Një histori për jetën, dashurinë dhe gjendjen njerëzore, është përshkruar në librin “Zorba” me autor Nikos Kazantzakis. Në promovimin e tij në Prishtinë, u tha se ky libër është një nismë e mirë për procesin e bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Greqisë.
Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se ngjarjet e tilla janë gurë shtesë të forcimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si në kuptimin përmbajtjesor, ashtu edhe në atë formal.
"Është përparësi e madhe kur qytetarët e Republikës së Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi kanë mundësinë ta lexojnë këtë vepër në gjuhën shqipe dhe të njoftohen me Aleksis Zorbën, dhe përpjekjen e tij jo vetëm për liri, por mbi të gjitha për kuptimin e saj. Është shumë e rëndësishme se thellimi i marrëdhënieve institucionale mes Kosovës dhe Greqisë të reflektojë edhe në intensifikimin e marrëdhënieve mes popujve tanë. Qasja në veprat e tilla dhe organizimi i ngjarjeve sikurse kjo sot e bëjnë të mundur këtë dhe jam i lumtur se këto po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Ngjarjet e tilla janë gurë shtesë të forcimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Heleni si në kuptimin përmbajtjesor poashtu edhe në atë formal", tha Ahmeti.
Drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, tha se kjo është ngjarje të veçantë me interes ndërkulturor dhe si një nismë e mbarë në procesin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shkencore të Kosovës dhe të Greqisë.
Matoshi: Prezantimi i librit “Zobra” është nismë e mbarë për procesin e bashkëpunimit shkencor me Greqinë
"Lidhjet kulturore e gjuhësore dhe historike të shqiptarëve me kombet fqinje kanë qenë një fushë tjetër interesimesh e studiuesve tanë, megjithatë në këtë drejtim ende nuk është bërë punë e mjaftueshme. Rezultatet tona shkencore nuk njihen sa duhet në përmasën ballkanike dhe anasjelltas, ne nuk njohim sa duhet produktin shkencor të fqinjëve tanë. Prezantimin e sotëm të autorit të njohur grek, Nikos Kazantzakis, e konsideroj si një ngjarje të veçantë me interes ndërkulturor dhe si një nismë të mbarë në procesin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shkencore të Kosovës dhe të Greqisë. Afërsia jonë gjeografike e vullneti për të bashkëpunuar përbejnë një mundësi e mirë për punë e për rezultate të përbashkëta shkencore", tha Matoshi.
Udhëheqësja e Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë, ambasadorja Heleni Vakali, tha se në libër autori ka shprehur frikën e gëzimin që ka njeriu, gjithashtu edhe shqetësimet e problematikën e tij që janë të përbashkëta si për grekët, ashtu edhe për kosovarët.
Vakali: Libri “Zorba” shpreh frikën dhe gëzimin e njeriut
"Dëshira dhe pritshmëria e zyrës këtu në Prishtinë kur lindi ideja për prezantimin e këtij libri, nuk ishte për të folur për një libër me shkallë të njohur, por ishte që të prezantohej një libër të një shkrimtari grek i cili konsiderohet se ka shprehur frikën, gëzimin që ka njeriu, shqetësimet e problematikën e tij që besoj se janë të përbashkëta si për ne greket dhe për ju kosovarët", tha Vakali.
Për “Zorbën”, ka folur edhe studiuesi i Institutit Albanologjik, Gëzim Aliu.
Aliu: “Zorba” është shembull i të menduarit gjerë
"Jeta e Zorbës është shembull, Zorba është shembull i të menduarit të gjerë që e sheh ne tërësi tablon e jetës, jo si i burgosur i ideve e bindjeve që krijohen copa-copa, më herët nga librat e tash dhe tash edhe nga interneti që i bënë njerëzit robër të kënaqur. Prandaj, nganjëherë është mirë ta marrim nganjëherë shembull jetën e tij, ajo mund të shërbejë edhe si terapi ngadalësimi për të shijuar përditshmërinë, gjërat që i quajmë të vogla, miqësitë cilësore por edhe vetminë shëruese, si terapi e reflektimit në jetën tonë, për të mirat që mund të kemi por edhe të këqijat. Zorba është njëri që e pranon vetën, është njëri i dhembshur, njëri që ka hequr dorë nga idetë e ideologjitë për të qenë i lirë. Ai është njeri i lirë nga gjithçka dhe jeton në këtë mënyrë, i lidhur pashkëputshëm me tokën, natyrën, pra jetën e vërtetë", tha Aliu.