtria Çlirimitare e Kosovës (fq.243); KP dhe Kodi penal (fq. 355, 358, 812, 833, etj.) gjë që nuk ka logjikë dhe shpërfaqin primesa të një lloj tautologjie frazeologjike.

Tutje, do t’ishte interesant për lexuesin që në Leksikon të bëhej publik ndonjë citat nga recensionet apo konkludimet e recensuesve (prof. dr. Rexhep Gashi dhe Dr. Enver Buçaj) për t’mësuar lexuesi se si ka kaluar recensimi i Leksikonit me që i është nënshtruar procedurave të recensionimit profesional nga specialistët e fushës penale. Kësisoj, lexuesit i është pamundësua të mësoj shkurtimisht p.sh.: çfarë kanë vënë në dukje recensuesit; cili ka qenë mendimi i tyre kritik rreth përmbajtjes së Leksikonit; nëse kanë patur vërejtje a sugjerime; ku kanë konsistuar ato, cili ka qenë vlerësimi dhe rekomandimi i tyre për variantin përfundimtar.

Leksikoni do ishte më mirë i begatuar sikur mos t’i mungonin: Treguesi i shkurtesave, Përmbajtja me tituj e nëntituj dhe nr. e faqeve që mbulohen me tekste, Regjistri me shkronja të alfabetit tonë me nr. e faqeve që do ndihmonte gjetjen e shpejtë, të lehtë e të saktë të termave apo shprehjeve të kërkuara, informacione për tirazhin, Rezymeja në ndonjë gjuhë të huaj.

Duke patur parasysh mangësitë e sipërthëna, mendoj se autori sikur është nxituar për ta dorëzuar sa më parë në shtyp produktin e këtillë intelektual për ta realizuar dëshirën e tij. E thënë me fjalë të tjera, po ta rishikonte autori edhe një herë në mënyrë kritike projektin e dorëshkruar, mbase do kisha përshtypje të tjera nga këto.

Ishte fatlume ideja e autorit për hartimin e Leksikonit, ndërsa çmoj lart faktin se ai vet është realizues i vetëm i ides së tij, madje në moshën e thyer. Për më tepër, nuk ka qenë brenda, nuk ka punuar brenda ndonjë institucioni (shtetëror) ku do t’kishte mundësi të gjëra bashkëpunimi, komunikimi e harmonizimi të vazhdueshëm e të përshtatshëm me forca hartuese.

Me që në leksikografinë penale ky Leksikon është sprova e pare, rrjedhimisht ky mund të cilësohet prijatari i leksikografisë së drejtësisë penale shqipe në Republikën e Kosovës e më gjërë. Autori kështu çeli një etapë të re në rrugëtimin e tij dhe jo vetëm në leksikografinë bashkëkohore penale kosovare me që nga e kaluara ne nuk trashëguam ndonjë traditë në shqipe me ndonjë vepër të tillë apo enciklopedi penale sado të vogël e modeste. Leksikoni ka vlerë të pamohueshme sepse paraqet shprehjen me të plotë të pasurisë, të larmisë dhe korpusit leksikor e frazeologjik penal në shqipe që gjendet nën trysnin e deformimeve e bastardhimeve nga më të ndryshme leksikore e kuptimore. Këto vijnë sidomos nga përdorimi i internetit me ç’rast edhe mund të dëmtohet leksiku penal në gjuhën shqipe. Ndaj, sot, kjo vepër nuk mungon dhe është e nevojshme dhe e dobishme për përdorues të praktikës dhe teorisë penale në vazhdën e evolucionit dhe emancipimit të pandërprerë të leksikut penal (material e procedural) e të shkencave tjera të përafërta, thënë kushtimisht. Me cilësitë që ngërthen në vete, Leksikoni do e plotësoi një zbrastësi të kahmotshme në literaturën penale në Kosovë dhe në gjithë arealin e përdorimit të gjuhës penale shqipe. Do e pasuroi fondin librar të bibliotekës juridike përgjithësisht e të drejtësisë penale posaçërisht, gjë që është meritë ekskluzive e autorit të tij.

Tutje, Leksikoni i cili tashmë veç ndodhet në dorën e përdoruesit do të jetë pikë referimi për komunitetin juridik në Republikën e Kosovës dhe më gjërë. Me këtë Leksikon, pos tjerash, autori i ka bërë nder edhe vedit, sepse do të citohet nga ata të cilët i referohen në letërsinë penale shkencore dhe profesionale aq më shumë duke qenë penalist i dorës së parë dhe njëri ndër mendjet më pjellore të shkencës penale kosovare. Si i tillë, vetëkuptohet se Leksikoni promovon një vlerë të shtuar të autorit me reputacion në shkencat penale i cili me këtë vepër të fundit paraqet ndihmesë profesionale me impakt në institucione kërkimore-shkencore, arsimore e juridike në Kosovë dhe njëkohësisht ka rrumbullakësuar tanipërtani arsenalin e tij krijues.

Rëndësia e Leksikonit, veç tjerash, konsiston edhe në ate se në një formë ndihmon komunitetin juridik drejt krijimit të disa standardeve të leksikut e nocioneve penale, mendoj unë. Mirëpo jam koshient se asnjë leksikon, glosar, fjalor dhe enciklopedi nuk mund të zëvendësoi mozaikun e literaturës së fushës së drejtësisë penale shkruar në libra mija faqesh.

Përgëzoj ngrohtësisht autorin për hartimin e këtij projekti si kurorëzim të një pune të ndërlikuar e të gjatë, që, veç tjerash, mëton kristalizimin e termave, nocioneve dhe institutive penale për t’qenë në funksion të interpretimit dhe implementimit të drejtë të tyre.

Mishërimi me aktivitete të ngjeshura pedagogjike, shkencore e profesionale ndër dekada bëjnë që prof. dr. Ismet Salihu, t’na shfaqet si personalitet i spikatur i dijes penale. Këtej, personifikon shkencën e së drejtës penale në Republikën e Kosovës. Me dëshira që shëndeti ti ecën mirë e inkurajoj profesorin tim të nderuar që të vijoi përsiatjet hulumtuese dhe veprimtarinë krijuese dhe me dorën e mendjen e tij të hedh shtat edhe ndonjë libër tjetër në tryezën e punës së tij.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat