Yoga buzë detit

Life style

Yoga buzë detit

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 19:49
Foto ilustrim

Nëse je adhurues i jogës, ose ndonjë kureshtar/e për ta provuar, vera është stina ideale për të përftuar më të mirën prej ushtrimeve që qetësojnë jo vetëm trupin, por dhe mendjen e shpirtin. Kur bën joga në natyrë, ajri i pastër përforcon efektin e ushtrimeve të frymëmarrjes, teksa tingujt e butë të natyrës ndihmojnë mendjen të shkojë më shpejt e më natyrshëm në zonën e rehatisë ku supozohet ta çojë joga.

Pse t’i bësh ushtrimet në shtëpi, ku me një CD të përpiqesh të imitosh zërat e natyrës, kur i ke ata vetëm pak hapa larg? Nga ana tjetër, joga buzë detit, si një nga alternativat për të bërë ushtrime në natyrë, është ideale, pasi bashkë me tingujt e detit apo ajrin e pastër, fut në trup dhe jodin e shëndetshëm. Instruktorja Oriola Madhi nga “Tirana Yoga” organizon prej vitesh grupe studentësh, me të cilët bën gjatë verës joga buzë detit...

Unë quhem Oriola Madhi dhe jam instruktore e jogës prej vitesh tashmë (yogatirana@ gmail.com). Vitin e kaluar jam certifikuar nga shkolla indiane “Sampoorna Yoga”, së bashku me koleget e tjera, që japin mësim në studion tonë. Ideja për joga ka lindur nga biseda të rastësishme në aktivitete sportive në natyrë, të cilat si mënyra të ndërgjegjshme jetese, kanë të përbashkëta me jogën.

Shumë prej nesh bëjnë sporte në natyrë, si ecje e ngjitje në mal, grupe ku ndajmë e kultivojmë kulturën e aktivitetit fizik dhe mirëqenies në përgjithësi. Disa prej praktikuesve në studion tone merren dhe me sporte të tjera, por kanë zgjedhur fillimisht jogën si mënyrë për të balancuar përvojën sportive nëpërmjet ushtrimeve relaksuese që ofron ajo, si dhe teknikave të frymëmarrjes. Por me kalimin e kohës kanë gjetur shumë më tepër se aq, kështu që joga është bërë tashmë pjesë e rutinës së tyre ditore. Joga në det, apo në përgjithësi në natyrë, është mënyra më e mirë e praktikimit.

Qëllimi kryesor i saj është bashkimi i trupit, mendjes e frymëmarrjes. Praktikimi i ushtrimeve në natyrë, në ajër të pastër, ndikon pozitivisht në furnizimin me oksigjen të trupit, duke pasur parasysh se frymëmarrja e thellë praktikohet vazhdimisht, nga një lëvizje në tjetrën. Madje lloji i jogës që ne praktikojmë më së shumti quhet Vinyasa që përkthehet “lëvizje që kanë lidhje me frymëmarrjen”, ndaj sidomos në këtë praktikë, ajri i pastër është themelor për të ushtruarit dhe përfitimin e efekteve të plota e të thella. Natyrisht që joga praktikohet edhe në studio ose shtëpi, por gjithnjë duhet të kujdesemi që ambient të jetë i ajrosur mirë. Çdo lloj ushtrimi është i përshtatshëm të bëhet buzë detit, por për disa ushtrime, sidomos ato të balancës duhet parë dhe terreni. P.sh. një plazh me gurë mund të jetë disi më i vështirë se ai me rërë. Praktikantët me të cilët punojmë janë të moshave të ndryshme, femra dhe meshkuj, të huaj dhe shqiptarë, madje ka dhe fëmijë, sepse joga nuk njeh kufij moshe. Orari më i përshtatshëm për ushtrime është lindja dhe perëndimi i diellit. Pra, në varësi të periudhës së vitit, përpara orës 7 të mëngjesit dhe rreth orës 7 të mbrëmjes. Zhurma e detit dhe çdo tingull tjetër natyre ndikon pozitivisht në praktikën e jogës dhe e plotëson më së miri këtë përvojë. Nëse ka zhurma të tjera të panatyrshme, si bori makinash, etj., praktika është disi më e vështirë. Sfida e vërtetë e jogës mbetet kultivimi i paqes e qetësisë së brendshme, pavarësisht asaj se çfarë ndodh jashtë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat