Ky urim shkon edhe për ty, që ndoshta nuk ke kaluar një vit aq të bukur…

Life style

Ky urim shkon edhe për ty, që ndoshta nuk ke kaluar një vit aq të bukur…

Më: 7 janar 2022 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Kemi kaluar sigurisht një vit të vështirë. Të gjithë ne. Pandemia padiskutim ka vazhduar të ndikojë në jetën dhe rutinën tonë. Disa mund të kenë humbur punën. Disa të tjerë kanë gjetur punë të tjera, ndoshta më pak të paguara apo ku përshtaten më pak mirë nga sa përshtateshin në punët e mëparshme. Disa të tjerë kanë përjetuar humbje akoma më të mëdha nga virusi i tmerrshëm, flas për humbje jete të të dashurve të tyre. Ndërkohë, disa të tjerë kanë përjetuar humbje jete të të afërmve nga sëmundje të tjera. Disa mundet edhe të kenë humbur prindërit, apo fëmijët (nuk besoj të ketë humbje më të mëdha) nga shkaqe nga më të ndryshmet.

E di që asgjë nga këto që unë do të shkruaj nuk do të të ngushëllojë. Ke të drejtë. Përballë sfidave të mëdha, gjithçka duket e kotë. Nuk ke as fuqi, as gjallëri, as entuziazëm, sepse festa kërkon shpirtin e duhur për të festuar. Dhe sigurisht kjo ditë të duket si çdo ditë tjetër, përveç faktit që do të ndizen disa fishekzjarre dhe pas maksimumi 10 minutash, gjithçka do të mbarojë. Dritat? Do të hiqen pas disa ditësh. Pra, gjithçka të duket siç ka qenë përherë dhe nuk ka pse të ketë ndryshime.

Ke plotësisht të drejtë, ne kemi ndonjëherë një koncept që mund të jetë i gabuar. Mendojmë se viti i ri duhet të nisë me ndryshime. Jo, është thjesht një datë në kalendar dhe si çdo ditë tjetër, do të kalojë edhe kjo datë. Ajo që ka rëndësi, është se ditët ikin dhe nuk mund ta brengosësh veten pas një ngjarjeje të së shkuarës.

Nuk të sugjeroj të ngresh dolli plot gëzim nëse nuk e ndjen përbrenda, por gjithsesi tradita e kërkon të gatuash diçka tradicionale dhe të mendosh pozitivisht për një vit të ri që po troket. Nuk do të jetë gjithçka bardhezi. Fakti që një vit shkoi keq, nuk do të thotë që kështu do të jetë gjithmonë. Mbaj mend vetëm diçka. Nëse mendon gjëra negative, do të përjetosh më shumë ngjarje negative. Ligji i tërheqjes funksionon. Fillo të mendosh pozitivisht dhe me siguri do të përjetosh ndryshime pozitive në jetën tënde.

Kjo ditë mund të të duket njësoj si të tjerat, por mundohu të gjallërohesh sadopak. Dil, qetësohu në natyrë. Qëndro zgjuar dhe shijoji ngjyrat e fishekzjarreve, edhe ato kanë ndikimin e tyre pozitiv. Vulos në fytyrë një buzëqeshje, edhe pse mund të mos burojë nga thellësia e shpirtit. Bëje për veten, bëje për një vit të ri që po troket, bëje për këdo që ke humbur e që kurrsesi nuk do të dëshirontë të shihte të mërzitur.

Gëzuar e për shumë vjet!  Mos harro të besosh tek vetja dhe të punosh me veten. Fillimet e reja kërkojnë sakrifica të reja, ndaj sot gjallërohu sadopak dhe nise një vit të ri me energjitë e duhura. Ditë më të mira do të vijnë. E rëndësishme është që viti që po lë pas, të mësoi dhe të forcoi aq sa duhet. Tani je më i/e fortë për të ecur përpara, ndaj ji falenderues/e dhe vazhdo përpara me besim akoma më të fortë tek vetja. Guxo, lutu, shpreso, dashuro. Për një vit akoma më të mbarë! Gëzuar edhe një herë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat