Njohja me dashurinë e jetës: I dërgova gabimisht një mesazh në Facebook

Life style

Njohja me dashurinë e jetës: I dërgova gabimisht një mesazh në Facebook

Më: 5 tetor 2021 Në ora: 09:35
Joe dhe Beth

Kur Joe ishte në universitet në 2010-ën, shoku me të cilin ndante shtëpinë i hapi një adresë Facebook-u në shaka e sipër.

“Ai shtonte njerëz rastësorë si miq në llogarinë time. Mendoja se ishte budallallëk, sepse më bënte mua të dukem si i vetmuar”, thotë Joe.

Një ditë, shoku i tij i dërgoi kërkesë miqësie Beth-it, e cila e pranoi.

"Pashë që Joe ishte nga Devizes në Wiltshire, që ishte vend afër meje, kështu që supozova se e njihja nga ndonjë mbrëmje që kam dalë”.

Ata nuk folën kurrë dhe Beth shpejt harroi gjithçka. Joe nuk e kishte idenë se ajo ishte në listën e miqve të tij deri në prill të 2014-ës, kur ajo e kontaktoi rastësisht.

“Isha duke u organizuar për të takuar një mik dhe ia dërgova mesazhin personit të gabuar. Joe më shkruajti për të më thënë se kisha bërë një gabim.”

Ata filluan një bisedë dhe u përpoqën të kuptonin se nga njiheshin me njëri-tjetrin.

"Asnjëri prej nesh s’e mbante mend tjetrin. Nuk e kemi kuptuar se çfarë ndodhi deri pas disa vitesh”, thotë Joe teksa qesh me historinë.

Edhe pse nuk e dinin se nga njiheshin, ata vazhduan të bisedonin online. Joe thotë se “kishte diçka në sensin e saj të humorit”, kështu që e ftoi për t’u takuar. Disa ditë më vonë ata u takuan në një stacion treni, para se të darkonin.

“Gjithçka dukej kaq e thjeshtë dhe e lehtë mes nesh. Ai dukej vërtet i kujdesshëm”, thotë Beth.

Dyshja u takuan disa herë gjatë ditëve të ardhshme, para se ai t'i tregonte Beth për planet e udhëtimit.

"Unë jam një muzikant dhe kam vendosur të udhëtoj në Cefalonia për verën dhe të luaj muzikë në bare dhe restorante," i thotë ai teksa shton se “aty mendoi se do ta humbte përgjithmonë”.

Ata folën për mundësitë e bashkimit dhe të nesërmen Beth dërgoi një mesazh për të konfirmuar që ajo donte të vinte. Ajo kishte kursyer disa para, la punën e saj si kuzhiniere e mëngjesit në një hotel dhe ata filluan të bënin planet për të udhëtuar së bashku.

Ndërsa ishin njohur vetëm prej pak ditësh, ky lajm për familjarët e secilit ishte një sfidë.

"Mamaja ime donte ta takonte para se të largoheshim dhe në thelb përfunduam duke i dhënë asaj një intervistë”, thotë Joe duke buzëqeshur.

Ndërsa nëna dhe njerku i Beth ishin relativisht të qetë për këtë, ajo e dinte që babai i saj nuk do të ishte i lumtur. Kështu ajo ia tha të atit se e njihte Joe fillimisht nga puna në hotel, por edhe kur i tha të vërtetën pas ca vitesh, ai e mori me sportivitet, ndoshta sepse tani e njihte mirë Joe-n.

Ata kaluan muajt e ardhshëm duke vizituar Cefalonia, para se të udhëtonin nëpër Evropë. Beth e kujton si një nga periudha më të bukura të jetës së saj. Dyshja u kthye në Wiltshire dhe të dy gjetën një shtëpi për të bashkëjetuar.

Në vitin 2016, ata u kthyen në Cefalonia për pushime, ku Joe i propozoi. Çifti u martua verën tjetër në një fshat të quajtur Rowde. Për muajin e mjaltit, ata udhëtuan 3 muaj nëpër Europë.

Tre vjet më parë, Beth ndryshoi karrierën dhe tani i përgjigjet telefonatave të urgjencës një kompani që ndihmon të moshuarit të qëndrojnë të sigurt në shtëpitë e tyre. Në pamundësi për të kryer muzikë gjatë pandemisë, Joe punon si recepsionist dhe ka një kanal në YouTube kushtuar punimeve të drurit dhe udhëtimit. Ata u transferuan në shtëpinë e tyre të re në Littleton Panell në fillim të vitit, me qenushin, Hans.

Joe beson se gruaja e tij është personi më vetëmohues që ka takuar ndonjëherë.

"Edhe në momentet e saj më të këqija, ajo ende mendon për të tjerët. Puna e saj është e përshtatshme dhe pacientët e duan pafund. Ajo ndriçon ditën e të gjithëve."

 Beth, ndërkohë, e do aftësinë e Joe për të pasur sukses në çdo situatë.

 "Asgjë nuk është shumë e vështirë për të. Ai mund të arrijë çdo gjë që mendon dhe nuk më zhgënjen asnjëherë. Ne qeshim së bashku në gjithçka që bëjmë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat