Si ta shpjegoni depresionin në mënyrë që të tjerët ta kuptojnë

Life style

Si ta shpjegoni depresionin në mënyrë që të tjerët ta kuptojnë

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 22:54
Foto ilustrim

Shpjegimi i depresionit nuk është i lehtë. Një gjendje e tillë mund t'ju heqë dëshirën për t'u lidhur me të tjerët dhe mund t'ju bëjë që të mos i gjeni fjalt për të përshkruar zbrazëtinë brenda.

David Rosmarin, themelues i Qendrës për Ankthin dhe profesor i asociuar i psikologjisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit, ka punuar me individë dhe familje të prekura nga depresioni dhe kushte të tjera të shëndetit mendor. Këshilla e tij është se në fund të fundit nuk duhet të jeni ju personi që u shpjegon depresionin njerëzve të tjerë.

Ju jeni ekspert i ndjenjave tuaja. Askush, madje as terapisti, nuk di më shumë për përvojën tuaj me depresionin sesa ju. Por nëse puna për të shpjeguar simptomat dhe për t'iu përgjigjur pyetjeve duket si një barrë, mund të kërkoni ndihmë.

“Personi me depresion nuk është zakonisht personi më i mirë që duhet ta shpjegojë atë”, thotë Dr. Rosmarin. “Është mjaft e vështirë të shpjegosh depresionin.”

Profesionistët shëndetësorë janë të trajnuar dhe me përvojë në edukimin e anëtarëve të familjes. Në fakt, ka prova të mira, se kur anëtarët e familjes edukohen për depresionin si pjesë e trajtimit, ka më pak mister për sëmundjen, më pak faj dhe më shumë mirëkuptim dhe mbështetje.

Thellësitë emocionale të depresionit mund të jenë të vështira për t'u përcjellë te njerëzit që nuk i kanë përjetuar ato.

“Përpiquni të shpjegoni pa u zemëruar, mos qëndroni gjykues apo agresiv”, këshillon Rosmarin. Nëse ndjenjat tuaja janë shumë delikate për t'i ndarë, përdorni materiale të tjera. Statistikat dhe infografika gjithashtu mund të jenë të dobishme. Ju gjithashtu mund t’u drejtoheni videove në internet në të cilat njerëzit shpjegojnë se si është të përjetosh depresion. Nëse gjeni diçka që është e vërtetë për ju, mund ta ndani me njerëzit e tjerë.

Rosmarin sugjeron këtë strategji:

1. Përshkruani: Përshkruani situatën faktikisht, pa emocione apo gjykime.
2. Shprehuni: Përdorni deklarata të përqendruara te vetja "Unë ndjej" për të shprehur ndjenjat për situatën.
3. Pohoni: Kërkoni çfarë dëshironi ose keni nevojë në një mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë.
4. Përforconi: Përforconi rëndësinë e marrëdhënies, duke i kujtuar personit tjetër se sa të vlefshëm janë për ju.
5. Jini të ndërgjegjshëm: Mundohuni të qëndroni në të tashmen, pa përmendur të kaluarën apo pa u shqetësuar për të ardhmen.
6. Shfaquni të sigurt: Përdorni qëndrimin, tonin e zërit dhe shprehjet e fytyrës për të komunikuar respekt për veten (edhe nëse ndiheni në ankth).
7. Negocioni: Nëse ajo që ju nevojitet nuk është e mundur, punoni me personin tjetër për të gjetur një alternativë që mund të funksionojë.

Merrni parasysh moshën dhe pjekurinë nëse po u shpjegoni fëmijëve. Mesazhi i rëndësishëm për të përcjellë është se vështirësitë tuaja nuk janë faji i fëmijës. Mund të mos jetë e nevojshme t'u shpjegohet depresioni fëmijëve të vegjël, thotë Rosmarin. Ata mund të mos jenë të vetëdijshëm për ndryshimet në ndjenjat ose sjelljen tuaj. Fëmijët më të rritur dhe adoleshentët, nga ana tjetër, mund të kenë pyetje.

“Nëse nuk shkon mirë në fillim, mos hiqni dorë nga përpjekjet për të shpjeguar," thotë Rosmarin. “Kur flisni për depresionin dhe diskutimi nuk shkon aq mirë sa kishit shpresuar, mund të krijojë një distancë mes jush dhe njerëzve që ju interesojnë. Kur njerëzit ndihen të keqkuptuar, mund të përkeqësojë simptomat e depresionit.”

Diskutimet si këto mund të kërkojnë kohë dhe ndërgjegjësimi mund të rritet gradualisht. Nëse mund të jeni të durueshëm me veten dhe të tjerët, komunikimi mund të jetë më i mirë në planin afatgjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat