Evolucioni na shpjegon pse distancimi social është kaq i vështirë

Life style

Evolucioni na shpjegon pse distancimi social është kaq i vështirë

Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Më 9 mars, kryeministri holandez Mark Rute, mbajti një konferencë shtypi për të shpjeguar se si vendi i tij do t’i përgjigjej pandemisë së COVID-19. “Nga tani e tutje ne nuk do të shtrëngojmë më duart”- tha ai, por pak minuta më vonë i zgjati dorën për ta përshëndetur një eksperti të sëmundjeve infektive.

Shumë nga ne u ndjenë solidarë me të. Distancimi social duket i padëmshëm. Por këtë vit, e zbuluam se sa i vështirë mund të jetë ai në praktikë. Përshëndetjet përmes prekjes si shtrëngimi i duarve, përqafimet, puthjet apo fërkimet e hundëve, janë të rrënjosura thellë në shumë kultura.

Sidoqoftë, këto gjeste jo vetëm mësohen. Mjafton të shohim “mbretërinë” e kafshëve, për të kuptuar se individë të shumë specieve, sidomos ata që kanë një shoqërizim më të theksuar, organizojnë rituale shoqërore kur afrohen me njëri-tjetrin.

Dëshira jonë për t’u prekur veten kur themi lamtumirë na duket instiktive, pasi në fakt është kështu. Format e përshëndetjes të përdorura nga kafshët, mund të jenë shumë të ndryshme nga tonat, dhe në disa raste përfshijnë gishtat që futen në sy, dhe gjeste të tjera që ndoshta na tmerrojnë kur i dëgjojmë.

Por kuptimi i këtyre sjelljeve, mund të na mësojë diçka rreth përshëndetjeve njerëzore. Për shkak se jemi një specie super-sociale, nuk është çudi që shumë prej nesh ta kenë shumë të vështirë të përshtaten me normalitetin e ri. Gjithsesi, lajmi i mirë është se ne e kemi dëshmuar edhe më parë se jemi mjeshtër në përshtatjen e përshëndetjeve tona në situata të reja.

Gjitarët kanë prirjen të përdorin aroma për ta kuptuar njëri-tjetrin, gjë që shpjegon arsyen pse ata përshëndesin njëri-tjetrin në mënyrë intime. Një takim i ri, përfshin shpesh nuhatjen e fytyrës, ijeve dhe organeve gjenitale të individit tjetër për të zbuluar kimikatet e paqëndrueshme që pasqyrojnë statusin e tyre hormonal.

Në këtë mënyrë merren të dhëna për forcën dhe pjellorinë e tjetrit, dhe kjo u jep mundësi kafshëve të marrin masa ndaj kundërshtarëve apo partnerëve të mundshëm. Ashtu si përshëndetjet tona, gjatësia dhe intimiteti i këtyre shkëmbimeve, pasqyrojnë natyrën e marrëdhënies.

Daniel Ueson i Universitetit Uestern Keiz, në Ohajo, zbuloi se minjtë që kanë humbur nuhatjen e tyre vazhdojnë të nuhasin njëri-tjetrin, gjë që sugjeron që sjellja në vetvete është e rëndësishme në krijimin e hierarkisë shoqërore.

Macet dhe qentë sillen në të njëjtën mënyrë, me fërkimin e tyre karakteristik të kokës së njeri-tjetrit, për të shkëmbyer aroma teksa përshëndetin njëri-tjetrin. Ka të dhëna që këto gjeste mund të sinjalizojnë qëllime të mira, edhe përtej pengesës së specieve.

Kërkimet mbi macet dhe qentë që jetojnë në të njëjtën shtëpi, zbuluan se 75 për qind e këtyre kafshëve nuhatin rregullisht hundë me hundë, një gjest që me sa duket i ndihmon ata të bashkëjetojnë kaq pranë. Kjo mund të shoqërohet me sinjale të tjera fizike:një mace që ngre bishtin e saj sinjalizon qëllim miqësor, ndërsa një qen mund të struket dhe ta shohë nga ty macen, si për t’i treguar se nuk ka ndërmend të përleshet me të.

Atëherë, çfarë na mësojnë këto bashkëveprime midis kafshëve? Edhe ne jetojmë në shoqëri komplekse, ku besimi dhe bashkëpunimi kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Sigurisht, përshëndetjet tona kanë një simbolikë dhe kuptim më të thellë, dhe janë shumë të ndryshme. Por sado të sofistikuar që mund të dukemi, studimi i fundit duket se sugjeron që shumë nga gjestet tona, kanë të njëjtin funksion si ato tek kafshët.

Çdo përshëndetje që përfshin kontaktet trupore, mund të na japë një shans për të gjetur të dhëna kimike. Ka shumë prova që aroma e trupit tonë, mund të komunikojë informacione në lidhje me gjendjen emocionale të një personi apo edhe zgjimin e tij seksual.

Ashtu si ritualet e majmunëve, përshëndetjet tona përmes prekjes, na lejojnë të vlerësojmë karakterin e një personi tjetër, dhe të përcaktojmë nëse mund t’u besojmë atyre besë. Kërkime të tjera, kanë zbuluar se forca dhe kohëzgjatja e një shtrëngimi duarsh, mund të ofrojë një parashikim mjaft të saktë të tipareve të personalitetit, përfshirë ekstraversionin, neurozën dhe mendjen e hapur.

Mjerisht, siç po e zbulojmë në këtë periudhë, kontakti përmes prekjes e ka një të keqe. Pavarësisht se sa i besojmë dikujt, ndërveprimi i ngushtë më të rrezikon transferimin e patogjenëve. Në fakt, kërcënimi i sëmundjes duket se ka pasur një ndikim mbi llojet e përshëndetjeve të përdorura nga shumë kultura shumë kohë para shfaqjes së COVID-19.

Damian Marrej dhe kolegët e tij në Universitetin Tulan në Nju Orlins, analizuan bazën e të dhënave etnografike të ceremonialeve përshëndetëse në 186 kultura, të cilat më pas i vlerësuan me një shkallë nga 0 në 5, në varësi të shkallës së kontaktit fizik.

Shtrëngimi i duarve i atribuohej shkallës 2, përqafimi shkallës 3, dhe shkëmbimi i pështymës në një puthje ose një “shtrëngim duarsh me pështymë” shkallës 5. Ata zbuluan një lidhje të vogël, por të rëndësishme midis këtyre rezultateve, dhe përhapjes lokale të patogjenëve.

Marrej thotë se atje ku rreziku është i lartë, njerëzit kanë zhvilluar përshëndetje në distancë, që përcjellin simbolikisht dëshirën për bashkëpunim dhe besim, shkruan bota.al. Ngjashëm, studiuesit zbuluan se puthja romantike, që më parë mendohej se ishte universale, mungonte në 58 për qind të shoqërive që kishin dominim të patogjenëve mbi mesataren.

“Ata balancojnë kostot dhe përfitimet nga kontakti fizik”- thotë Marrej. Këto zbulime, tregojnë se ideja që një pjesë e mbrojtjes sonë kundër infeksionit, është një prirje e evoluar në kohë, për t’ia përshtatur veprimet tona reagimit ndaj një kërcënimi. Studimet zbulojnë se edhe vetëm mendimi për një sëmundje, mund të ndikojë në qëndrimet dhe ndërveprimet tona me të tjerët.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat