Miqtë ndikojnë te ne për zakonet e të ngrënit

Life style

Miqtë ndikojnë te ne për zakonet e të ngrënit

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 17:35
Foto ilustrim

Studimi – Kërkuesit kanë zbuluar se personat me të cilët konsumoni ushqimin, ndikojnë në mënyrë të pavetëdijshme te ju që të krijoni zakone më të shëndetshme të ushqimit 

Është ditur prej kohësh se njerëzit e përshtatin sjelljen me pritshmëritë sociale ndaj tyre – dhe zgjedhja e ushqimit nuk përbën përjashtim.

Dhe ajo që miqtë tuaj konsumojnë ka një ndikim të madh në dietën tuaj gjithashtu, paralajmërojnë shkencëtarët.

Ekspozimi ndaj mesazheve që promovojnë të ngrënit shëndetshëm mund të tundojnë njerëzit që të ushqehen më mirë, ndërsa pakësojnë vaktet e ndërmjetshme, sugjeron kërkimi i ri.

Nëse shihni që të tjerët po e shijojnë konsumin e frutave dhe perimeve, kjo ka një efekt shumë të fuqishëm, pasi konsiderohet si një “normë shoqërore”.

Kërkuesit nga Universiteti i Birmingham-it u kërkuan pjesëmarrësve të vlerësonin postera të ndryshëm.

Një grup pa një poster ku shfaqeshin rezultatet e një anketimi që sugjeronte se studentit të zakonshëm i pëlqente të hante shëndetshëm, ndërsa grupi tjetër pa fakte që nuk kishin lidhje rreth universitetit.

Atyre iu kërkua të vlerësonin emocionet e tyre dhe të shijonin ushqime të shëndetshme, përfshirë kastravecin dhe rrushin, si dhe disa ushqime të tjera me shumë kalori, si biskotat dhe patatinat.

Pjesëmarrësit që u ekspozuan ndaj posterit që nxiste konsumin e ushqimit të shëndetshëm konsumuan më tepër kastravec dhe rrush gjatë testit, por vetëm nëse nuk konsumonin zakonisht fruta dhe perime në dietën e përditshme.

Ata që tashmë hanin çdo ditë fruta dhe perime nuk hëngrën më shumë kastravec apo rrush, por më pak biskota dhe patatina.

Është interesante se shumica e njerëzve nuk ishin në dijeni të faktit se dy studimet ishin të lidhura dhe nuk ishin të vetëdijshëm se sjellja e tyre ishte devijuar nga ekspozimi ndaj mesazhit.

Sipas autorëve të studimit, zbulimet e tyre tregojnë për një qasje të re të promovimit të konsumit të ushqimit të shëndetshëm.

Dr. Jason Thomas tha: “Mund të jetë më efektive në kuptimin e promovimit të shëndetit të nënvijëzohet se sa shumë u shijojnë të tjerëve perimet dhe frutat, në vend që t’u thuhet njerëzve se ato u bëjnë më mirë atyre”.

Kërkuesit tani janë të interesuar të zbulojnë më tepër përse mesazhet që kalojnë nga shoqëria janë efektivisht me më shumë ndikim dhe nëse kjo strategji mund të zbatohet në mjedisin e kafeneve dhe supermarketeve.

Zbulimi vjen pas një studimi që arriti në përfundimin se ne jemi më të lumtur kur konsumojmë fruta dhe perime.

Një studim analizoi mbi 12,000 njerëz dhe zbuloi se ka një lidhje mes konsumit të ushqimit dhe kënaqësisë që kemi për jetën. Lumturia e pjesëmarrësve në studim shtohej për çdo porcion shtesë të frutave dhe perimeve nga masa e zakonshme prej tetë frutash/perimesh në ditë.

Kërkuesit nga Universiteti Varvik zbuluan se përmirësimet në mirëqenie ndodhnin brenda dy viteve – shumë më shpejt se përfitimet në shëndet.

Në studim, ata që kaluan nga konsumi i pothuajse asnjë fruti dhe perimeve në ditë në tetë racione në ditë përjetuan një rritje të madhe të kënaqësisë në jetë e barasvlershme me kënaqësinë që vjen nga kalimin prej papunësisë në gjetjen e një vendi pune.

Si ndikojnë miqtë te zakonet tuaja të ushqimit?

Në mënyrë të pavetëdijshme ne pasqyrojmë zakonet e të ngrënit të miqve tanë. Ideja e këtij supozimi lidhet me modelet që ne ndjekim. Nëse synoni të bëheni si dikush me të cilin po darkoni, atëherë ju keni më tepër gjasa të ndiqni zakonet e tij/saj në ushqimin që do të konsumoni edhe vetë.

Kërkimet kanë treguar se kjo influencë është e pranishme kurdo, por është më e madhe gjatë konsumit të darkave sesa në dreka apo gjatë mëngjesit. Ajo për të cilën kërkuesit bien dakord është fakti se shumica e këtyre sjelljeve ndodhin në mënyrë të pavetëdijshme.

Kjo do të thotë se për shembull nëse po hani darkë me një mik, apo qoftë kjo edhe një drekë, në mënyrë jo të vullnetshme ju do ta nxisni veten të hani më shumë ose më pak. Kjo thjesht ndodh pa dijeninë tuaj.

Megjithatë, kërkuesit nuk e kanë të qartë nëse ky ndikim ndodh vetëm drejtpërdrejt kur miqtë tuaj janë në të njëjtën hapësirë me tuajën, apo ndikimi është i përhapur kudo.

Ajo që dihet me siguri është se miqtë tuaj ndikojnë shumë në mënyrën se çfarë hani apo sa shumë konsumoni nga ai ushqim. Kujt do t’i kishte shkuar në mendje se kjo po ndodhte? Njerëzit me të cilët uleni në tavolinën e bukës ndikojnë shumë te ju!

Një studim i kohëve të fundit gjithashtu zbuloi se partnerët që dilnin në takim të parë për t’u njohur në mënyrë romantike kishin më shumë gjasa të lidheshin nëse porositnin të njëjtin ushqim gjatë darkës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat