A është e rëndësishme miqësia në punë?

Life style

A është e rëndësishme miqësia në punë?

Më: 7 dhjetor 2020 Në ora: 10:52
Foto Ilustrim

A jeni miqësor me njerëzit me të cilët punoni? Apo jeni miq me ta? Dallimi është i rëndësishëm – lidhja e miqësisë me kolegët mund t’ju bëjë më të lumtur dhe produktivë.

Shumë njerëz sot kalojnë gjithnjë e më shumë kohë me kolegët se me familjarët e tyre. Ajo çka mendojmë për njerëzit me të cilët punojmë dhe marrëdhënien tonë me ta ndikon në jetën tonë, edhe pasi ka përfunduar dita e punës.

Një studim i kohëve të fundit te 3000 punonjës amerikanë me kohë të plotë hedh dritë te qëndrimi ndaj miqësive në vendin e punës.

Studimi, i kryer nga kërkuesit e Olivet Nazarene University në Ilinois, gjeti se thuajse dy e treta e personave në punë konsiderohen si “të huaj” ose “kolegë”. Rreth 35% hyn në territorin e “miqve”, edhe pse vetëm 15% e këtyre miqësive vazhdon jashtë punës. 4 në 5 të intervistuar deklaruan se ata punojnë me të paktën një person të cilin e konsiderojnë mik.

Miqësitë krijohen më lehtë në disa industri, si transportet, sektori financiar dhe ai i kontabilitetit. Në sektorin e pasurive të patundshme dhe atë ligjor, krijohen një numër më i ulët miqësish se mesatarja.

Pjesa më e madhe e miqësive në vendin e punës krijohen shpejt, më shumë se gjysma disa javë pas takimit të kolegëve dhe 22% pas disa muajsh. Edhe pse sektori i pasurive të patundshme është një terren “shterpë” për njerëzit që ndajnë të njëjtat ide së bashku, është gjithashtu një nga sektorët ku miqësitë krijohen më shpejt, së bashku me sektorin e tregtisë me pakicë, atë të ushqimit dhe pijeve dhe sektorin e siguracioneve. Në anën tjetër, është më e vështirë të krijohen miqësi në sektorin qeveritar, në sektorin e shëndetësisë dhe atë të inxhinierisë.

Miqtë në punë janë të rëndësishëm

A është e rëndësishme të krijosh miqësi në punë? Kërkimet e Gallup pas viteve ‘90 thonë po. Shoqëria e sondazheve i pyet shpesh punonjësit e klientëve të saj: “A keni një mik të ngushtë në punë?”. Rezultatet e sondazheve kanë treguar se të intervistuarit që u përgjigjën “po” kishin 43% më shumë mundësi të përgëzoheshin për punën e kryer javën e kaluar.

Një studim i LinkedIn mbi marrëdhëniet në vendin e punës gjeti se 46% e punonjësve në të gjithë botën besojnë se të pasurit e miqve në vendin e punës rrit lumturinë e përgjithshme. Krijimi i marrëdhënieve me të tjerët mund t’ju bëjë të ndiheni më të lidhur, gjë që mund të rrisë produktivitetin dhe angazhimin në punë.

“Njerëzit janë më krijues dhe produktivë kur ata e përjetojnë pozitivisht jetën profesionale, duke përfshirë më shumë emocione të bukura, më shumë motivim drejt vetë punës dhe një perceptim më pozitiv karshi kompanisë” – shpjegon profesori Teresa Amabile nga Harvard Business School, bashkautor i “The Progress Principle”.

Miqësia, shpërqendrim ndaj punës?

Por përpara se të nisni socializimin me të gjithë kolegët, një studim nga Rutgers University thotë se krijimi i miqësive në vendin e punës mund të jetë një ndërthurje ndjesish. Një studim te 168 punonjës në një kompani sigurimesh gjeti se të pasurit e shumë kolegëve që bëhen miq rrit performancën e punonjësve. Krijimi i miqësive në punë largon barrierat, i bën punonjësit të ndihen më rehat kur kërkojnë ndihmë, duke mos e pasur frikën e paragjykimit.

Megjithatë, miqtë në punë mund t’ju krijojnë shpërqendrime me biseda spontane dhe pauza për socializim, duke ju shkëputur nga puna që keni në dorë. Studimi zbuloi edhe se krijimi dhe ruajtja e marrëdhënieve miqësore ne punë mund të bëhet disi rraskapitëse në rastin e promovimit të njërit prej kolegëve si shef i tjetrit. Megjithatë, ka më shumë anë pozitive se negative në krijimin e miqësive në vendin e punës.

Ndërkohë që disa drejtues mund të jenë kundër bisedave dhe të qeshurave në vendin e punës, duket se edhe një miqësi e vogël mund të ndihmojë në përmirësimin e vendit të punës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat