Çfarë është gaslighting dhe a po e përjeton në lidhjen tënde?

Life style

Çfarë është gaslighting dhe a po e përjeton në lidhjen tënde?

Më: 22 maj 2022 Në ora: 09:52
Foto ilustrim

Gaslighting është një term i njohur, kuptimi i së cilit është: një formë e manipulimit psikologjik, në të cilën abuzuesi synon të krijojë konfuzion në mendjen dhe sjelljet e “viktimës”, duke mohuar realitetin, apo duke i nxitur dyshime në lidhje me gjykimin dhe intuitën e “presë”.

Kjo taktikë zë më së shumti vend në raportet romantike, ndaj përmes këtij artikulli, mund të zbulosh nëse je viktimë e një manipulimi të tillë.

Shenjat e gaslighting:

1. Je në dilemë mbi perceptimin tënd për realitetin.

2. Partneri/ja të gënjen në mënyrë të vazhdueshme.

3. Partneri/ja ka gjetur pasiguritë e tua dhe të sulmon përmes tyre.

4. Partneri/ja tenton të të largojë nga miqtë dhe të afërmit që kujdesen për ty.

5. Partneri/ja insiston në versionin e tij/saj, edhe nëse ti ke prova për të kundërtën.

Si përdoret ky fenomen në një lidhje dashurie?

Në emër të dashurisë.

“Po e bëj sepse të dua” apo “Më beso, është për të mirën tënde”. Nëse këto fjali të tingëllojnë të njohura, edhe në situatat kur ti ndihesh e kontrolluar apo e injoruar, me shumë mundësi je një viktimë e gaslighting. Abuzuesit e përdorin “dashurinë” si një alibi për veprimet e tyre dhe vënë në pikëpyetje ndjenjat e tua karshi tyre. Nëse një gaslighter përpiqet të sabotojë miqësitë e tua, do të justifikohet se po e bën ngaqë të do dhe kujdeset për ty.

Akuza për paranoja.

Një prej metodave më të njohura të abuzuesve është akuzimi i viktimës për paranoja dhe zakonisht, kjo ndodh në rastet kur po tradhtohesh. Gaslighters nuk marrin kurrë përgjegjësi dhe gjithçka do ta kthejnë në favorin e tyre, në fjali të tilla: “Ti e mendon vërtet se unë të tradhtoj?”; “Kaq vetëbesim të ulët ke?”; “Kaq e pasigurt je?”; “Pse je kaq paranojake?”.

Kritika të vazhdueshme.

Një partner gaslighter përdor ofendime të ndryshme, apo komente të tilla si: “Nuk do të gjesh më mirë se unë”; “S’të duron njeri tjetër”, etj, si dhe të etiketon me epitete të ndryshme, si: “dramatike”, “histerike”, “e çmendur”, apo edhe “mosmirënjohëse”.

Pse ndodh ky fenomen?

Ka disa arsye pse një person bëhet gaslighter:

1. Sepse kërkon pushtet dhe kontroll në një raport.

2. Sepse mendon se kjo është mënyra e vetme për të mbajtur një marrëdhënie.

3. I pëlqen ndjesia e fuqisë që merr kur kontrollon dikë tjetër.

4. E shijon kontrollin dhe toksicitetin.

Çfarë duhet të bësh nëse je viktimë apo sheh simptoma të gaslighting?

Hapi i parë është të ndërmarrësh veprime që thyejnë ciklin e abuzimit. Mos lejo që planet e tua të prishen nga abuzuesi.

Mundohu të jesh e aftë që të ndash realitetin nga manipulimi. A është vërtet diçka e keqe ajo që po bën? A janë miqtë e tu toksikë për ty?

Kërko ndihmë te një person i jashtëm.

Një mik, koleg, apo i afërm do të të ndihmojë. Edhe pse gaslighting shkakton ndjesinë e izolimit, pasi abuzuesi do të të bëjë të mendosh se vetëm ai të kupton, qëndro me këmbë në tokë dhe kupto se atje jashtë ka plot miq që të duan dhe mund të mbështesin idetë dhe mendimet e tua.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat