Katër momente që s’i shmangim dot gjatë periudhës së festave, sidomos nëse jeni e vetme

Life style

Katër momente që s’i shmangim dot gjatë periudhës së festave, sidomos nëse jeni e vetme

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 11:46
Foto ilustrim

Jemi zyrtarisht në ditët që ndihet më shumë atmosfera e festave. Ose thënë ndryshe, në ato ditët ku pyetja që të bezdis më shumë, bëhet edhe më shumë: “Akoma single ti?”

Përveç këtij “sikleti” janë ca ndjesi specifike që na vijnë fiks gjatë periudhës festive. Për çfarë situatash e kemi fjalën?

1. Ndjesia e rikthimit në shtëpi për festa!

Ata që jetojnë dhe punojnë jashtë e dinë mirë për çfarë e kemi fjalën. Pas një kohe të gjatë, kur kthehesh në shtëpi për festa e ke të pamundur të mos bëhesh nostalgjik, melankolik dhe më emocional se zakonisht. Kthehesh tek dhoma jote e fëmijërisë, tek kujtimet, komshinjtë dhe ndjen që ditët nuk mjaftojnë për të dalë me miqtë që ke lënë këtu. Pastaj, ulesh në tryezë me familjen dhe nis bombardimi me pyetje të tipit: “Çfarë ke ndërmend të bësh me jetën? Kur do martohesh, fejohesh? Pse je dobësuar? Mos ndoshta atje nuk ushqehesh mirë?” Fundi i çdo fjalie përfundon me “ha pak se nuk ke ngrënë asgjë”. Aty ndjen dhe më shumë se të kishte marrë malli.

2. Momenti i sikletshëm kur takon kolegët e punës me partnerët përkatës në festën e kompanisë

E mbani mend kur ishit në shkollë fillore dhe imagjinonit që zysha juaj kujdestare jetonte brenda shkollës? Në mendjen tuaj ajo flinte aty dhe në mëngjes hynte në klasë për mësimin e radhës. E njëjta gjë ndodh edhe me shefin e punës i cili s’del kurrë nga zyra, por krejt “papritur” rezulton që ai dhe kolegët e tjerë kanë një jetë përtej atyre mureve. Po flasim për ndjesinë e shkaktuar kur në festën e punës ti i njeh dhe i sheh njerëzit me të cilët punon nga një tjetër këndvështrim.

3. Sa herë të shohin në një dyqan, të pyesin nëse po ble dhuratë “për dikë të veçantë”

“Jo po e blej për vete!” Mbylleni me kaq këtë bisedë dhe shijoni pazarin! Pyetja në fjalë është e pashmangshme, sepse ata duan të dinë diçka më tepër, por lëreni me aq.

4. E gjen veten papritur të ftuar në fejesën e dikujt!

Ka diçka tek sezoni i festave që i bën njerëzit të marrin vendime të rëndësishme. Me rënien e temperaturës, burrat vendosin të propozojnë më shumë partneret e tyre dhe nisin kërkimet për unazat e fejesës. Pastaj, krejt papritur ti mëson që je e ftuar tek fejesa e kushërirës, e fqinjës që ke përballë apo kolegut që nuk e dije as që ishte i lidhur. Nga ana tjetër, ti po mendon si t’ja bësh për të mos marrë asnjë kilogram derisa bakllavaja dhe gjeli të mbarojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat