Në çfarë formati duhet ta dërgoni një CV kur aplikoni për punë

Life style

Në çfarë formati duhet ta dërgoni një CV kur aplikoni për punë

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Ju keni gjetur një pozitë të lirë pune ku doni të aplikoni. E keni shkruar dhe përshtatur CV-në tuaj ku tregoni se pse jeni personi i duhur për atë punë. Por para se ta dërgoni atë, ju keni dilemma si: Cili format i CV-së është më i miri? A duhet të ngarkoni CV-në tuaj si PDF ose si Word doc?

Fatkeqësisht, nuk ka një përgjigje që veçon njërën ose tjetrën formë të CV-së. Disa ekspertë të kërkimit të punës rekomandojnë PDF ndërsa ka edhe prej atyre që preferojnë Word doc. Ekzistojnë disa rregulla që mund të ndiqni për të bërë zgjedhjen e duhur që i përshtatet situatës tuaj të aplikimit për punë.

Dërgimi i CV-së në formatin Word doc

Dorëzimi i CV-së tuaj si Word doc është një nga zgjedhjet më të njohura për shumë kandidatë dhe kompani. Ky është një format mjaft i përdorur pasi që është lehtë i çasshëm, që do të thotë se gjasat që rekruterët ta pranojnë atë dhe të jenë në gjendje të hyjnë në CV-në tuaj janë të larta.

Përparësitë:

*Word doc është formati standard dhe më i njohur për shumicën e CV-ve;
*Shumica e sistemeve të ndjekjes së aplikantëve mund të lexojnë dokumentet e Word-it;

Mangësitë:
*Shpesh, emrat e kompanive dhe zhargoni i industrisë mund të mos njihet nga fjalori i procesorit të Word dokumentit tuaj. Kjo do të thotë se disa fjalë mund të nënvizohen me ngjyrë të kuqe automatikisht edhe nëse janë të shkruara gramatikisht mirë. Kjo mund të jetë shqetësuese për një rekrutues kur lexon CV-në tuaj dhe mund të duket joprofesionale;
*Ekzistojnë disa dallime të vogla të formatimit midis dokumenteve Word në një Mac dhe Kompjuter. Kjo mund të dëmtojë formatimin në CV-në tuaj nëse një rekrutues ose menaxher punësimi hap dokumentin tuaj Word në një sistem operativ të ndryshëm;

Dërgimi i CV-së në formatin PDF

Sikurse formati Word edhe PDF është format mjaft i përhapur. Formati PDF është zgjedhje e shkëlqyeshme për një numër arsyesh. Më e rëndësishmja është se ky format eliminon rrezikun e dërgimit të një dokumenti të infektuar nga virusi, dhe ruan formatimin tuaj në mënyrë që pranuesi të marrë CV-në tuaj saktësisht siç e keni ruajtur atë.

Përparësitë:

*PDF është lehtë e pranueshme për të dyja sistemet operative, si në Mac ashtu edhe në kompjuter;
*Dërgimi i një PDF eliminon rrezikun e viruseve;
*Ruajtja e CV-së tuaj si PDF siguron që formatizimi të mbetet siç është, dhe nuk mund të bëhen ndryshime në dokument;

Mangësitë:

*Disa sisteme për gjurmimin e aplikantëve nuk mund të lexojnë dokumente PDF. Nëse dërgoni një PDF që programi ATS (sistemet e ndjekjes së aplikantëve) nuk mund ta lexojë, CV-ja juaj nuk mund të arrijë tek rekrutuesi;

Ndiqni çdo udhëzim të aplikimit

Nëse në përshkrimin e punës kompania ka të caktuar formatin e CV-së që kërkojnë nga kandidatët, atëherë ju duhet t’i ndjekni rregullat dhe ta dërgoni CV-në në formatin e kërkuar. Nëse injoroni kërkesat e kompanisë, ka gjasa që CV-ja juaj të mos shqyrtohet fare nga personat kompetent, pasi duke vepruar në këtë mënyrë, ju po jepni përshtypje se nuk i kushtoni vëmendje detajeve dhe  udhëzimeve.

Shikoni se si po aplikoni

Jo të gjitha CV-të dërgohen te rekrutuesit dhe menaxherët që punësojnë në të njëjtën mënyrë. Forma se si transmetohet CV-ja juaj mund t’ju ndihmojë të vendosni se cili format është zgjidhja më e mirë. Çfarëdo formati që përdorni, sigurohuni që titulli i CV-së të jetë i qartë dhe i drejtpërdrejtë për punëdhënësin. Në qoftë se kërkesa për punë nuk këshillon ndryshe, përdorni emrin tuaj si pjesë të emrit të CV-së. (Akademi Pune)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat