Roman dashurie: Triumfi i dashurisë

Life style

Roman dashurie: Triumfi i dashurisë

Më: 1 janar 2021 Në ora: 10:56
Foto ilustrim

"Nuk jam mësuar unë të kënaqem, jo. E di, do të më ndodhë diçka e keqe sot. Kënaqu Fatime budallica, kënaqu. Djalin ta kanë çue në "lludnicë" e ti bëj sefa! Veç edhe petulla dhe hallvë të ka mbetur të qesësh"! Dhe, Fatimja ia doli që ta bënte veten të kthehej në normalitetin e saj të përditshëm - të ndihej keq dhe e frikësuar. - Çohu, Nurije! Nurija brofi në këmbë e frikësuar, me ta prekur e ëma. - Nënë, çka u bë? A Luftimi diçka, a?! - Jo, jo! Hala nuk u bë kurrgjë. Por, mos ki merak! Do të shohësh se sot do të ndodhë një bela e madhe! Nurija e shikoi të ëmën me një dozë të madhe zemërimi e urrejtjeje.

Me një zë të një njeriu sapo të zgjuar nga gjumi, ajo iu drejtua të ëmës. - Ku po e di ti, mori?! Kush të tha se do të bëhet belaja?! - E sheh ti, e sheh! Fatimja me vrull mori fshesën në dorë dhe doli ta fshinte oborrin. E Nurija pasi që qëndroi disa minuta pa lëvizur, u ngrit disi pa vullnet, u vesh dhe doli t'i lante sytë te bunari, që gjendej prapa shtëpie. Fatimja e përcolli me sy, derisa iu fsheh prapa shtëpisë. "O Zot, të lutem që të m'i ruash evlatët. Ruami evlatët, o Allah nga këta armiq që nga të gjitha anët na janë mësy dhe duan të na hanë për së gjalli. Jeta ime shkoi si shkoi, të lutem o Zot bile evlatët qitmi në selamet, e mos mi le që të hjekin keq"! Nurija u afrua te rrethi i vjetër dhe i rrëzbitur i bunarit. Ishte ky një rreth druri, të cilin po ta shtyje pak më me forcë, me gjasë do të rrëzohej i tëri.

Ajo zgjati kokën mbi bunar dhe pa reflektimin e vet në ujë. Përsëri i erdhi mendimi që të hidhej në bunar. "Kështu do të marrë fund gjithçka, të gjitha vuajtjet e mia". Kova që i ra nga dora e zhduki reflektimin e saj në ujin e bunarit dhe sikur ia largoi paksa mendimet ogurzeza. Nxori kofen lart dhe lau sytë. Uji ishte i ftohtë, akull dhe përpos fytyrës, sikur ia shpëlau sadopak edhe mendimet pesimiste. U kthye brenda në shtëpi për të rregulluar ato dy-tri orendi që i kishin. Një qëndisje e madhe muri, e vjetruar dhe vende-vende e shqyer, në njërin kënd të saj kishte rënë poshtë, duke vënë në pah disa vrima të murit, nga të cilat shumë lehtë mund të shiheshin dhitë, që gjendeshin në anën tjetër të murit, në ahur.

Pasi gjeti thumbin në tokë, kushedi për të satën herë Nurija e ngjiti qëndisjen në mur. Dhoma e tyre e vetme, e cila shërbente si dhomë dite, si kuzhinë, dhomë gjumi dhe dhomë mysafirësh, deri në mes kishte një dysheme të pashtruar, vetëm me dhe, kurse nga gjysma e andej dyshemeja ishte më e lartë dhe ishte e shtruar në dërrasa. Në një kënd të dhomës, prapa derës, gjendej "hamamxhiku", apo vendi ku laheshin anëtarët e familjes.

Prej se ishte rritur Luftimi, kur ai duhej të lahej, Fatimja dhe Nurija ose dilnin në bahçe, ose, nëse ishte dimër dhe bënte ftohtë, shkonin në ahur, te dhitë e tyre leshkuqe. Dhe, anasjelltas. Por, muajve të fundit Luftimi nuk ishte larë thuajse krejt as dy-tri herë edhe atë vetëm me insistim të motrës dhe nënës. Afër hamamxhikut gjendej ai që dikur kishte qenë shporet i druve, e tani ngjasonte në një fantazmë-shporet - gjithandej i shqyer dhe i arnuar me llastra të ngjyrave dhe trashësive të ndryshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat