Dhuratat për festat e fundvitit, çfarë zbulojnë për ne

Life style

Dhuratat për festat e fundvitit, çfarë zbulojnë për ne

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 06:29
Ilustrim

Më thuaj çfarë dhurate bën të të them se cili je: egocentriku, gjeniu, i painteresuari dhe ricikluesi. Kemi përzgjedhur dhjetë profile të personave që dhurojnë, të studiuar nga psikologët dhe ekonomistët. Dalloni ndonjë mik, të afërm ose… Veten?

Dhuratat e festave të fundvitit? Secili – kur bën dhurata për rrethana të ndryshme – ka një “stil” të vetin. Këto dhurata thonë shumë për personalitetin tonë, si i menaxhojmë marrëdhëniet me të tjerët dhe se sa të zotë jemi (ose jo) që të na kuptojnë. Jo rastësisht, dhuruesi dhe dhuratëmarrësi janë objekt studimesh për psikologët, antropologët dhe ekonomistët. Në bazë të studimeve të tyre kemi përzgjed hur dhjetë profile dhuruesish…

Egocentriku

Ndoshta ndër të gjithë, është ai që gëzon më shumë kur bën dhurata për të afërmit, miqtë, familjarët dhe pa dyshim, edhe vetes. Egocentriku ka mësuar të triblojë stresin e bërjes së dhuratave, duke zgjedhur gjëra për të cilat është i sigurt që do t’i pëlqejnë të paktën një njeriu, qoftë ai femër apo mashkull. I përket kategorisë së njerëzve duarartë: një pikturë që e ka bërë vetë, një vazo të ngjyrosur me bojëra uji. Edhe këtu, dhurata shpreh në mënyrë narciste personalitetin e dhuruesit. Bëjnë përjashtim dhuratat e bëra vetë, por me dashuri, si shajet e thurur me shtizat e nënës apo gjyshes. Me një dhuratë të tillë, mesazhi është: “mos u ftoh, të dua fort”.

Gjeniu

Është ai që gjen dhuratën e duhur për të gjithë. Por si ia bën që zgjedh dhuratën perfekte? E thjeshtë: është empatik, qoftë edhe në zgjedhjen e një palë papuçe për gjyshen, për hallën apo për një kolege që do të dalë në pension. Ia del ta vërë veten në vend të tjetrit, për të imagjinuar dëshirat e tij. Veç të tjerash, di të kalibrojë “madhësinë” e dhuratave të tij, për të mos vënë në siklet dhuratë-marrësin. Pastaj është edhe çështje gjinie: të mos u vijë keq meshkujve, por në përgjithësi femrat janë më të zonjat në zgjedhjen e dhuratës së duhur.

Në këtë përfundim ka arritur edhe një studim i Universitetit të Tilburgut (Vendet e Ulëta), i udhëhequr nga Monique M.H. Pollmann. Studiuesit u kërkuan meshkujve dhe femrave të zgjidhnin një dhuratë, nga një listë objektesh, për një mik apo të afërm që ia kishte rrëfyer më parë preferencat e tij. Në përfundim të studimit, doli në pah se femrat kishin zgjedhur më shpesh dhuratën perfekte. Sipas Pollman, kjo gjë shpjegon një interes më të madh të femrave, kundrejt të tjerëve.

Dëshiruesi

Mendon, sforcohet, kërkon kudo dhuratën e përsosur. E megjithatë, dhurata e tij, e shumëmenduar, rri trishtueshëm mbyllur në një sirtar. Një grup studiuesish, i udhëhequr nga Mary Steffel në “University of Cincinnati” (SHBA) ka shpjeguar arsyen: dëshiruesi sforcohet të gjejë një dhuratë “të personalizuar”, me të cilën mundohet të tregojë se e njeh mirë tjetrin. Ironia është që ne – kur jemi nga ana e atij që merr dhuratën – në vend të një dhurate të personalizuar, preferojmë një më të thjeshtë.

Për të vërtetuar studimin e saj, Steffel, i kërkoi dy grupeve vullnetarësh të imagjinonin veten në vend të atij që dhuron, ose që merr një dhuratë dhe të zgjidhnin mes dy mundësive: një kupon për dyqanin e preferuar ose një dhuratë të caktuar. Është pikërisht në këtë pikë, ku dhuruesi ngec e bllokohet, edhe pse ka qëllimet më të mira. Kur ekzagjeron me personalizimin e një dhurate miku që preferon një cocktail Margarita mund të mos e përdorë asnjëherë makinerinë që e bën këtë pije në shtëpi dhe në vend të saj preferon të marrë si dhuratë një shtrydhës frutash.

I detyruari

I bën dhuratat, por vetëm sepse është një detyrim social nga i cili e ka të pamundur të përvidhet. Kur nuk ka një ide se çfarë të dhurojë, shpëtimi i tij janë koleksionet e këngëve. I pëlqen të jetë pjesë e një grupi dhuruesish, pasi zgjidhja për të shtuar pjesën takuese të lekëve i duket ideale. Nuk është dorështrënguar, as i pandjeshëm, është thjesht shumë i ngarkuar nga problemet për të gjetur kohë për dhurata. Maksimumi përqendrohet në një dhuratë, në përgjithësi ajo për personin që dashuron.

I painteresuari

Edhe ai nuk i shmang ceremonitë. Por është pa ide, dhuron verbërisht, pa u munduar shumë që të gjejë dhuratën e duhur për këdo: nga setet e sapunëve, te kutitë e çokollatave, çdo dhuratë është e mirë për të, mjafton të jetë e paketuar me një fjongo të bukur. Bëhet fjalë për njerëz me pak aftësi relacionale. I painteresuari nuk është empatik dhe ka tendencën ta fokusojë vëmendjen jo tek substanca, por tek efekti. Në fund të fundit, a nuk thuhet: “Rëndësi ka mendimi”? Edhe në këtë rast, kjo është një strategji për të evituar stresin e blerjes së dhuratave.

I vonuari

E shtyn pafundësisht blerjen e dhuratave dhe ja ku vjen 24 dhjetori dhe akoma nuk ka bërë asnjë dhuratë. Është i pakorrigjueshëm, dhe megjithatë, mbledh forcat dhe pothuajse gjithmonë ia del mbanë. Ky është sekreti i atyre që i lënë gjërat për në çastin e fundit. Është “dhuruesi i minutës së fundit” i përket në veçanti kategorisë së të vonuarve, e identifikuar nga Diana De Lonzor, autore e “Never Be Late Again” (Asnjëherë mos u vono më). Motivohen nga urgjenca dhe thonë se japin më të mirën e tyre vetëm nëse janë nën tension. I vonuari i bën bisht stresit të dhuratave, duke i përqendruar të gjitha energjitë e tij në një gjest final, një sfidë me veten dhe që i kërkon sforco dhe mund, por që shpesh kanë një rezultat të shkëlqyer.

Ricikluesi

Dhuratat tek ai janë gjithmonë në lëvizje. Duke sfiduar gafat, riadreson tek të tjerët shajet, librat ose setin me qirinj që sapo i kanë dhuruar. Dorështrënguar dhe pa takt, edhe juve do t’ju hipnin nervat po t’jua bënte dikush kështu. Por, e ka një anë pozitive: është shpesh i trazuar nga dëshira për të bërë dhuratën e duhur te personi i duhur. Ç’i duhet një shishe verë e shtrenjtë, kur ai vetë nuk e pi verën? E kështu ia dhuron një kolegu, që i pëlqen shumë vera dhe di ta vlerësojë këtë dhuratë.

Edhe studimi shkencor e justifikon praktikën e të tjerëve, të cilët anglosaksonët e quajnë “regifting”. Një studim i universitetit të Stanford, Harvard dhe të London Business School ka analizuar edhe këndvështrimet e një dhuruesi riciklues: doli në pah se ai ndihet më pak i lënduar nëse dhuratën që nuk i pëlqen ua kalon të tjerëve që e vlerësojnë.

I parakohshmi

Për këtë kategori dhuruesish, Krishtlindja dhe Viti i Ri është një projekt për të cilin duhet të punojnë disa muaj përpara: janë triumfatorë kur i deklarojnë me mburrje miqve dhe kolegëve se dhuratat i kanë bërë gati disa muaj përpara. Organizimi i dhuratave është një dhuratë që merr udhë nisur nga nevoja altruiste: njerëzit e tillë kërkojnë, bëjnë vetë dhe blejnë dhurata vetëm nga nevoja e tyre për përsosmëri.

Ekzibicionisti

Është një narciz, me një dobësi të madhe për dhuratat megalomane. Sipas psikologëve, dhuratat e tyre transmetojnë një mesazh të vetëm: “Unë mundem”. Por, dhuratëmarrësi mund të mos e pëlqejë bujarinë e këtij gjesti, dhe kështu lind një ndjesi borxhi që mund të arrijë deri aty sa të vërë në krizë marrëdhënien mes tyre.

Antipatiku

Është jo-dhuruesi, me emrin e monstrës anti-Krishtlindje, i ideuar nga Dr. Seuss. I kundërti i kolegut që ka përherë një pako për të gjithë. Nuk bën dhurata, duke thënë se është anti-konsumator. Mbase është dorështrënguar? Në fund të fundit, mund të jetë dhe kështu. Në këtë pikë i jep të drejtë edhe Joel Waldfogel, ekonomist i Universitetit të Minnesota-s (SHBA). Në librin e tij “Scroogenomics: Why You Shouldn’t Buy Presents for the Holidays” (“Scroogenomics” pse nuk duhet të blini dhurata për festa), ai këmbëngul se në këndvështrimin financiar, të blesh gjëra për njerëzit, të cilëve nuk ia di preferencat, është një mënyrë e tmerrshme për të shpërdoruar të ardhurat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat