Llojet më të bezdisshme të klientëve: Ku bën pjesë ti?

Life style

Llojet më të bezdisshme të klientëve: Ku bën pjesë ti?

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 12:41
Foto ilustrim

- Ai që do zihet gjithmonë me shitësen

Ky klient është gjithmonë i pakënaqur. Kërcënon me ankesa zyrtare dhe thotë se "do pushoheni". Është më mirë t'i lini të shfryjnë nervat derisa të dalin, sepse thellë thellë nuk e kanë me ju, e kanë me gjithë botën.

- I paduruari

Ky është klienti që nuk pret dot në radhë dhe që të bën presion duke thënë "A ke dhe shumë?", "Ua sa të ngadalta qenkeni ju!", "Goca, do presim dhe shumë ne?" etj. Ai do që çfarëdo të ketë porositur të bëhet gati sa më shpejt, sikur jeta e tij të varet nga kjo, edhe pse në shumicën e rasteve ka gjithë kohën e botës dhe asnjë arsye për të nxituar.

- Klienti "Pf, nuk e di, si thua ti?"

Ky duket si klient i paqtë dhe i sjellshëm, por pas 5-10 minutash, shitësi e gjen veten duke u lutur ta përcjellë sa më shpejt. Ky klient nuk e di se çfarë do, kërkon mendimin tënd por s'e merr fare parasysh dhe "e ka me dy mendje" gjithçka.

- "Pse k'shu bëhet kjo?"

Ah, ky është një nga klientët më të lezetshëm. Ai di gjithçka më mirë se ty, edhe nëse ti ke vite në atë profesion apo vend pune. Do të të thotë si ta bësh punën, por është e kotë, rezultati s'do t'i pëlqejë gjithsesi.

- Klienti "i veçantë" dhe me shumë kërkesa

Në një restorant, për shembull, ky është personi që e mban kamarierin të ngulitur në tavolinë për 10 minuta. Ai do të bëjë një porosi nga menuja, vetëm se porosinë do ta përshtasë sipas preferencave të tij dhe rezultati, do jetë një pjatë totalisht ndryshe nga ajo e menusë. Ah, nëse s'i pëlqen shërbimi/produkti, s'ka shans të paguajë!

- "E paguam me lekë, kështu që do e marrim/hamë"

Shpesh, bizneset i quajnë klientë të tillë "hajdutë". Ata jo vetëm që marrin vogëlsirat në dhomën e hotelit, por do të marrin edhe peshqirët, ndonjë varëse rrobash dhe mbase edhe ndonjë këllëf jastëku. 

- Klienti që nuk respekton oraret

Nëse je ky lloj klienti, kemi një lajm të keq për ty. Dentistja, parukieri, estetistja të urrejnë! Mos kërko falje kot, e dimë që i ke justifikime!

- Llafazani

Këta njerëz janë zakonisht miqësorë, por ka një problem. Kur fillojnë të flasin, do tregojnë gjithë historinë e tyre dhe ndoshta s'do blejnë asgjë. Mund t'i hasni në market, farmaci apo butik. Ah, nëse janë në parukeri dhe kanë vërtet kohë për të folur: Bëhuni gati të mësoni thashethemet më të fundit për showbizin dhe fqinjën e saj përballë.

- Dorështrënguari

"Bakshish? Pse, pak lekë pagova unë?" - Ky klient do të presë në market derisa t'i kthesh qindarkën e fundit. Jo, jo, as kamarierët nuk marrin gjë, na vjen keq.

- "Shënoje, se do vij ta paguaj më vonë"

Ky është klienti që vishet shumë mirë, shkon me pushime një herë në dy javë, por ty akoma s'ta ka paguar borxhin e atij fustanit. Hmm...si do e zgjidhim këtë?

- Klienti që s'i shpëton asnjë ofertë dhe ulje

Këta njerëz mbajini afër. Do t'ju tregojnë gjithmonë për uljet dhe ofertat më të fundit, nga butiku juaj i preferuar te një supermarket i thjeshtë. Kursimtar dhe i shkathët, ky lloj klienti di si të bëjë blerje të zgjuara dhe më shumë përfiton ai prej bizneseve, se bizneset prej tij. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat