Rreziqet që na vijnë nga marrëdhënia dashuri-urrejtje me miqtë

Life style

Rreziqet që na vijnë nga marrëdhënia dashuri-urrejtje me miqtë

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 19:51
Foto ilustrim

Rreth gjysma e të njohurve tanë mund të jenë miq që i urrejmë dhe ata shpesh kanë ndikim befasues në psikologjinë tonë dhe mirëqenien fizike.

Të gjithë kemi miq të cilët i pëlqejmë, po aq sa dhe i urrejmë. Por këta “armiq” mund t’ju prekin shëndetin tuaj. Ndonëse ju i doni këta njerëz, ata mund t’ju çmendin. Rrallë mund të përfundoni një bisedë pa bërtitur dhe pa ofenduar njëri-tjetrin.

Të gjitha ndjesitë e bukura dhe mërzitë që ju vijnë nga shoqërimi me miqtë që njëkohësisht i urreni do t’ju çojnë në një pështjellim ndjenjash që nga pendimi deri te zemërimi dhe faji.

Kohët e fundit, miqësitë po tërheqin vëmendje serioze nga psikologët. Ata madje kanë gjetur një term për miqësitë ambivalente. Sipas Julianne Holt-Lunstad nga Universiteti Brigham Young në Utah, mesatarisht rreth gjysma e rrethit tonë shoqëror konsiston në njerëz që i duam dhe i urrejmë njëkohësisht. “Është e rrallë të hasësh dikë që nuk ka të paktën një shoqëri ambivalente”, thotë ajo.

Ky mund të jetë një problem më i madh nga sa duket në fillim. Puna e Holt-Lunstad sugjeron se këta “armiq” mund të dëmtojnë shëndetin tuaj më tepër sesa njerëzit që vetëm i urreni. Ata madje mund të rrezikojnë mirëqenien tuaj dhe t’ju vënë shëndetin në rrezik. Por përse vazhdojmë ne të kemi ende këto marrëdhënie toksike?

Për të kuptuar këtë gjë duhet të shohim në ndikimin që rrjetet tona sociale kanë te ne. Kryesisht një përzierje miqsh dhe të njohurish perceptohej si mbrojtje. Analizimi i 150 studimeve të publikuara tregon se lidhjet e forta shoqërore e pakësojnë rrezikun tuaj të vdekjes po aq sa heqja dorë nga duhani. Të qenët i vetmuar është dyfish më i dëmshëm sesa të qenët obezë.

Por, përse ndodh kjo? Miqtë supozohet të na ndihmojnë të qetësohemi dhe të na mbrojnë nga stresi. Stresi rrit presionin e gjakut dhe çliron molekulat inflamatore që na e shtojnë rrezikun për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme.

Miqtë na ndihmojnë të kemi një përgjigje më të butë ndaj faktorëve stresues. Mungesa e lumturisë dhe vetmia e tepërt i shton këto procese dhe çon në probleme më të mëdha, si për shembull humbja e gjumit.

Studiuesit besojnë gjithashtu se miqësia ka edhe funksione të tjera. Evolucioni i njeriut është nxitur pikërisht edhe prej këtyre grupeve të mëdha shoqërore. Grupimi i njerëzve bën që ata të jenë më të bashkuar në luftën ndaj streseve të përbashkëta dhe të çajnë përpara duke qenë koherent. Për këtë arsye, si mbledhje e forcave të përbashkëta, kërkuesit besojnë se ne tolerojmë “armiqtë”.

Në një prej studimeve të para që analizuan pasojat e miqve që urrejmë në shëndet, ishte ai i matjes së presionit të gjakut te pjesëmarrësit. Njerëzve iu mat presioni i gjakut për çdo person që takonin. Kërkuesit zbuluan se kur takojmë miq që na mbështesin, presioni i gjakut është i ulët. E kundërta ndodh kur kemi të bëjmë me njerëz armiqësorë, kolegë që ju ofendojnë apo shefat që kanë lëkundje humori. Por zbulimi më interesant ishte se presioni i gjakut shtohej më shumë kur takojmë miqtë që i duam dhe i urrejmë.

Eksperimentet e mëpasshme konfirmuan edhe më tej zbulimet. Sa herë që ndërveproni me një mik/e që mes jush ka dashuri dhe urrejtje, presioni i gjakut ju shtohet, po ashtu edhe ankthi. Thjesht ideja që ju duhet të bisedoni me ta, ndikon negativisht në stresin tuaj dhe në rrahjet e zemrës.

Marrëdhëniet tona me të tjerët kanë impakt jo gjithnjë direkt, por gjithsesi çdo person që takojmë ndikon në një mënyrë apo në një tjetër te ne. Madje gjithçka që ju kujton disa njerëz të caktuar, nxit po ashtu reagimin e trupit tuaj.

Në këtë mënyrë, “armiqtë” duket se janë mes njerëzve më stresues që mund të hasim. Edhe nëse biseda ju shkon mirë, thjesht stresi se nga çasti në çast mund t’ju plasë ndonjë zënkë mjafton për t’ju bërë të ndiheni keq. Për më tepër, pasja vazhdimisht pranë e këtyre njerëzve mund ta bëjë edhe më të dhimbshëm ndërveprimin tuaj sesa me njerëzit që mund t’i shmangni. Gjërat që bëjnë dhe thonë miqtë që ju urrejnë apo i urreni, ndikojnë shumë nga aspekti emocional por edhe shëndetësor.

Njerëzit e kanë më të lehtë të shpërfillin si të pavërteta gjërat që i thonë armiqtë e tyre sesa miqtë që në fakt i urrejnë. Me kalimin e viteve dhe dekadave, këta njerëz që sa i doni, aq edhe i urreni mund të kenë pasoja shumë të mëdha për shëndetin tuaj. Kërkuesit madje mendojnë se kjo mund të shkojë deri te dëmtimi i ADN-së. Çdo kromozom ka lidhje të cilat me kalimin e moshës dobësohen dhe lënia e pambrojtur e një qelize shton rrezikun e prekjes nga sëmundjet. Stresi ndikon në dobësimin e mëtejshëm të mbështjelljes së kromozomeve.

Jo gjithnjë është e thjeshtë t’i largoni këta njerëz nga rrethi juaj miqësor, veçanërisht prej faktit se ata mund të jenë miq prej një kohe të gjatë. Të pyetur përse i mbanin pranë këta “armiq”, pjesëmarrësit në studime u përgjigjën se e bënin prej një lloj besnikërie. Kalimi i viteve sikur e shton jetëgjatësinë e miqësisë që i ka bazat tek urrejtja.

Si është mënyra më e mirë për t’u përballur me armiqtë që i keni njëkohësisht miq? Strategjia personale mund të jetë të diskutoni me ta dhe t’i shpjegoni se si qëndron puna derisa të arrini në një mirëkuptim të përbashkët.

Disa kërkime sugjerojnë se meditimi i rregullt mbi miqtë dhe të njohurit mund t’ju përmirësojë mirëqenien dhe shëndetin psikologjik. Por, gjithsesi, kur vjen puna te miqësitë tona, çdo person e di vetë se si vepron. Ajo që duhet të keni parasysh është se miqtë që njëkohësisht i doni dhe po aq shumë i urreni, ju dëmtojnë shëndetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat