Mësime nga 5 libra të mrekullueshëm që do ta ndryshojnë jetën tuaj

Libra

Mësime nga 5 libra të mrekullueshëm që do ta ndryshojnë jetën tuaj

Më: 2 janar 2023 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Librat e shkëlqyer u ofrojnë lexuesve një përvojë unike për të zhvilluar veten, duke e përjetuar botën përmes tregimeve të njerëzve të tjerë. Ato nxisin një reflektim të thellë dhe shërbejnë si tregime paralajmëruese, të cilat mund të jenë të fuqishme nëse leksionet që nxjerrim prej tyre zbatohen me mençuri në jetën tonë.  

Për më tepër, librat e mëdhenj na kujtojnë se përvoja njerëzore është praktikisht e njëjtë, pavarësisht nga gjeografia apo periudha kohore. Për më tepër, ato inkurajojnë qartësinë e mendimit, gjë që mund të na ndihmojë t’ia dalim përballë rrethanave të vështira në një botë të trazuar. Më poshtë janë 5 libra të mrekullueshëm, që duhet të na nxisin të punojmë mbi atë që duhet të rregullohet më shumë në këtë botë:mbi veten tonë.

Vëllezërit Karamazov

Mësimi i jetës: Të gjithë jemi përgjegjës për të keqen që ekziston në botë.

Romani realist i Fjodor Dostojevskit, është shumë aktual brenda kontekstit historik të trazirave shoqërore të Rusisë të shekullit XIX-të. Ai tregon historinë e një babai dhe tre djemve të tij në një nga periudhat më të rëndësishme në historinë e Rusisë. Romani është pjesërisht një thriller, pasi 3 djemtë janë të përfshirë në vrasjen mizore dhe të çuditshme të babait të tyre. 

Djali i dytë tepër intelektual është veçanërisht i trazuar nga pesha e të keqes në botë, dhe përvoja e tij pasqyron shqetësimet e thella për njerëzimin, lirinë, të mirën dhe të keqen që kanë ardhur për të karakterizuar jetën moderne. Një nga mësimet kryesore të romanit është 

i rrënjosur tek besimin ortodoks lindor, se të gjithë janë përgjegjës për të gjithë, duke nënkuptuar se ne të gjithë  kemi kontribuar në shkatërrimin e botës sonë, gjë që mund të jetë në kontrast me idetë perëndimore për individualizmin. 

Në sfondin e historisë së pasur të Rusisë, Dostojevski përshkruan ulje-ngritjet e përvojës sonë të përbashkët njerëzore, duke na kujtuar se ne gjithashtu kemi fuqinë për të ndryshuar gjërat. Ndërsa shohim me një shqetësim në rritje trajektoren e botës, epilogu i romanit na sugjeron se një shkëndijë e vogël e së vërtetës tek secili prej nesh, mjafton për të rindezur dëshirën për të mirën, të vërtetën dhe të bukurën. 

Gjërat shpërbëhen

Mësimi i jetës: Jini fleksibël dhe pragmatik, dhe jo të ngurtë.

Në veprën klasike të Çinua Açebe, Things Fall Apart (Gjërat shpërbëhen), përballemi me luftën e një njeriu me veten, ndërsa shoqëria ku jeton shndërrohet para syve të tij. Historia rrëfen jetën e një luftëtari të famshëm në një fis të epokës para-koloniale në Nigerinë Juglindore, i cili sheh me hidhërim rritjen e ndikimit të misionarëve dhe kolonialistëve të krishterë midis popullit të tij. 

Romani përshkruan traditat e pasura para–koloniale të popullit Igbo, ndërsa luftëtari përpiqet me të gjitha mënyrat të ruajë traditat dhe mënyrën e jetesës së popullit të tij. Megjithatë, në fund e kupton se gjërat kanë shkuar shumë larg, dhe se shoqëria Igbo ashtu siç e njihte dikur është duke u shpërbërë. 

Luftëtari i Açebes refuzon të pranojë se shoqëritë janë dinamike, dhe se ato i nënshtrohen vazhdimisht ndryshimeve. Në ngurtësinë e tij, luftëtari refuzon të pranojë se fotografia e tij idealiste e traditës Igbo përfshinte gjithashtu disa praktika që i dehumanizuan të tjerët. 

Me urrejtjen e tij virtuale ndaj dobësisë, ai e çon në ekstrem guximin e tij zakonisht të virtytshëm, duke shkaktuar edhe vdekjen e vet. Në këtë proces ai e kthen mbi vete dhunën e kolonializmit, duke menduar se ky akt i fundit sfidues do ta çojë përpara kauzën e tij. Megjithatë, luftëtari nuk arrin të kuptojë se koha i zhduk konturet e vrazhda të veprimeve tona individuale, duke i zbutur ato në tronditjen e vazhdueshme të historisë. Në thelb, gjithçka për të cilën ai luftoi me të drejtë, vdiq bashkë të. Me këtë roman, Açebe na paralajmëron të jemi kundër interpretimeve të ngushta të shoqërisë, dhe na inkurajon të jemi fleksibël dhe pragmatikë.

Zbulesa

Mësimi i jetës: Ndoshta problemi jeni ju vetë.

E shqetësuar thellësisht për nihilizmin mbizotërues që ajo pa, koleksioni i tregimeve të shkurtra të shkrimtares amerikane Flaneri O’Konor synonte t’i trondiste lexuesit. Personazhet e saj më të paharrueshëm janë të krishterë të respektuar, me qëllime të mira, përpjekjet në dukje të të cilëve për devotshmëri, kontrastojnë shumë me mendjemadhësinë e tyre që ekziston thellë brenda vetes së tyre.

Këta personazhe fshihen me mjeshtëri pas mirësjelljes dhe përshtatshmërisë shoqërore, ndërsa mbeten të vetë-kënaqur. O’Konor u përpoq që të shkundte me forcë personazhet e saj (dhe lexuesit) nga kjo vetëkënaqësi. Tek novela “Zbulesa”,  një grua e respektuar, e ndërgjegjshme për përkatësinë e saj klasore, sulmohet papritur nga një vajzë adoleshente, e cila dukshëm është e neveritur nga vaniteti i saj. 

Fasada sociale e gruas shkatërrohet për një moment nga përpjekja e vajzës për të nxitur tek ajo një reflektim të brendshëm. Përveç portretizimit të shkathët të mënyrave të sjelljes aristokrate në SHBA-në e Jugut, historia na tregon se botëkuptimi i kësaj gruaje nuk lë vend për humanizmin e të tjerëve. 

Megjithatë, tronditja nga fyerja dhe goditja e lehtë fizike nga adoleshentja, mjaftojnë për tëzgjuar tek ajo idenë se pavarësisht sjelljeve të saj, ajo mund të jetë ndonjëherë shumë e keqe nga brenda. Në qendër të tregimit është ideja se rrahja dhe fyerja ndodhën për ta ndihmuar gruan të pranonte të vërtetën me veten, dhe të fillonte të vinte në pikëpyetje pikëpamjet e saj arrogante mbi veten dhe njerëzit përreth saj. 

Krishti i varfër i Bombas

Mësimi i jetës: Ne jemi të verbër ndaj vuajtjeve që u shkaktojmë të tjerëve, sepse nuk mund të shohim dot përtej vuajtjet tona.

I vendosur në pyjet e Kamerunit kolonial, romani i  Mongo Betit tregon historinë e një prifti katolik francez, i cili zbulon kotësinë e imponimit të besimeve, praktikave ose (në këtë rast) virtyteve ndaj të tjerëve. Prifti francez ka ngritur një shtëpi unike për trajnimin e grave të ardhshme, ku gratë angazhohen në detyra të ndryshme, duke kultivuar virtyte të forta katolike përpara se të lejohen të martohen. 

Megjithatë, përmes një sërë zbulimesh tronditëse, ai zbulon se objektivi i tij i virtytshëm është zhvlerësuar si për ironi nga mendjemadhësia e tij dhe e atyre që e rrethojnë. Disa personazhe në libër, nxjerrin në pah dyfytyrësinë e qenieve njerëzore, ku në një rast ata e shohin veten viktima të sistemit kolonial dhe në një tjetër si viktimizues të atyre që i rrethojnë. 

Natyra e dyfishtë e veprimeve të tyre, tregon se ata, ndoshta si shumë prej nesh, janë të verbër ndaj vuajtjeve që u shkaktojnë të tjerëve, sepse nuk mund të shohin përtej vuajtjes së tyre. Beti na kujton se është më e lehtë nga sa mendojmë të luhatemi mes viktimës dhe kriminelit, dhe na takon të gjithëve që të hapim sytë, në mënyrë që të mos shkelim verbërisht të tjerët në kërkimin tonë për drejtësi.

Fausti

Mësimi i jetës: Puna e përditshme për t’u bërë një njeri më i mirë nuk mbaron asnjëherë.

Fausti  i Johan Volfgang Gëtes, tregon historinë e përpjekjes së një shkencëtari për të kapërcyer kufirin e njohurive njerëzore. Bazuar në një epikë mesjetare, personazhi kryesor iashet shpirtin e tij Djallit në një përpjekje për të kapërcyer kufijtë e përvojës njerëzore. 

Natyrisht, ky vendim i dyshimtë (si shumë të tjerë që përfshijnë shitjen e pjesëve të vetes te qeniet e liga) ka pasoja shkatërruese. Gjithsesi nuk është gjithçka e humbur, pasi në fund, shkencëtari përmes kërkimit të tij këmbëngulës arrin të kuptojë se i gjithë kozmosi (madje edhe i ligut) punon për të mirën. 

Tema kryesore e tregimit, sillet rreth konceptit se jeta është një përpjekje e pandërprerë, duke nënkuptuar që ne duhet të vazhdojmë të punojmë me veten tonë; një proces që nuk ndalet asnjëherë gjatë gjithë jetës. Vepra e Gëtes na mëson se është detyra jonë, madje më e rëndësishmja, dhe më e shenjta, të zbulojmë pse jemi këtu. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë pyetje të rëndësishme, të shohim nga vetja dhe të mësojmë nga të tjerët. Këto janë thelbësore për të qenë qenie njerëzore të vërteta.

Çfarë i bën të shkëlqyera kryeveprat?

Librat e mëdhenj zakonisht karakterizohen nga dy gjëra:universaliteti dhe përjetësia. Siç tregojnë këto 5 histori, konteksti historik është pothuajse i parëndësishëm, pasi përvoja njerëzore e kapërcen kohën, hapësirën dhe vendndodhjen gjeografike. 

Për më tepër, librat e shkëlqyer mund të na ndihmojnë të riorganizojmë kuptimin tonë mbi botën – ose siç shprehej kritiku i famshëm letrar Harold Blum, ato na inkurajojnë të “riorganizojmë përgjithmonë mobiliet e jetës sonë”. Kjo sepse ato mund të ndikojnë mbi thuajse në çdo aspekt të jetës sonë. Ato na mësojnë të jemi mendimtarë kritikë, pragmatikë, të mprehtë dhe empatikë. Po ashtu na ndihmojnë në ndërtimin e karakterit të mirë. Dhe njerëzit me karakter të mirë formojnë institucione, shoqëri dhe kombe më të mira. / Big Think

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat