Kush dashuron fal qetësi dhe siguri

Life style

Kush dashuron fal qetësi dhe siguri

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 12:11
Ilustrim

“Nuk do shkoj mbrapa në histori, të rrëmoj” ka thënë Shekspiri. As nuk do përsëris me vete rreshtat e Garcias së madh që e ka quajtur dashurinë “Kolerë”. Do t’i referohem poetit, prozatorit dhe përkthyesit Robert Shvarc që me vargjet e tij mundohet të japë përkufizimin e gjendjes shpirtërore që shkakton kjo ndjenjë kaq hyjnore, Dashurisë. “Nga larg, dëgjoj nga larg, ah, zërin tënd të butë. / Më vjen sikur dhe sytë më ndizen në të tutë, / dhe s’di se ku më dhemb e s’di se çfarë kam, / Madje as nuk di, në jam apo nuk jam.”

Aurora Çeliku Minga
Diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”; Mësuese “Quinsigammond Community College”, Assosciate Degree on Early Childhood Education; “Worcester State University”, Bachelor Degree on Sociology and Early Childhood Education; Post Bachelorete për shkollat e profilit 9-vjeçar

Është pikërisht kjo ndjenjë që njeriu e provon shumë rrallë në jetë. Është kjo ndjenjë që jep ndjesi të mrekullueshme dhe po aq të dhimbshme. Duke kërkuar një shpjegim jo vetëm romantik, por më tepër një interpretim të shkencës së Psikologjisë, a është të dashuruarit një ndjesi që ne e përcaktojmë vetë apo diçka intuitive? Të dashurosh është një ndjenjë midis lumturisë, euforisë dhe dozave të larta të energjisë.

Po kështu ndodh dhe e kundërta. Dashuria shkakton pagjumësi, humbje oreksi, rrahje të larta të zemrës apo edhe vështirësi në frymëmarrje. Çdo njeri ka mënyrën e vet të të shprehurit dhe si rrjedhim, edhe këto simptoma ndryshojnë nga njëri individ në tjetrin. Gjithsesi, një kërkim shkencor 75-vjeçar nga shkencëtarë të Harvardit, nxjerr si konkluzion që vërtet dashuria është çelësi për një jetë të përmbushur, por nuk duhet harruar që mënyra si përballohet jeta ka shumë rëndësi për të dy partnerët, pasi situatat e vështira e shtyjnë dashurinë nga rruga e fillimit. Prandaj ka dhe individë që “refuzojnë” të provojnë këtë ndjenjë sa të bukur aq dhe me përgjegjësi.

Të dashurosh do të thotë të harrosh veten, të mos jesh egocentrik dhe egoist. Të dashurosh do të thotë të ushqesh njëri-tjetrin me ndjenjë, të plotësosh njëri-tjetrin. Por sërish psikologët ngrenë idenë që, dashuria nuk do të thotë të “humbasësh” veten për hir të partnerit ose për hir të të mbeturit vetëm dhe pa vëmendje.

Për hir të dashurisë, njerëzit bien në pozita që harrojnë dhe veten e tyre. Dhe këtu qëndron sërish përgjegjësia e partnerëve për të pasur dhe shkëmbyer një relacion të shëndetshëm. Duke iu rikthyer anës romantike, na duhet të pranojmë që partnerët sigurisht nuk dashurojnë si në fillimet e çdo procesi tjetër në jetë. Por ajo lloj dashurie, në fillim me zjarr e pasion, pagjumësi e rrahje të shpeshta zemre, kthehet në domosdoshmëri dhe partneritet; respekt për shpatullën ku gjithsecili nga ne mbështetet. E megjithatë, midis viteve që kalojnë, përpjekjeve për të plotësuar njëri-tjetrin, bashkëpunuar për të përballuar jetën, ka momente kur mendja dhe imagjinata shkon pas, tek ato çaste magjike të papërsëritshme të dashurisë për herë të parë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat