Si t'i ndaloni mendimet para gjumi, që nuk ju lënë të flini natën!

Life style

Si t'i ndaloni mendimet para gjumi, që nuk ju lënë të flini natën!

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 16:00
Foto ilustrim

Edhe nëse dita ka qenë e mirë, mbrëmjeve, ju shtriheni dhe në qetësinë e natës vërshojnë dhe qindra mendime që ju mundojnë dhe ju lënë pa gjumë. Për ta përmirësuar këtë, mund t'ju duhet kohë dhe përkushtim, por nuk është e pamundur. Më poshtë gjeni disa këshilla se si t'i zbusni mendimet tuaja dhe të flini më shpejt, pa u treguar shumë të ashpër me veten.

Përqendrohuni "këtu dhe tani"

Mendimet që nuk na lënë të flemë shpesh lidhen me të kaluarën ose të ardhmen. Ne shqetësohemi për atë që mund të ndodhë, ose pendohemi që kemi bërë ose nuk kemi bërë gjëra në të kaluarën. Nëse kjo është ajo që ju ndodh, përpiquni të përqendroheni në atë që po ndodh këtu, tani. Ndërsa ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, as nuk mund të parashikojmë të ardhmen, momenti i tanishëm është diçka që ne mund ta kontrollojmë dhe ky ndryshim i fokusit mund të na japë relaksin për të cilin ka nevojë truri ynë.

Hiqni pajisjet tuaja elektronike

Përdorimi i telefonave, laptopëve dhe tabletave para se të flini mund të rrisë nivelin e ankthit dhe stresit, veçanërisht nëse lexoni ose shikoni lajme ose gjëra të tjera që ju bëjnë të shqetësoheni apo ta mbani trurin tuaj të zënë. Përveç kësaj, drita nga këto pajisje elektronike ndikon keq në prodhimin e melatoninës në trupin tuaj, duke e përkeqësuar gjendjen në tërësi.

Shpërqendroni veten

Tani që i keni lënë mënjanë pajisjet tuaja, mendoni për disa alternativa më të shëndetshme. Mund të provoni një hobi qetësues ose një aktivitet relaksues që ju përshtatet më shumë, si leximi, përdorimi i një libri për t'u ngjyrosur etj. Kur nuk mund të flini për shkak të mendimeve tuaja, bërja e një aktiviteti relaksues do t'ju ndihmojë të zhvendosni fokusin nga këto mendime.

Caktoni një kohë për t'u shqetësuar

Ashtu siç caktoni një kohë për të bërë pazar, për t'u takuar me miqtë tuaj ose për të bërë punët e shtëpisë, mund të provoni të planifikoni 15 deri në 30 minuta në ditë për shqetësimet tuaja. Kushtojani këtë kohë mendimeve që ju shqetësojnë dhe ka shumë mundësi që ato të mos kthehen më vonë në mbrëmje. Gjatë kësaj "kohe shqetësimi", shkruani mendimet tuaja stresuese në letër dhe mendoni për disa hapa praktikë që mund të ndërmerrni për të trajtuar çështjen që ju shqetëson. Jini këmbëngulës dhe përpiquni ta bëni këtë teknikë pjesë të rutinës tuaj për të arritur rezultate më të mira.

Përdorni aromën e vajit esencial të livandos ose një tjetër aromë që ju qetëson

Vaji esencial i livandos përdoret shpesh në aromaterapi për lehtësimin e stresit, relaksimin dhe gjumë më të mirë. Ju mund të spërkatni disa pika mbi një peshqir ose leckë, ose të shtoni pak vaj në banjën tuaj. Vajrat esenciale mund të shkaktojnë reaksione alergjike, prandaj bëni kujdes kur i përdorni.

Mos e detyroni veten të flini gjumë

Në vend që të përpiqeni dhe të dështoni për të fjetur, ngrihuni nga shtrati dhe bëni diçka. Pini pak çaj, lexoni një libër ose shkruani në ditarin tuaj dhe kthehuni në shtrat kur të filloni të ndiheni të përgjumur. Qëndrimi në shtrat dhe detyrimi që i bëni vetes për të fjetur mund të bëjë që truri juaj ta lidhë shtratin me pagjumësinë dhe shqetësimet, duke e kthyer dhomën tuaj të gjumit në një vend ku është e vështirë të flesh.

Në rastin më të keq, hapni televizorin

E dimë që kemi rekomanduar heqjen dorë nga të gjitha pajisjet tuaja para gjumit, por nëse asgjë nuk ju ndihmon, seriali juaj mund të funksionojë si shpërqendrimi, për të cilin truri juaj ka kaq dëshirë. Drita që emeton televizori është më larg syve tuaj sesa ajo që vjen nga telefoni, kështu që është më pak e dëmshme për higjenën tuaj të gjumit. 

Provoni ushtrimet e frymëmarrjes, yoga ose meditim

Mendimet e shumta gjatë natës shpesh lidhen me stresin, dhe stresi i bën zemrat tona të rrahin më shpejt dhe të rrisin ritmin e frymëmarrjes. Frymëmarrja e ngadaltë dhe e thellë mund t'ju ndihmojë të qetësoheni, si dhe të qetësoni mendimet tuaja. Ju gjithashtu mund të provoni ushtrime dhe teknika të tjera të frymëmarrjes që mund t'i praktikoni në çdo kohë për të parandaluar stresin dhe ankthin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat