Modeli i ri i marrëdhënies ka fituar përmbajtje virtuale

Life style

Modeli i ri i marrëdhënies ka fituar përmbajtje virtuale

Më: 15 shkurt 2022 Në ora: 14:33
Foto ilustrim

Gjatë një “pastrimi” që i bëra celularit, më ra në sy një foto nga një udhëtim. Një çift i moshuar, rreth të 80-tave, duke ecur përpara meje e duke mbajtur për dore njëri-tjetrin gjatë gjithë rrugës. Ajo që më ra në sy ishte një lëvizje e vogël por kaq e rëndësishme pak përpara se t’i kaloja.

Zonja nxjerr një shami nga çanta dhe fshin me kujdes dhe me një buzëqeshje të lehtë ballin e djersitur të të shoqit. Në 3 sekonda që zgjati kjo skenë ndjeva se mora thelbin e kuptimit të një dashurie të pjekur dhe vetëmohuese.

Dhe në këtë pikë fillova të pyes veten nëse në ditët e sotme ka marrëdhënie substancë apo marrëdhënie domosdoshmërie, marrëdhënie “shërbimi”?

Vë re se brezi ynë, pjesë e të cilit jam edhe unë, po kalon një periudhë ku pothuajse gjithçka është e konsumueshme. Një periudhë padurimi, shpejtësie dhe rrjedhshmërie e marrëdhënieve njerëzore. Epoka e ndjekësve, e pëlqimeve ku flirti zbehet pasi nuk ka kontakt të vërtetë njerëzor përmes shqisave…, emocioneve.

Individualiteti i promovuar nga shoqëria dhe përditshmëria jonë monotone ka krijuar një lakmi emocionale ku njeriu ndjen nevojën e vazhdueshme për reagime, për konfirmim dhe gudulisje narcisiste. Modeli i ri i marrëdhënies është një zgjedhje e lehtë dhe në të njëjtën kohë tërheqëse duke krijuar një realitet të ri dixhital, në kontekstin e të cilit marrëdhëniet shoqërore dhe të dashurisë kanë fituar përmbajtje virtuale.

Pyes veten…, nëse shikojmë përtej mikrokozmosit tonë, a do të jemi në gjendje të ndërtojmë marrëdhënie që do të zgjasin më shumë se sa zgjat një bateri celulari?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat