Si mund t’i menaxhoni konfliktet mes fëmijëve

Life style

Si mund t’i menaxhoni konfliktet mes fëmijëve

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 17:15
Foto ilustrim

Ulërima që shurdhojnë, dyer që përplasen dhe shpeshherë duar që ngrihen! Grindjet mes fëmijëve mund të arrijnë kulmin e tensionit saqë ato shpeshherë mund të bëhen të vështira për t’u menaxhuar. Pyetja e parë që u vjen në mendje prindërve është nëse duhet të ndërhyjnë apo jo? Kur është momenti më i mirë për ta bërë këtë gjë?

Ekspertët këshillojnë që t’i lejoni fëmijët ta zgjidhin vetë konfliktin në mënyrë sa më të pavarur, pasi kjo është në të mirë të të gjitha palëve. Por gjithnjë duke treguar kujdes me mënyrën se si ata konfliktohen.

Për shembull, kur fëmijët fillojnë të përdorin dhunë fizike dhe fjalë të rënda, është e rastit të vendosni disa rregulla bazë.

Mos ndërhyni gjithmonë

Grindja mes fëmijëve është sjellja më e natyrshme që mund të ekzistojë: kur fëmijët grinden, mamaja dhe babai kanë tendencë të ndërhyjnë menjëherë për të mbyllur diskutimin. Por në këtë mënyrë, ata shpeshherë arrijnë të shkaktojnë më shumë dëme.

Para së gjithash, sepse ju si prindër do t’i pengoni fëmijët të mësohen me pavarësinë e tyre dhe për rrjedhojë ata nuk do të dinë të bëhen të përgjegjshëm.

Mos mbani qëndrim

Një tjetër sjellje jo e drejtë e prindërve, në momentin kur fëmijët e tyre grinden, është qëndrimi favorizues kundrejt vetëm njërit fëmijë. Kjo ndodh, sepse ndoshta më i vogli mes dy sherrxhinjve është më i urtë ose më i rrezikuar për t’u lënduar gjatë debatit. Ndaj mbrojtja e njërit (ndoshta atij me më pak faj) nuk është zgjedhja ideale, sepse kështu marrëdhënia mes fëmijëve bëhet edhe më e acaruar, ndërsa ekuilibri në familje fillon të prishet.

Shmangia e konflikteve

Shpesh janë vetë prindërit që krijojnë kushtet ideale për një konflikt të vazhdueshëm mes fëmijëve, për shembull nëpërmjet një krahasimi të përsëritur që ua bëjnë atyre.

Edhe pse me qëllim të mirë, krahasimi i fëmijëve nuk është zgjedhja më e mirë edukative. Në fakt, cilido qoftë kriteri i krahasimit (karakteri, pavarësia, nxënia në shkollë, sukseset sportive) fakti i gjykimit i vetëm njërit prej fëmijëve në raport me të tjerët minon vetëvlerësimin e tij dhe has vështirësi në formimin e identitetit. Më e mira është që këto krahasime, të cilat i vëreni te fëmijët tuaj, t’i mbani vetëm për vete.

Manuali për t’u grindur

Mosndërhyrja në grindjet mes fëmijëve është rruga e duhur për t’u ndjekur, por me limite të përcaktuara.

Nëse fëmijët tuaj fillojnë të grinden duke përdorur dhunë fizike dhe verbale, është e rastit që ju të ndërhyni, por pa e nxitur edhe më tej inatin e momentit mes tyre.

Jepni shembullin e mirë

Prindërit nuk mund të pretendojnë që fëmijët e tyre të mos grinden në një kohë kur ata e bëjnë vetë këtë gjë vazhdimisht. Ndaj të parët që duhet të japin shembullin e mirë janë mamaja dhe babai.

Të gjitha çifteve u ndodh të grinden, por është thelbësore të mësojnë që këtë ta bëjnë me limite të përcaktuara dhe me sens të mirë praktik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat