A je gati për t’u divorcuar? Zbuloje përmes këtyre tetë pyetjeve

Life style

A je gati për t’u divorcuar? Zbuloje përmes këtyre tetë pyetjeve

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 15:32
Foto ilustrim

Je duke vënë në dyshim martesën tënde dhe pranojeni, po përballeni me një dilemë të vështirë. Ti, je ai/ajo që do të vendosësh nëse do të qëndrosh apo do të largohesh nga kjo martesë

Gjatë këtij procesi, do ta gjesh veten duke pëshpëritur mendime të tipit: “Ndjej që duhet të divorcohem dhe t’i jap fund kësaj gjësë të quajtur martesë”; “Po si të sigurohem që po marr vendimin e duhur?”; “Ka ditë që mendoj se është gjëja më e mirë që mund të bëjë, ashtu siç ka të tjera që më duke një gabim i tmerrshëm”; “Një pjesë e imja e do ende atë, ose të paktën mendoj që më intereson mirëqënia e tij.”; “Sa njerëz do të prekte ky divorc?”

Të gjitha këto janë normale të ndodhin brenda mendjes tënde nëse je ti që po kërkon një divorc, kurse situata tjetër është: Krejt papritur dëgjon tët shoq që kërkon të ndahet nga ty.

“Divorc? Nga lindi kjo ide? Para dy javësh ne po flisnim për pushimet në mal. As që ja kisha idenë se në martesën tonë kishte diçka që s’shkonte. Jam e shokuar. Duhet të gjej një mënyrë për ta ndalur këtë. Është si një makth i keq dhe shpresoj që gjërat t’i jenë kthyer normalitetit kur të zgjohem.”- grupi tjetër i mendimeve në gjithë këtë dilemë të madhe.

Shumica e çifteve që nisin një divorc, në pjesën më të madhe të rasteve janë të papërgatitur dhe shpesh jo në një linjë me partnerin. Mungesa e përgatitjes dhe informacionit rreth një çështjeje si divorci bën që martesat të jenë jetëshkurtra ose divorcet të kthehen në një konkurs ku duhet të fitojë njëri.

Vendimi për t’u divorcuar, është një nga vendimet më të rëndësishme që një njeri mund të marrë, duke qenë se pasojat e tij zgjasin për vite me radhë ose përgjatë gjithë jetës. Çiftet që marrin vendime të nxituara për të dalë nga një martesë, nuk kanë patur kohë për të vlerësuar ndjenjat, mendimet apo opsionet e tjera. Si rezultat, janë të papërgatitur për ndryshimin dramatik dhe lëmshin e emocioneve që do t’i duhet të përjetojnë, për çështjet ligjore të komplikuara dhe gjithë vendimet e tjera që i duhet të marrin për jetën më pas.

Është një proces që kërkon që çifti të jetë i përgatitur, prandaj për t’u përballur me dilemat tuaja bëni mirë t’i përgjigjeni me zë të lartë 8 pyetjeve të listuara më poshtë.

Nëse partnerët nuk kanë zgjidhur me veten dilemat e tyre dhe i hyjnë këtij procesi duke u përpjekur të menaxhojnë frikërat gjatë rrugës, fshehja e dyshimeve, përgjegjësive, ndjeshmërisë apo varësisë nuk do të mund të zgjasë përgjithmonë.

1. A ke ende ndjenja për partnerin?

Shumë njerëz thonë se duan të divorcohen edhe pse e duan shumë partnerin e tyre. Shkaqet mund të jenë problemet e përditshme të lidhjes, mungesa e intimitetit apo afrimitetit mes tyre.

Nëse kjo ndodh për shkakun tënd, më e mira është të punosh me këtë marrëdhënie para se të vendosësh t’i japësh fund njëherë e mira. Në të kundërt, ndjesia “e humbjes” pas divorcit mund të të bëjë ta gjesh veten edhe më keq se tani.

2. A ke qenë ndonjëherë e martuar vërtet?

Për të qenë vërtet i martuar, një çift duhet të krijojë raportin me filozofinë “ne”.

Shumë njerëz që konsiderojnë divorcin nuk kanë patur asgjë tjetër veçse një bashkim i nevojave të dy individëve. Ata mund të kenë rritur fëmijë dhe të kenë ndarë një shtëpi bashkë, por dhe këto aktivitete i bëjnë duke marrë një pozicion konkurrenti dhe jo unifikues.

3. Po e mendon vërtet një divorc apo thjesht ndihesh e kërcënuar nga një mundësi e tillë?

Termi divorc shpesh përdoret si term kërcënues në inat e sipër mes çiftit për arsye të ndryshme si; zemërimi apo frustrimi i momentit, nevoja për të fituar kontroll mbi partnerin; nevoja për t’u marrë seriozisht; apo si një paralajmërim që gjërat po bëhen serioze.

Nëse e përdorni shpesh ka gjasa humbisni besimin e partnerit dhe të vetes, prandaj kujdes!

4. Është një vendim i sinqertë i bazuar në analiza apo një reagim i shpejtë emocional?

Të jesh gati për të divorcuar partnerin tënd nënkupton të jesh logjikisht e qartë dhe të mos përfshish emocione të tjera në gjithë këtë.

Divorci do të thotë të lësh pas lidhjen që ke me njeriun tjetër, të mos ndikohesh nga të afërmit e tu dhe gjithë të tjerët që preken nga ky vendim. Njerëzit që divorcohen nga inati, qëndrojnë po me të njëjtin inat edhe pas tij!

5. Çfarë qëllimi ke që do një divorc?

Nëse mendon se përmes divorcit personi tjetër do të ndryshojë dhe do të sillet më mirë me ju, kujtohu që po divorcohesh për arsyen e gabuar.

Ndarja nuk ka fuqinë të ndryshojë mendjen apo zemrën e njerëzve. Divorci bën vetëm diçka: i jep fund një martese dhe pas kësaj je e lirë të takosh njerëz të rinj!

6. E keni zgjidhur konfliktin e brendshëm me veten rreth divorcit?

Të gjithë që mendojnë për t’u divorcuar, po përjetojnë një konflikt të brendshëm. Edhe pse janë të sigurt që duan t’i japin fund martesës, shpesh ndihen në faj. Ose ndihen të keqtrajtuar në momentin e parë që kuptojnë se jeta e tyre do të jetë më e mirë pasi të dalin nga kjo marrëdhënia.

Identifikimi i konfliktit dhe të qenit i vetëdijshëm për rrugët e ndara të secilit do të jetë një nga pasojat e tjera të këtij divorci.

7. I përballon dot pasojat e pakëndshme të divorcit?

Divorci sjell ndryshime të mëdha sepse në këtë moment ti po i jep fund ëndrrës për një “familje të lumtur”. Dhëmb, zhgënjen, të duket dështim, ndihesh vetëm dhe përballesh me ndjesi nga më të pakëndshmet. Të jesh gati për gjithë ulje-ngritjet që sjell një divorc do të duhet mbështetje e madhe nga familja dhe miqtë, të cilët duhet të jenë aty për të të ndihmuar emocionalisht. Nga ana tjetër, për ta kuptuar sa gati je, duhet të përgatitesh për sfidat më poshtë.

Nëse s’do që financat e tua, stili i jetës apo traditat të ndryshojnë, nuk je gati për një divorc.

Nëse nuk e pranon dot inatin dhe trishtimin që kjo ndarje do t’ju sjellë fëmijëve, nuk je gati për një divorc.

Nuk nuk pranon dot të jetosh periudha pasigurie, frikë ndaj të panjohurës, atëherë nuk je gati!

Nëse nuk je e gatshme të shkëputesh nga partneri emocionalisht, mendërisht dhe shpirtërisht, nuk je gati për një divorc.

8. Je gati të marrësh në duar kontrollin e jetës tënde në mënyrë të përgjegjshme dhe të matur?

Nuk ka rëndësi nëse je ti ai/ajo që kërkove divorcin apo ai/ajo që të duhet ta pranosh; të dy palët po kaloni në një rrugë të përbashkët. Martesa juaj po mbaron. Se si njerëzit reagojnë ndaj këtij vendimi, përcakton edhe llojin e divorcit që do të kenë. Do të ecin përgjatë këtij procesi me inat, ndjesi hakmarrjeje apo do të negociojnë dhe do të bashkojnë forcat në një tjetër formë ku ka respekt dhe mirëkuptim? Sjellja që zgjidhni të bëni përcakton të ardhmen tuaj pas divorcit.

Në eksperiencën e ekspertëve, njerëzit që përgatisin veten duke iu përgjigjur dhe analizuar me kujdes këtyre pyetjeve, kanë gjasa të kenë një divorc të paqtë dhe pa trauma që zgjasin përgjithmonë.

Shënim: Artikulli është shkruar nga Bruce Derman psikolog klinik që ndihmon çiftet gjatë procesit të divorcit dhe Wendy Gregson, terapiste e licensuar që merret me përgatitjen, bashkëpunimin efektiv të çiftit përgjatë divorcit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat