Mënyra si të rrisni inteligjencën emotive

Life style

Mënyra si të rrisni inteligjencën emotive

Më: 14 prill 2021 Në ora: 12:21
Foto ilustrim

Njeriu është i bukur! Gjithmonë ia del ta rivendosë balancën e humbur, gjithmonë është i orientuar drejt zgjidhjes. Psika e njeriut është e programuar të gjurmojë gjithmonë mundësi për shërim dhe për rikuperim. Edhe kur duket se gjithçka ka humbur apo është luhatur, ajo gjen shtigje që e çojnë drejt triumfit. Pa dyshim!

Sot, njeriu, kudo qoftë nëpër botë, mund të ndjejë shumë gjëra, të cilat deri dje i kishte konsideruar të konsoliduara apo të qëndrueshme, t’i rrëshqasin nën këmbë, të shuhen, madje edhe të humbasin. Ekonomia, puna, shkolla, marrëdhëniet, blerjet, udhëtimet, arritjet, mundësitë e reja sot duken shumë të largëta dhe sikur ne, të gjithë jemi katapultuar në një rrugë që nuk e njohim më.

Gjithsecilit i nevojitet të ridimensionojë pozicionin e vet ndaj gjithçkaje. Të rigjejë veten dhe të krijojë një rrugë të re përpara vetes. Inteligjenca emocionale (EQ) është ai instrument që ndihmon në këtë moment ngërçi, për të lehtësuar stresin, për të zvogëluar tensionin, për të komunikuar në mënyrë efektive, për të kuptuar veten, për të kuptuar të tjerët, për të ndërtuar marrëdhënie të ngushta, për të kapërcyer sfidat dhe për të zgjidhur konfliktet. Të shkojë përsëri drejt ekuilibrit, balancës, suksesit.

Dekada të tëra kërkimesh u deshën për t’i dhënë përgjigje paradoksit që njerëzit me tregues inteligjence (IQ) mesatare ishin më të suksesshëm se njerëzit me tregues të lartë inteligjence (IQ). Dhe më në fund, pas shumë studimesh u zbulua faktori shpjegues i këtij paradoksi, të cilin në vitin 1990 e emërtuan “inteligjenca emocionale”. Ndoshta të gjithëve na ka rastisur të njohim njerëz që janë akademikisht të shkëlqyer, mirëpo janë të paaftë në punë apo jo të suksesshëm në marrëdhëniet sociale. Kjo na tregon, se njerëzit më të zgjuar nuk janë më të suksesshmit dhe më të përmbushurit në jetë dhe se të gjithë, mund të gjejnë mijëra mundësi për të zhvilluar potencialet nëpërmjet inteligjencës emocionale!

VETËMENAXHIMI JU NDIHMON TË JENI EMOCIONALISHT TË QËNDRUESHËM DHE TË MOS HUMBISNI KONTROLLIN

Një ditar në të cilin t’i përgjigjeni gjithmonë pyetjeve; çfarë e shkaktoi stresin, si u ndjeva, si reagova, çfarë bëra për t’u ndjerë më mirë, do t’iu ndihmonte shumë për të identifikuar stresorët e rregullt dhe mënyrën efikase për t’u përballur me ta. Po kaq e rëndësishme është edhe të planifikoni një kohë për t’u argëtuar dhe relaksuar. Ruani një kohë ku mund të pushoni, bëni diçka që ju pëlqen çdo ditë, kujdesuni t’i buzëqeshni çdo ditë vetes suaj dhe të aplikoni praktikat relaksuese si joga, meditimi apo frymëmarrja e thellë.

VETËDIJA, TË QËNDRUARIT “TANI-KËTU”, NDIHMON PËR TË KUPTUAR SE SI EMOCIONET NDIKOJNË MENDIMET DHE VEPRIMET TUAJA

Ju duhet të lidheni me emocionet, t’i njihni dhe t’i pranoni ato. Këtë gjë mund ta arrini duke aplikuar ushtrimet “tani-këtu”, të cilat e zhvendosin preokupimin tuaj gjithmonë në të tashmen, duke vlerësuar ndjesitë fizike dhe emocionale. Mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për t’u lidhur me të tashmen dhe për të qëndruar “tani&këtu” është duke marrë frymë thellë dhe të emërtoni përmes shqisave tuaja; çfarë shihni, dëgjoni, prekni, nuhatni, shijoni. Aplikimi i teknikave “tani-këtu” është çelësi për të qenë i ekuilibruar, përqendruar dhe të keni kontrollin pavarësisht se me çfarë sfidash përballeni në jetë.

KANALIZONI EMOCIONET TUAJA NË REAGIME TË PËRSHTATSHME PËR SITUATËN

Ju nuk mund t’i kontrolloni emocionet. Ju mundeni vetëm të reagoni ndaj tyre. Emocionet janë thjesht sinjale të cilat ju kërkojnë t’i kushtoni vëmendje diçkaje. Jeni ju ata që vendosni nëse ajo diçka është e rëndësishme për ju dhe të zgjidhni reagimin e duhur ndaj atij emocioni. Nuk ka emocion “të mirë” apo “të keq”, ekzistojnë vetëm reagime “të mira” dhe “të këqija”.

Zemërimi për shembull, është një emocion i cili ju përcjell mesazhin se diçka që nuk ju pëlqen ka ndodhur. Çfarë ju bëni pasi zemëroheni është reagimi, i cili mund të jetë pozitiv nëse ju e përdorni zemërimin për t’u mbrojtur, por mund të jetë edhe një reagim shkatërrues nëse lëndoni të tjerët. Pra, e gjitha ka të bëjë me aktin e administrimit të emocioneve; të njihni emocionin, dhe të veproni në përputhje me situatën.

NJOHJA E EMOCIONEVE TË TË TJERËVE NDIHMON NË NDËRTIMIN E MARRËDHËNIEVE TË NGUSHTA

Dëgjoni dhe respektoni nevojat emocionale të të tjerëve. Mësoni ta vlerësoni ekzistencën e tyre dhe t’i pranoni ashtu siç janë, edhe nëse ndonjëherë nuk i kuptoni. Është e nevojshme gjithashtu të njihni mesazhet jo verbale të tjetrit dhe të mos i injoroni ato. Edhe nëse lind ndonjë konflikt mes jush përpiquni ta shihni atë si mundësi për t’u afruar më shumë, për të siguruar lirinë, sigurinë dhe krijimtarinë në një marrëdhënie.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat