Ngjarje e vërtetë: Na bashkoi macja e fqinjit

Life style

Ngjarje e vërtetë: Na bashkoi macja e fqinjit

Më: 18 prill 2021 Në ora: 15:42
Foto ilustrim

- Do të më shitnin për t'i larë borxhet e tyre. Çfarë prindërish ishin këta? Pse kishin marrë borxh nëse nuk kishin me se t'i kthenin ato? Çka iu ishte dashur ai kopsht i marrë? Gjithmonë kishim jetuar mirë, pse tani e kishin bërë këtë marrëzi? Si i kishte shkuar atij ndërmend një gjë e tillë? Athua mendon se dashuria mund të blihet me para? - pyetjet vinin njëra pas tjetrës. Deri të nesërmen nuk dola nga dhoma, e në mëngjes pash fytyrën e pagjumë të prindërve të mi. - Atëherë, çka vendose? - më pyeti nëna në vend të përshëndetjes së mëngjesit. Nuk iu përgjigja, por me shpejtësi shkova në punë. Pasi që mbarova punën u ktheva pa vullnet në shtëpi, e gjatë ditëve në vijim në shtëpinë tonë grindjet u bënë të rëndomta. Nga njëra anë doja të isha e përkushtuar ndaj prindërve, e në anën tjetër nuk doja që të "shitesha". Mendoja e mendoja, duke i analizuar të gjitha mundësitë dhe, në fund, i dëgjova prindërit. Nuk mund të lejoja që ata të nxirreshin në rrugë dhe të bëheshin objekt i talljeve në tërë vendin.

Taulanti erdhi që të më merrte me shumë krushq dhe me një buzëqeshje në buzë. E pash nga dritarja dhe, për një moment, desha që të ikja sa më larg shtëpisë së prindërve dhe nga fati të cilin ma kishin caktuar ata. Ai ishte veshur sipas modës së fundit, e pasi që hyri në shtëpi duke ma dhënë një buqetë me lule, më erdhi që të bërtisja nga dhembja. Por, në vend se të bërtisja, i mora lulet, u kapëm krah për krahu dhe me një buzëqeshje artificiale dolëm para krushqve.

Taulanti më dërgoi deri në altar dhe derisa me mundim e thash atë "po"-në fatale, shikimin e kisha të fiksuar te prindërit e mi. - Mallkuar qofshi - mendova. Natën e parë e kaluam secili në anën e vet të shtratit. Taulanti priste që unë të jepja ndonjë shenjë, e mua as që më shkonte në mend ta bëja një gjë të tillë. shpresoja që ai do të vazhdonte me këtë durim gjatë tërë kohës. Por, pasi që kaluan nja dhjetë ditë pa ndodhur asgjë, Taulanti vendosi që të fuste rregulla të reja në jetën tonë. - Mu mërzit tërë kjo që ndodhi gjatë ditëve të kaluara. A kështu mendon ta kalojmë tërë jetën, a? Unë të dua. Ta dhashë mbiemrin tim, shtëpinë, pasurinë dhe jam i gatshëm që të bëj çdo gjë, vetëm të të shoh duke buzëqeshur. Të dua qysh kur isha djalë i vogël. Më kujtohen gërshetat tua dhe shiritat e bardhë me pika të kuqe. Gjithmonë të shikoja në fshehtësi dhe, atë ditë kur u bëre gruaja ime, m'u duk sikur arrita qëllimin kryesor në jetë. Diana, ti je kuptimi i jetës sime. Pa ty, asgjë nuk ka vlerë. Pa ty nuk ka as mirëdita, e as natën e mirë. Do të bëj gjithçka që do të kërkosh, do t'i arrij yjet në qiell, nëse duhet, vetëm të lutem që ndaj meje të mos sillesh sikur ndaj një qeni. Unë jam burri yt dhe i kam të drejtat e mia, por as që më shkon ndërmend të të detyroj të bësh diçka kundër vullnetit tënd. Do të të jap kohë sa të duash, por dua që edhe ti të mundohesh - më tha. Pas këtyre fjalëve, sikur diçka në mua u rrotullua. - E ke seriozisht? - e pyeta. - Shumë, bile. Të dua më së shumti në botë.

Ti je princesha ime, dielli im, shkëlqimi im. Ti je pasuria ime më e madhe. A mendon se pa arsye do t'i thosha të atit që t'ua falte atë borxh aq të madh prindërve tu? Mos më kupto gabimisht. Mu dha mundësia dhe e shfrytëzova atë. E dija se, përndryshe, ti as që do të mi lëshoje sytë. Ndoshta gabova, por vetëm dashuria më detyroi për një akt të tillë. Nuk do të doja që ndaj meje të ndiesh ndonjë obligim. Jo, kjo nuk më duhet. Dua që të më duash, sado pak. Jam i gatshëm që të ta plotësoj çdo kërkesë tënde për një grimcë dashuri. A mos jam duke kërkuar tepër? - më pyeti me lot në sy.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat