Dëgjoni muzikë para se të flini? Ndoshta s'duhet ta bëni më!

Life style

Dëgjoni muzikë para se të flini? Ndoshta s'duhet ta bëni më!

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 16:02
Foto ilustrim

Një studim i ri sugjeron se muzika para gjumit, për të cilën ju supozoni se ju ndihmon të flini më mirë, në fakt mund të ketë efektin e kundërt. Rezulton se "krimbat e veshit" - një këngë, frazë apo shprehje që ju fiksohet në mendje - mund të ndërhyjnë në ëndrrat e një personi, duke ndikuar në aftësinë e tij për fjetur mirë. 

"Truri ynë vazhdon të përpunojë muzikë edhe kur askush nuk po luan, përfshirë edhe kur jemi duke fjetur", thotë autori i studimit, Michael Scullin, një studiues i gjumit në Universitetin Baylor, në Houston.

Sondazhi i kryer përfshiu 209 pjesëmarrës. Ata plotësuan një seri pyetësorësh mbi cilësinë e gjumit, zakonet e dëgjimit të muzikës dhe frekuencën e krimbave të veshit. Pyetjet përfshinin sa shpesh kishin përjetuar një krimb veshi, ndërsa përpiqeshin të binin në gjumë, kur zgjoheshin në mes të natës dhe kur zgjoheshin në mëngjes.

Pastaj, 50 nga pjesëmarrësit erdhën në laboratorin e Neuroshkencës dhe Njohjes së Gjumit në universitet, ku ekipi hulumtues u përpoq të nxisë krimbat e veshit për të përcaktuar se si ndikonin në cilësinë e gjumit. Studiuesit regjistruan valët e trurit të pjesëmarrësve, rrahjet e zemrës, frymëmarrjen etj, ndërsa ata flinin. Studiuesit gjithashtu lexuan EEG - regjistrime të aktivitetit elektrik në tru - për të ekzaminuar shënjuesit fiziologjikë të konsolidimit të kujtesës të varur nga gjumi. Konsolidimi i kujtesës është procesi me të cilin kujtimet e përkohshme riaktivizohen spontanisht gjatë gjumit dhe shndërrohen në një formë më afatgjatë.

Studiuesit luajtën tre këngë: Taylor Swift "Shake It Off", Carly Rae Jepsen "Call Me Maybe" dhe Journey's "Don't Stop Believing". Pjesëmarrësit raportuan nëse dhe kur kishin përjetuar një krimb veshi. Pastaj studiuesit analizuan nëse kjo ndikoi në gjumin e tyre. Njerëzit që përjetuan krimba veshi kishin më shumë vështirësi për të fjetur, më shumë zgjime gjatë natës dhe kaluan më shumë kohë në faza gjumi të lehtë.

Studimi zbuloi se individët me zakone më të mëdha të dëgjimit të muzikës përjetuan krimba veshi të vazhdueshëm dhe një rënie të cilësisë së gjumit. Sipas këtyre gjetjeve, rezultatet janë në kundërshtim me idenë e muzikës si një hipnozë që mund të ndihmojë në gjumë.

Gjetjet u botuan më 9 qershor në revistën Psychological Science. 

"Pothuajse të gjithë menduan se muzika përmirëson gjumin e tyre, por ne zbuluam se ata që dëgjuan më shumë muzikë flinin më keq. Ajo që ishte me të vërtetë befasuese ishte se muzika instrumentale (pa tekst) çoi në cilësi më të keqe të gjumit", u shprehën autorët e studimit.

Sculin rekomandon të përpiqeni ta moderoni dëgjimin e muzikës ose të bëni pushime të herëpashershme, si dhe ta shmangni dëgjimin e muzikës para gjumit. Ai sugjeron të bëni një aktivitet mendor para se të flini, si për shembull të kaloni 5-10 minuta duke shkruar një listë të gjërave që keni për të bërë të nesërmen ose thjesht të hidhni mendimet tuaja në letër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat