Arti poetik dhe dashuria si frymëzim magjik

Libra

Arti poetik dhe dashuria si frymëzim magjik

Nga: Baki Ymeri Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 13:00
Kopertina

Artisti krijon për çlirimin dhe lumturimin e shpirtin.. Edhe përmes autorit të këtij shkrimi, letërsia shqipe mëson të udhëtojë në botën e gjerë. Besa Rexha është një vullkan ndjenjash, emocionesh dhe ideshë. Në vargjet e saj ballafaqohemi me realitet, origjinalitet, vullnet, energji dhe vitalitet. Vëllimi respektiv vjen para nesh si një felinar drite dhe fjalor i mençurisë. Autorja shqiptare me rezidencë në brigjet e Angliasë, shkruan për jetën, për dashurinë, për atdheun, për botën dhe pavdekësinë. Shpresa e pavdekësisë nuk mund të bazohet vetëm në pasuri, por pikëspari në shpirt, sepse investimi më i madh nuk vjen nga leku, por nga shpirti. Poezitë e këtij libri të ri dëshmojnë se kemi para nesh një ëndërrimtare të talentuar dhe të lindur me shpirt të florinjtë.

Poezia është testamenti i jetës, maqina për qepje fjalësh, barnatorja e sentimenteve letrare. Vargjet magjike shëmbëllejnë me një erë të këndshme që e përshkojnë dheun. Ato janë uji, dielli dhe mendimi. Besa Rexha është poetesha e dashurisë, kurse jeta e saj është gjithmonë e etshme për lumturi dhe dashuri. Ka ndonjë forcë tjetër më madhështore se sa fuqia magjike e fjalëve dhe forca e dashurisë? Vargjet e Besës kërkojnë zana, muza,të shenjtër dhe martirë, të parë jo vetëm si do relikte për përkushtim: Diku në një skaj të shpirtit fshihet muza./ Dhe un s’po mund të lidh dy fjalë/ Mes ksaj harrese dridhet buza/ Dhe dhimbja rritet e bëhet mal (Ku fshihet muza)

Duke deshifruar vargjet e saj kuptojmë se e shkuara fillon nesër kurse ardhmëria ka nisur dje! Në vargjet e poetes fshihet pavdekësia. Herë pas here, krijon përshtypjen se jemi në shpellën e ëndrrave të bardha. Poezia është rrëfimi më i vjetër dhe më i përsosur, prekja më e çiltërt e shpirtit njerëzor nga madhështia dhe pasuria e pakufishme e botës. Muzën e poezisë, autorja e kësaj vepre din ta afrojë me pasion, porsi një dhuratë hyjnore. Poezia e Besa Rexhës është një art i jashtëzakonshëm. Kur flet për dashurinë, forca e fjalëve të saj është emocionale, sentimentale dhe e papërshkrueshme: Kur flet dashurija syri dritë lëshon/ Buza ëmbëlsohet nga puthje pa fund/ Zemra zemrën mes mallit kërkon/ Dhe trëndafil i ëndrave petalet shkund (Për dashurinë)

Poezia e madhe lind nga ide të mëdha, nga sentimente dhe nga faktet e njerëzve që e ndërtojnë jetën. Ëndërrimet, frymëzimet, imagjinata, ndjenjat, risitë dhe metaforat janë instrumente të domosdoshme për poetin dhe poezinë. Kush nuk din t’i transformojë idetë në përfytyrime, ai nuk është poet. Poezia lind jo kur duam ne, por kur don ajo. Besa e kupton jetën si një mrekulli, e jo si një njohje. Poezia e disa poetëve fillon të jetojë pas vdekjes së tyre, kurse e të tjerëve vdes para pensionimit të tyre. Besa na dhuron vjersha të ndara në strofa me nga katër vargje. Më të preferueshme janë poezitë e shkurta ku me pak fjalë thuhet shumë, se sa poezitë e gjata që konsiderohen si do “çarshafë sentimentesh letrare”. Pa alegori nuk ekziston poezi. Rima nuk është mëkati i parë i poetit. Filozofi mund të mos jetë poet, por një poet duhet të jetë para së gjithash një mendimtar.

Nga Besa Rexha kuptojmë se arti i vërtetë është ëndërr dhe shpresë për një jetë më të mirë. Krijuesit e vërtetë lexojnë shumë, me sinqeritet dhe me seriozitet. Arti është pronë e autorit dhe realitetit, e vetmja pasuri e një populli që nuk mund të degdiset. Shëndeti, atdheu dhe familja mbi të gjitha: Më fali Perëndija dy yje plot dritë/ E mes tyre vuri hënën lozonjare/ Çasti më magjik që unë kisha prit/ Si puhizë e një freskije ledhatare (Vajzës time Ermelinda). Dhe më tej: E bukur si hëna dritë shumë/ Ma ngrohe gjirin me zjarrin tënd/ Ishe një ëndër që ma prishte gjumë/ Dhe në pritje nuk zija dot vënd

Suksesi krijohet me punë dhe sakrifica. Vlen të ripërkujtojmë faktin se investimi më i madh vjen nga shpirti. Ekziston nevoja për mendime të shëndetshme ku shndrit guximi dhe forca e mendimit. Në artin e përjetimit të jetës triumfojnë guximtarët e jo përtacët apo sharlatanët. Për t’u bërë i pavdekshëm në këtë rrugë magjike të shpirtit, duhet të joshish lexuesin me fjalë të theshta, me ndjenja dhe metafora të qëlluara, me plot substancë dhe sugjestione. Si e përshkruan dikush bukurinë e femrës që të bën poet? “Ajo ishte një femër që ua kishte rrëmbyer luleve erën e mirë, yjeve dashurinë, maleve bulbërinë, zogjve dhe lumenjve këngën, diellit zjarrin. Dielli e kishte ruajtur zjarrin për gjoksin e saj.”

Duke shfletuar librin më të ri të Besa Rexhës, ballafaqohemi me mendimin për t’ia ripërkujtuar lexuesit se Shqipëria është nëna jonë. Mendimi i lirë, as nuk blihet e as nuk shitet. Mendimi i lirë është vullneti dhe dashuria, që burojnë nga shpirti e rrjedhin nga zemra. Autorja e kësaj vepre është një zjarr i bekuar që digjet për Shqipërinë e bashkuar. Nuk është as Pjetër Budi, as Pjetër Bogdani dhe as Shën Pjetri, por Besa Rexha që ta përkujton Pjetrin e Shenjtë që e mbante një shkop në dorë, duke lëvizur herë në Shqipëri, e herë në Kosovë. Poetesha jonë e çmon veprimin energjik të bashkatdhetarëve tanë që digjen për Atdheun dhe familjen. Duke lëçitur vargjet e saj, kuptojmë se ende nuk janë shuar shembujt e shenjtë të rilindësve tanë.

Besa Rexha është një rast unik që ta përkujton vrrullin e pashoq të ikonave të shpirtit tonë që militojnë vazhdimisht për mbarëvajtjen e shqiptarizmit në mërgim. Kjo vepër reflekton artistikisht ndjeshmërinë lirike dhe patriotike të një poeteshe të lindur për dashuri dhe atdhedashuri. Koha është një dhuratë e atillë që kërkon rifreskimin e memorjes sonë për ta njohur të shkuarën tonë, që nga Janina e deri në Prishtinë, pa e harruar Çamërinë, Luginën e Preshevës, Malësinë e Madhe dhe Kosovën Jugore që përkufizohet me Manastirin shqiptar të Shën Naumit dhe ujërat e Prespës.

Besa Rexha u lind në Shqipëri dhe ka emigruar në Londër të Anglisë pa e harruar atdheun, atje ku jeton dhe vepron, gjithmonë në shërbim të artit poetik dhe atdheut magjik. As që ka nevojë të flasim më shumë për këtë njeri të mrekullueshëm, sepse flet në veprën e saj flet vullneti dhe flasin ndjenjat dhe shpirti saj që flet shqip dhe digjet për vendlindjen, për familjarët, për farefisin e saj dhe për atdheun e saj. Besa është njëra nga poeteshat e rralla të diasporës shqiptare që i justifikon shkrimet e saj me një sensibilitet të sinqertë, duke e stolisur vargun me figura stilistike, siç e kërkon poezia e mirëfilltë.

Në vargjet e Besës zotërojnë subjekte të veçanta lirike, morale dhe patriotike: Moj Shqipni që kurrë s’u tute/ Mes armiqsh një jetë të tërë/ Për mëshirë ti kurr s’u lute/ Por lart ngrite ti flamurë (Nëndori i Flamurit dhe Lirisë) Dhe më tej: Ky Nëndor që ngriti flamurin/ Në çdo prak e në çdo shpi/ Kosovës i ndriti nurin/ Të bashkohet me nanën Shqipni. Impresionuese është mënyra se si i qëndis vargjet, pa shenja pikësimi, ngase shenjat e pikësimit janë bariera, kurse poezia dhe shpirti nuk kanë nevojë për bariera.

Poezia është një ligj i shenjtë i metafizikës për të mbetur i pavdekshëm. Autori është i vetëdijshëm se poezia moderne ka nevojë për hapje horizontesh të mëdha, për ngjitje në qiejt e frymëzimit dhe zbritje deri në zemër të dheut, për shndërrimin e fjalëve në një thesar të artë ku zotërojnë ide të reja, të mbrujtura me ëndërrime, përfytyrime, me metafora, me risi dhe me porosi: E putha hënën që buza të më qeshë/ Dhe yjet si buqetë lulesh do të ti fal/ Dhe larg të mos më rrish e në zemër t’më kesh/ Ashtu siç loti syun përkëdhel me mall (Mbrëmje)

Misioni i vargut të Besës, herë pas here reflekton horizontet e vendlindjes me rrënje të thella dhe degë të vrullshme. Motivet e frymëzimit të saj notojnë mes afirmimit të mirësisë sonë dhe fshikullimit të ligësisë. Poezia shëmbëllen me një vullkan për shpërthim ndjenjash e përjetimesh. Ajo i çliron fshehtësitë duke zbuluar muzgun ku dashuria shndërrohet në një forcë të gjallë, që zotëron mbi qytete e vende. Autoren e kësaj vepre e gjejmë duke rendur deri në perandorinë e zogjve, atje ku liria është e garantuar. Nga shkëlqimet e shpirtit dhe të mendjes, të prejardhura nga një shqetësim që predisponon mendimin e gjerë, kuptojmë se frymëzimet vijnë dhe e bekojnë esencën humane.

Besa Rexha është një shqiponjë e lirë që e zbulon vetëveten në përjetimet më të thella që mund të shoqërojnë polarizimin e kuptimeve dhe formave të qenësishme, por edhe të veçanta, të ekzistencës. Fjala është për ata që shpesherë e kanë vështirë për t’u vërejtur, jo sepse do të qëndronin të fshehura, por sepse të duhet një frymë e veçantë për të arritur deri te ta. Me këtë rast mund të kuptojmë se ky është një nga kuptimet e arritjes së absolutes: Më fali kjo jetë gjithëçka desha/ Edhe pse ndonjëherë derdha lot/ Por gjithmonë çasteve u buzëqesha/ Që kjo lumturi mos t’më mungojë sot (Jeta ime)

Më impresionon qëndrimi stilistik, intencioni i dyfishtë i diskursit poetik dhe çështja e stilit. Poetja ka një përjetim të përgjegjshëm, një mahnitje të paharrueshme, duke kaluar hap pas hapi, deri te pika kulminante e emocionit më të fuqishëm. Kështusoj e shoh poeteshën e diasporës shqiptarer, pa e njohur personalisht, veçse nga prizmi shumëdimensional i personalitetit të saj të refletuar në shtjellën e një poezie të veçantë, të bukur dhe mbresëlënëse. Nga një poezi në tjetrën, vërejmë se Besa ka një kërcim me vlerë dhe kjo është e shkëlqyeshme. Me vargjet er saj poetike, kuptojmë se ajo është një zë lirik origjinal që mund të fitojë një vend të merituar në bibliotekën e ndjenjave letrare dhe atdhetare të letërsisë së sotme shqiptare. (Bukuresht, 2022)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat