Nga fëmijë e të rritur: Si të gjithë përfitojmë nga kapja e duarve

Life style

Nga fëmijë e të rritur: Si të gjithë përfitojmë nga kapja e duarve

Më: 2 maj 2022 Në ora: 22:50
Foto ilustrim

"T'i japësh një dorë dikujt" sapo mori një kuptim krejtësisht të ri.

Gjetjet e studimit të botuara në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences zbuluan se kur dy njerëz kapen për dore, ndodh një efekt i fuqishëm fiziologjik ndërpersonal.

Studiuesit në CU Boulder dhe nniversitetin e Haifa-s përcaktuan se mbajtja e dorës së një personi të dashur do të sinkronizojë rrahjet e zemrës, frymëmarrjen dhe valët e trurit tuaj 

Dhe nëse mbani dorën e dikujt që ka dhimbje për ta ngushëlluar, ndodh një fenomen i pabesueshëm: Valët e sinkronizuara të trurit tuaj do t'ju ndihmojnë të lehtësoni dhimbjen e tyre.

Studiuesit zbuluan se këto efekte fizike përforcoheshin përmes empatisë: Sa më shumë ndjeshmëri të ndjejë një person që ngushëllon një tjetër, aq më e fuqishme do të jetë prekja e tij për sa i përket reduktimit të dhimbjes.

Metodologjia e studimit

Autori kryesor Pavel Goldstein doli me idenë për ta testuar këtë në një laborator ndërsa gruaja e tij ishte në lindje. Sa më shumë që ai e mbante për dore gjatë lindjes së vajzës së tyre, aq më pak dhimbje ndjente ajo.

Ai vendosi ta vinte në provë këtë teori. Së bashku me kolegët e tij studiues, ai rekrutoi 22 çifte të moshës nga 23 deri në 32 vjeç dhe u kërkoi atyre të uleshin së bashku pa u prekur, të uleshin së bashku duke mbajtur duart dhe të uleshin në dhoma të veçanta.

Ndërsa çiftet kalonin nëpër skenarë, shkencëtarët matën aktivitetin e tyre të valëve të trurit. Më pas ata i kërkuan që të përsërisin të njëjtat situata, këtë herë duke shkaktuar dhimbje të lehtë në krahët e grave.

Të qenit në prani të njëri-tjetrit pa u prekur ndikoi në bashkimin e valëve të trurit të pjesëmarrësve, por kur ata mbanin duart ndërsa gratë kishin dhimbje, sinkroniteti ishte më i fortë.

Për më tepër, kur gratë kishin dhimbje, por burrat nuk mund t'i preknin, sinkronizimi i trurit të tyre zvogëlohej. Testet e mëvonshme nxorën gjithashtu në dritë se sa më empatikë të ishin burrat ndaj dhimbjes së partnereve të tyre, aq më shumë sinkronizohej aktiviteti i trurit të çiftit.

"Prekja ndërpersonale mund të mjegullojë kufijtë midis vetes dhe tjetrit," shkruajnë studiuesit.

Pra, çfarë mund të aplikoni në marrëdhëniet tuaja duke filluar që tani? Si fillim, mos e nënvlerësoni rëndësinë e aftësive ndërpersonale që shpesh perceptohen si "të buta".

Kur bëhet fjalë për t'u ndjerë më të lidhur dhe për t'u mbështetur me njëri-tjetrin, demonstrimi i ndjeshmërisë dhe prekja e një personi të dashur në mënyrë të kujdesshme mund të bëjë shumë.

Studimet tregojnë se efekti është i njëjtë edhe te fëmijët dhe se kontakti lëkurë-lëkurë është shumë i mirë për foshnjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat