Çfarë përfitojnë fëmijët nga joga dhe si ndikon kjo praktikë tek ta

Life style

Çfarë përfitojnë fëmijët nga joga dhe si ndikon kjo praktikë tek ta

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 17:52
Foto ilustrim

Të gjithë ata që kanë praktikuar joga, e dinë se kjo praktikë fizike, është shtegu që udhëheq drejt një destinacioni shpirtëror: meditimi. Në “joga.al” nuk është qëllim më vete që fëmijët të disiplinohen në meditim, por, aty hidhet “fara” e kësaj praktike. Nuk ka rëndësi se sa mund të qëndrojë një fëmijë duke medituar, rëndësi ka që mediton. “Klasat me fëmijë janë krejt eksperiencë tjetër.

Ato nuk kanë asnjë lloj pritshmërie, nuk e intelektualizojnë atë çfarë do të ndodhë. Dhe praktika e meditimit ndodh me më shumë lehtësi te fëmijët, sesa te të rriturit, sepse, ata janë shumë më të hapur dhe thithin gjithçka si një sfungjer”, - shpjegon Lea mësuesja e Jogës

Përfitimi i parë është se ata forcohen fizikisht. Mësojnë se ushtrimet dhe lëvizja fizike janë argëtim dhe jo torturë për trupin. Bëhen më fleksibël, mësojnë të njohin frymëmarrjen e tyre dhe mësojnë që nëpërmjet frymëmarrjes, ata mund të kontrollojnë mënyrën se si ndihen. “Nëse arrin të kontrollosh frymëmarrjen, arrin të kontrollosh mendjen dhe kështu ke në kontroll jetën tënde”, - thotë Lea.

“Këto janë aftësi që fitohen dhe ruhen për tërë jetën. Ne u krijojmë fëmijëve aftësinë që të kthehen nga vetja. Në qoftë se 90% të ditës e kalojmë jashtë vetes, klasat e jogës u krijojnë fëmijëve mundësinë e parë që të tërhiqen dhe të shohin brenda saj, duke i kushtuar vëmendje asaj çka ndodh aty”. Është antistres dhe rrit vetëbesimin. U mëson fëmijëve se si të paraqesin veten në grup dhe se si të kenë respekt për veten. U krijon mundësinë që të kontaktojnë me trupin e tyre fizik. Joga nuk është një praktikë garuese. Gjërat ndodhin në grup, por secili është aty për t’u fokusuar te vetja.

Nuk pritet përsosmëri dhe fëmijët mësojnë që gjërat duhet t’i bëjnë mirë për vete, jo për të tjerët. I qetëson, sepse edhe ata përjetojnë stres njësoj si të rriturit. Ndaj dhe vlerësohet që joga te fëmijët krijon efekte të menjëhershme në eliminimin e ankthit dhe depresionit. Ashtu si edhe për të rriturit, kjo praktikë u krijon ekuilibrin e madh: trup, mendje, shpirt. Pra, nuk është vetëm aktivitet fizik me shumë dobi për të vegjlit, por edhe shumë shpirtëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat