Arsyet përse punësimi i një mentori është një ide e mirë

Life style

Arsyet përse punësimi i një mentori është një ide e mirë

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 17:18
Foto ilustrim

Një person i specializuar që t’ju ndihmojë të merrni ato që doni nga jeta dhe ta shndërroni çdo eksperiencë të hidhur në energji për të gjetur suksesin dhe paqen, mund të punësohet nga ju në çdo kohë dhe rast 

Ideja e një mentori mund të tingëllojë disi e pabesueshme, por në fakt disa persona e kanë profesion që të mësojnë të tjerët si të transformojnë jetën e tyre.

Është e natyrshme që njerëzit të hezitojnë paksa kur mësojnë se ekzistojnë këta këshilltarë me pagesë. Pyetja e parë që u shkon në mendje është se çfarë mund të bëjnë ata, si mund t’ju ndihmojnë? Ja cilat janë 6 arsyet kryesore përse njerëzit zgjedhin të punësojnë një mentor.

Diçka e mrekullueshme ndodhi

Urime! Po martoheni, keni gjetur një punë të re, keni një bebe apo keni lançuar biznesin tuaj? Ju duket se çdo gjë është në rregull? Nuk është e pazakontë. Mund të jetë tmerruese dhe çorientuese të kaloni një ndryshim kaq radikal. Veçanërisht ndërsa po hiqni dorë nga e vjetra dhe po krijoni një identitet të ri.

Mund të jetë shumë e dhimbshme dhe frikësuese të heqësh dorë prej asaj që di. Veçanërisht nëse e ndieni se duhet të jeni shumë të lumtur, por nuk jeni.

Një mentor i mirë mund t’ju ndihmojë ta kaloni këtë ndryshim të madh dhe të mbështesni përparimin tuaj në jetë në një mënyrë shumë të shëndetshme dhe të pëlqyeshme.

Diçka e tmerrshme ndodh

Një vdekje, largim nga puna, zhvendosje e vendbanimit, divorc. Të gjitha këto të këqija mund të tronditin thellë jetën tuaj nëse nuk dini ta përballoni siç duhet.

Një mentor i aftë do t’ju ndihmojë të gjeni një “strehë” të sigurt për veten që të mund të vajtoni. Ndryshe nga sa mund t’ju thotë intuita, nëse merrni kohën e nevojshme për të shuar dhembjen, kjo ua ul kohën që do të duhet për të rigjetur sërish balancën.

Shumica prej nesh duan ta shmangin këtë moment të errët me të gjitha kostot dhe përpiqen të gjejnë mënyra të reja për të tejkaluar vajtimin. Megjithatë, shtypja e bën atë të marrë forma të reja dhe të vazhdojë në trajtë dëshpërimi. Një mentor ju qëndron afër në vuajtje dhe pastaj kur të jeni gati, do t’ju forcojë nga ana emocionale për të ecur përpara në një vend më paqësor.

Asgjë nuk po ndodh!

Ndoshta po përpiqeni të përmirësoni biznesin tuaj, vendin e punës, situatën monetare apo marrëdhënien tuaj dhe asgjë nuk duket se po funksionon. Një mentor do të ishte mjaft i nevojshëm. Ai do t’ju ndihmonte të kuptonit përse keni ngecur dhe përse gjërat duket se nuk po funksionojnë siç dëshironi. Atëherë ai ju ndihmon t’i kapërceni vështirësitë, të kaloni eksperiencat e vjetra dhe të dhimbshme dhe të planifikoni se si të merrni atë që doni vërtet.

Si ta bëj të ndodhë?

Ka diçka në jetën tuaj që e doni me çdo kusht. Një vend të ri pune, të filloni biznesin tuaj, të njihni dashurinë e jetës, por keni ngrirë nga pasojat që mund të ketë një ndryshim i tillë monumental në jetën tuaj. Mund t’ju duket se jeni në buzë të një gremine që duket se është e pamundur të kalohet. Një këshilltar profesionist i mirë mund t’ju ndihmojë të kaloni frikën, të nxisni rezistencën dhe të tejkaloni gjithçka që ju del papritur kur po krijoni diçka origjinale, entuziazmuese dhe të re.

Çfarë po ndodh kështu?

Në disa raste mund t’ju duket se asgjë nuk ka kuptim. Të mësoni si të identifikoni dhe të hiqni dorë nga eksperiencat e dhimbshme që ndodhin përreth jetës suaj, ju ndihmon shumë në rikthimin e paqes në ndërgjegje. Kjo zakonisht ju jep një dorë në pastrimin e rrëmujave  që ndodhin në jetën tuaj.

Një mentor shumë i mirë do t’ju ndihmojë të largoheni nga pjesa e dhimbshme dhe ta përdorni energjinë negative si forcë për ta çuar jetën tuaj përpara dhe për të dashur njerëzit që keni përreth.

Po tani çfarë do të ndodhë?

Nëse sapo jeni larguar nga një punë që ju merrte shpirtin apo nga një marrëdhënie e keqe, urime! Merrni frymë thellë dhe pranoni që jeni një hap më afër një jete më të lumtur dhe me të kënaqshme.

Largimi nga gjërat që nuk i doni është hapi i parë. Ju mund të mos e dini se cilat do të jenë hapat e ardhshëm, por një mentor i mirë mund t’ju ndihmojë ta bëni këtë gjë. Kështu do të jeni në gjendje të krijoni një jetë ideale dhe plot gëzim.

Këshilla

Të gjitha sfidat e mësipërme mund të përballohen edhe vetëm, por nëse jeni të interesuar ta përshpejtoni zhvillimin tuaj personal dhe të ndryshoni jetën tuaj, një mentor mund t’ju ndihmojë shumë.

Secili nga këshilltarët profesionistë është i ndryshëm. Është mirë që të gjeni një me të cilin ndiheni vërtet rehat. Shumica e mentorëve ofrojnë një konsultim falas që të krijoni idenë e stilit që do të ndiqet. Këta nuk janë terapistë, por do t’ju mbështesin të krijoni llojin e jetës së bukur që dëshironi.

Më e rëndësishmja është të zgjidhni një person që të mos ju tregojë se çfarë duhet të bëni. Një profesionist i vërtetë do t’ju ndihmojë të zbuloni veten dhe rrugën që dëshironi të ndiqni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat