Si t’i mbroni flokët në dimër, këshilla nga specialistët

Life style

Si t’i mbroni flokët në dimër, këshilla nga specialistët

Më: 14 janar 2022 Në ora: 17:54
Foto ilustrim

Nuk ka rëndësi se sa shumë përpiqeni t’i trajtoni flokët gjatë periudhave të ndryshme të vitit. Koha e ftohtë i dëmton, lagështira po ashtu, ndaj me gjithë kujdesin, majat gjithmonë ndahen në dy. Gjatë dimrit, ekspertët japin këshilla nga më të ndryshmet për kujdesin ndaj flokëve. Produkte natyrale, maska, larje e kujdesshme etj. Për të gjitha vajzat që vuajnë sidomos në dimër nga ky fenomen, ka diçka që duhet ta dinë, në mënyrë që majat e flokëve të mos këputen.

Me gjithë produktet dhe trajtimet, dermatologët e pranojnë që beteja me kohën e ftohtë është gjithmonë e vështirë. Ajri i lagësht është i dëmshëm, ndaj duhet të bëni më shumë kujdes:

Përveç trajtimit rutinë, gjatë këtyre ditëve të ftohta, për të pasur flokë të shëndetshëm, fokusohuni fillimisht te larja. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm në dimër, por në çdo kohë të vitit për flokë të shkëlqyeshëm. Sa më të gjatë t’i keni flokët, aq më shumë kujdes duhet të keni me larjen.

Sipas këshillave të specialistëve, për larjen e flokëve duhet të fokusoheni vetëm te skalpi i kokës dhe jo në maja. Gabimi më i madh që bëjmë ne të gjitha është mbledhja e flokëve në majë të kokës dhe larja me shampo. Kjo është një mënyrë që çon shumë shpejt në dëmtimin e majave të flokëve, madje ndihmon në copëtimin e tyre. Në vend që të bëni këtë, flokët lërini natyrshëm dhe përqendrohuni në skalpin e kokës më shumë sesa te pjesa tjetër.

Një gabim tjetër që po ashtu e bëjnë shumica nga ne është larja me ujë të nxehtë. Në kohën e ftohtë, uji i nxehtë na ngroh të gjithë trupin, por për flokët është një gabim i madh. Uji i nxehtë largon të gjitha yndyrat natyrale, duke ndikuar kështu në tharjen e flokëve dhe më tej këputjen e tyre.

Po kaq i rëndësishëm është edhe procesi i tharjes. Në mbrëmje apo në mëngjes, ne gjithmonë nxitojmë, ndaj edhe i thajmë flokët sapo kemi dalë nga dushi. Tharja e flokëve me tharëse kur ata janë të lagur i dëmton shumë dhe ndikon drejtpërdrejt në tharjen e majave që më vonë këputen. Para se t’i thani me tharëse, mbajini mbështjellë me peshqir 15-20 minuta.

Këshilla e fundit që vjen nga stilistët e flokëve është edhe prerja e majave çdo 3-6 muaj në mënyrë që të eliminoni sa më shumë majat e këputura.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat