Logjika e gjuhës së huaj

Life style

Logjika e gjuhës së huaj

Nga: Rudina Koromani Më: 24 nëntor 2021 Në ora: 09:22
Ilustrim

E folura në një gjuhë të dytë ndikon në mënyrën sesi mendoni, ju bën më të kujdesshëm në atë që mendoni dhe vendimet që merrni.

Vendimmarrjet e mira shihen ato që vijnë si pasojë e proçeseve racionale, ku arsyeja llogarit mënyrën më të mirë për të arritur qëllimin. Ndërkohë që hetimet nga fusha të ndryshme të shkencës mbi të menduarin tregojnë se vendimet dhe veprimet njerëzore janë shumë më të ndikuara nga intuita dhe përgjigjet emocionale sesa mendohej më parë.

Por disa studime të dekadës së fundit tregojnë se kur njerëzit përdorin një gjuhë të huaj, vendimet e tyre priren të jenë më pak të njëanshme, më analitike, më sistematike, sepse gjuha e huaj siguron distancë psikologjike.

Vendimet që marrim në një gjuhë të dytë, shihen në në tre fusha, veçanërisht gjykimet lidhur me: - Humbjet, fitimet /rreziqet,- Shkaku dhe pasoja dhe- Çështjet morale.

Le të themi se unë ju jap 100 lek e propozoj hedhjen “kokë a pil". Nëse bëhet fjalë për kokë, ju më ktheni 100 lekshin mbrapa. Por nëse bie “pil”, unë do t'ju jap një shtesë prej 150 lekësh, duke e çuar fitimin tuaj neto në 250 lekë. Do merrje pjesë në këtë lojë? Me siguri jo, sepse je duke llogaritur humbje /fitimet dhe shkallën e rriskut. Shumica e njerëzve preferojnë sigurinë prej 100 lekësh sesa mundësitë e fitimit 50 me 50.

Sipas studimeve njerëzit vlerësojnë humbjet si më të mëdha se fitimet, në një proçes të njohur si Shmangia e Rrezikut. Sidoqoftë, nga një perspektivë matematikore, ky është një bast i mirë, sepse vlera e pritur e lojës së fatit është 125 lek përkundrejt rezultatit të sigurt të 100 lek-ve. Shmangia e rrezikut ka të ngjarë të jetë një intuitë e lindur – që lidhet me vendimarrjen intuitive.

Kur studjuesit e paraqesin këtë problem ndaj pjesëmarrësve në gjuhën e tyre të dytë, frika ndaj rrezikut zhduket dhe ata marrin pjesë në bast. Me sa duket, kur njerëzit përdornin gjuhën e tyre të dytë, ata nuk mbështeten te intuita, por në vend të kësaj mendojnë në mënyrë racionale. Pra, të paktën nga pikëpamja logjike, ata morën një vendim më të mirë në gjuhën e tyre jo-amtare.

Në të tre rastet - gjykimet e rrezikut, shkakësisë dhe moralit - shihen si një zhvendosje nga i menduari intuitiv në atë racional kur njerëzit përdorin gjuhën e tyre të dytë.

Këto gjetje duken pak të habitshme, pasi i menduari në gjuhën e dytë është më i lodhshëm. Ajo çka e bën të vështirë mendimin në një gjuhë të dytë është nevoja e vazhdueshme për të frenuar modelet e ngulitura të sjelljes. Kur flasim një gjuhë të dytë, duhet të pengojmë gjuhën tonë amtare. Dhe kur mendojmë në mënyrë racionale, duhet të frenojmë intuitat tona natyrore.

Njerëzit rriskojnë më shumë kur u paraqitet një vendim që nuk lidhet me ta personalisht (si p.sh. cila vaksinë të administrohet tek një popullatë) në terma të një përfitimi të mundshëm krahasuar me faktin kur u inkuadrohet si humbje e mundshme personale, panvarësisht se rezulatatet janë ekuivalente.

Ne priremi të mendojmë që një humbje personale është më e dhimbshme sesa një fitim i këndshëm, kështu që benefiti i fitimit duhet të jetë dispoporcionalisht më i madh që ne të pranojmë pjesmarrjen në një bast, siç janë lojërat e fatit.

Paragjykimet njohëse janë të rrënjosura në reagimet emocionale dhe të menduarit në një gjuhë të huaj na ndihmon të shkëputemi nga këto emocione dhe të marrim vendime në një mënyrë më racionale ekonomikisht. E folura në një gjuhë të huaj na bën më të ngadaltë pasi kërkon përqendrim për të kuptuar gjërat e rrjedhimisht më racional.

Ndonëse jo të gjithë mund të flasin një gjuhë të dytë dhe është e vështirë të llogaritet saktësisht se sa njerëz janë dygjuhësh, ose me të vërtetë shumëgjuhësh, vlerësimet sugjerojnë se rreth 43% e njerëzve mund të flasin një gjuhë të dytë.

Disa zona të botës, të tilla si Zvicra dhe Singapori, janë pika të nxehta dygjuhëshe, ku pothuajse të gjithë flasin dy ose më shumë gjuhë. Në Bashkimin Evropian kjo shifër është pak më e lartë, me pak më shumë se gjysmën (54%) të aftë të zhvillojnë një bisedë në një gjuhë tjetër, por në Shtetet e Bashkuara, vetëm rreth një e katërta e njerëzve munden.

Por nuk duhet harruar se rastet kur marrim vendime bazuar në çështjet morale dhe i menduari emocional/intuitiv janë më të shumta e më të shpeshta gjatë jetës tonë, madje te shumica individëve janë me të rëndësishme … Ndoshta ajo që quhet “racionaliteti i vetëdijshëm” mund të jetë një iluzion i njerëzve. Jo të gjithë i shohim të njëjtat gjëra, por ne mendojmë se i shohim. Është një iluzion i përbashkët, dhe vetëm një nga paragjykimet psikologjike që shqetësojnë komunikimin tonë të përditshëm.

Përgatiti Rudina Koromani, Psikologe Klinike

#rudinakoromani #logjika_e_gjuhes_se_huaj #dilemamorale #mendimiracional #mendimiintuitiv #lojratefatit #psikologu #psikoterapi #psikologji #supersticioni #gjuhahuaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat