Letër vjehrrës së ardhshme të vajzës sime

Life style

Letër vjehrrës së ardhshme të vajzës sime

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 18:52
Foto ilustrim

Mos ma prek e mos ma lëndo vajzën, unë e solla në këtë botë mes dhimbjes
e lotëve të mia, mes klithmash shpirti e tronditjeve të botës shpirtërore, ashtu si edhe ti, tët bir. Unë të kuptoj se linda nga një grua, për t'u bërë grua vetë e për të sjellë në jetë një tjetër vajzë e grua. Përpiqu të më kuptosh siç bëri nëna jote. Kujtohu që ajo vuajti kur të përcolli nuse edhe ti vuajte bashkë me të, vuajtjen e saj. Tani qenka radha ime të vuaj si nëna ime, si nëna jote.

Po të jap në duar, gjakun e damarit tim, frymën e shpirtit tim, bijën time e bashkë me të po të jap të gjitha vuajtjet, sakrificat, netët pa gjumë, pasiguritë e mia, frikërat, ëndrrat, ditët, netët, kërcimet, lotët, dashuritë, përjetimet, vlerat, kritikat, puthjet, ledhatimet e mia. Unë po të jap atë që Zoti ma dhuroi e ti tani po e merr nuse. Të lutem me qenien time e të përgjërohem përulësisht mbaje e shtrëngoje fort në gji si një bijë. Unë nuk i jam lutur kurrë dikujt deri më sot e aq më tepër t'i jem përgjëruar ndonjë njeriu, por unë sot jam krejtësisht lakuriqpërpara këtij fenomeni.

E zhvesha krenarinë dhe e dogja si petk të leckosur. Nuk më ka mbetur asgjë, përveç kujtimeve e ato nuk mund t'i jap dot, pa to unë nuk do të ekzistoja. Vetëm kujtimet e mia me time bijë e bëjnë ekzistencën time në këtë botë. Unë kam jetuar për të. Të lutem duaje! Duaje siç e do fort tët bir. Mbaje për dore siç mbaje tët bir kur i mësove të ecë.

Duroje! Të lutem ta durosh! Është e re dhe gabon, nuk më mjaftoi koha për
t’ia treguar të gjitha. Mësoje me durim prej nëne ashtu siç mësove tët bir me
të njëjtën dashuri. Rrite! Të lutem rrite! Koha qenka kaq e shkurtër dhe fëmijët u largokan kaq shpejt sa më duket ende foshnje ndërsa unë më e plakur. Kur të bëhet nënë qëndroji pranë siç na qëndruan nënat tona ne e na mësuan ti vëmë fëmijët tanë në gji me dhimbje dhe përkushtim. Ne falë tyre ia dolëm. Bëj që edhe ime bijë t’ia dalë falë teje. Puthe! Të lutem puthe! Tregoji që ajo nuk la një shtëpi, por fitoi një familje edhe më të madhe. Tregoji që në radhë të parë fitoi një mik, një shok jete e më pas një burrë. Tregoji që fitoi një nënë tjetër e një tjetër baba do ta mbrojë përveç atyre që ka. Martesa është hyjnore, nuk duhet ta shohë si fundin e vajzërisë, por si fillimin e jetës, fillimin e mëmësisë. Unë gjithë jetën i tregova që nuk ka funde, ka vetëm fillime të reja, thuaja edhe ti.

Gjaku im dhe i yti, shpirti im dhe i yti, fryma ime dhe e jotja sot bashkohen dhe vijojnë udhën. Një copëz e jona do të jetojë përgjithmonë në damarët e fëmijëve që do të lindin. Ti dhe unë jemi njësoj. Ne jemi nëna! Duaje vajzën time si një bijë të trupit tënd! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat