Drejtuar një nëne të re…

Life style

Drejtuar një nëne të re…

Më: 14 gusht 2022 Në ora: 08:41
Foto ilustrim

E shkuara dikur ishte një e tashme, ashtu siç e ardhmja do jetë një ditë një e shkuar. Mos e merrni me stres asnjërën, por jepini seriozitetin e duhur çdonjërës!

Ti ishe një vajzë e vogël që me shumë kuriozitet ëndërroje të ardhmen tënde dhe bëje plane se si do të jetë familja jote në të cilën ti do jesh sinonim i ngrohtësisë dhe do bartësh emrin e pazëvendësueshëm “nënë”. Ajo e ardhme që të ngjallte kuriozitet të madh dikur, është realiteti i së tashmes sate dhe tani je një nënë. Ardhja e bebit në jetë e hijeshoi portretin e familjes sate dhe i fali atij gjallëri. Pas nëntë muajve të mbushura me emocione të rralla ti arrite t’ia dëgjosh nga afër rrahjet e zemrës dhe ta mbash në duar bebushin tënd, thënë me saktë trashëgimtarin e gjeneve tua.
Tani është koha të fillosh prindërimin tënd prandaj lufto ta bësh atë në mënyrën më të mirë, për ty, bebin dhe të ardhmen tënde!

Informacioni primar

Tani që po e lexon këtë, ti nënë e dashur, nuk je vetëm, sepse ka miliona gra që kanë shqetësimet tua dhe kërkojnë zgjidhje për to, njëjtë si ti. Me kënaqësi kam përmbledhur disa këshilla kryesore për ty dhe qetësinë tënde, duke dashur të spikas mirëqenien psikike për të ruajtur ekuilibrin gjatë tranzicionit që do e kalosh përgjatë kësaj periudhe.

Në çdo aspekt hera e parë përmban një kuriozitet të veçantë dhe s’ka si të jetë ndryshe edhe tek pritja e parë. Përpara se bebi të vijë secilës nënë i qarkullojnë në mendje pyetje nga më të ndryshmet, ndër më të zakonshmet e të cilave renditen: “A do të jetë shumë e vështirë?”; “A do kem kohë për veten?”; “A do ndryshoj rutina e përditshmërisë sime?”; “Si do të kujdesem për dikë gjatë gjithë kohës pas kësaj rehatie?”; A do t’ia arrij ta bëj atë që duhet?”; “Çfarë nëne do të jem?”; “A do e edukoj si duhet?”; “A do mund që t’ia ofrojmë kushtet e duhura?”; e të tjera. 
Çdo pyetje e kësaj natyre është brenda kornizave të normales sepse çdo nënë e kujdesshme duhet ta pyesë veten dhe t’i përgjigjet në këto pyetje ngaqë ardhja e një bebi në jetë sa është kënaqësi është edhe përgjegjësi dhe ti duhet të kesh të paktën informacionet bazike të përkujdesjes.

Një nënë e re mund të informohet nga burime të ndryshme, mund të ndjekë trajnime dhe kurse përgatitore nëse jeton në vende të avancuara, mund të marrë leksione nga librat, të gjejë manuale adekuate, të ndjekë portale profesionale apo të pyesë nënat me përvojë që i njeh. Por nëse ende mendon se nuk je gati të përkujdesesh vet për bebin pas ardhjes së tij në jetë atëherë do ishte ideale të marrësh dikë të familjes në javët e para që të të ndihmojë deri sa t’ia mësosh rutinën të voglit tënd, si dhe të të japë një krah ndihme e të pushosh sepse shtatzënia në tërësi dhe lindja padyshim të konsumojnë, madje nëse ke pasur lindje cezariane dikush do të duhet me patjetër. Por kjo le të mos të të shqetësojë aspak sepse çdo gjë do të ecë shumë natyrshëm e me lehtësi ngaqë çdo grua e ka të lindur instinktin e nënës po krahas kësaj edhe vetë bebi të mëson më mirë se çdokush tjetër!

Përgatitja psikologjike

Diçka që është më e rëndësishme se gjithçka, që nga fillimi i shtatzënisë dhe gjatë gjithë procesit është optimizmi. Ti duhet ta rrënjosësh në mendje të qenit gjithmonë pozitive. Edhe kur je në ditën tënde me të lodhshme dhe ndjehesh më e pa shpresë se kurrë, mendo se do të kalojë kjo ditë dhe prit ditë më të mira!

Disa çifte e planifikojnë shtatzëninë dhe disa tjerë i gjen në befasi meqë shtatzënia nuk ka qenë në planet e tyre por ka edhe çifte për të cilët shtatzënia është e padëshiruar për shumë arsye tjera dhe kjo mungesë dëshire zakonisht përcillet me mendime e sjellje negative të cilat si pasojë i përthithë bebi, gjë që do ndikojë në shëndetin e nënës duke ia komplikuar shtatzëninë nënës po edhe shëndetin bebit.

Këtu nuk bëhet fjalë për mendimet pesimiste që vijnë si pasojë e çrregullimeve hormonale nga shtatzënia sepse në këtë rast nëna nuk e ka nën kontroll gjendjen e saj dhe duhet të konsultohet me mjekun specialist për medikamentet adekuate që do sjellin në stabilizimin e sasisë së hormoneve të saj. Prandaj, nëse nuk ka prezencë të ndonjë çrregullimi hormonal atëherë çdo nënë e re apo nënë me përvojë duhet të marrë në duar timonin e gjendjes së saj psikologjike dhe të jetë shumë e lumtur për fëmijën që do e sjellë në jetë cilido qoftë me radhë, ngaqë ai nuk është vetëm një numër më shumë por është një qenie njerëzore që me unikalitetin e saj ka filluar rrugëtimin e hershëm për të qenë pjesë e kësaj bote dhe si e tillë përfaqëson një nga dhuratat më të shtrenjta që Zoti i bën një njeriu. Për hir të kësaj krijese kaq të pafajshme shmang stresin, mllefin, pasigurinë, frikën dhe fillo shkruaj kapitullin e ri me dashuri, plot ëndrra për të ardhmen e foshnjës që frymon brenda teje!

Nëse dikush nuk e përjeton mirë lajmin e shtatzënisë, le të flasë me dikë që i beson dhe e bën të ndjehet mirë, le të lexojë dhe të ndjekë video të bebave tjerë, le të shëtisë në ndonjë vend ku i pëlqen apo le të dalë për ecje në ajër të pastër dhe mos t’i anashkalojë të gjitha gjërat që ia rrisin disponimin dhe e bëjnë të ndihet mirë.

E gjithë kjo nuk është një rrugë e lehtë por as një rrugë e pamundshme. Merre veten me të mirë sapo të fillosh të ndjehesh keq dhe mos i ushqe mendimet e këqija sepse ato shpejt lëshojnë rrënjë dhe do e gjesh veten në gjendje shumë më të rëndë në të ardhmen e afërt apo thënë më qartë do e përjetosh edhe më rëndë ardhjen e bebushit në jetë, ndërsa ardhja e fëmijës në jetë kërkon përkushtim dhe shumë dashuri. Kjo botë është një botë e re për të dhe ai nuk njeh askënd përveç teje sepse nuk ka qenë në brendësinë e askujt tjetër përveç se në brendësinë tënde dhe kur e mban pranë vetes qetësohet nga rrahjet e zemrës sate që i njeh shumë mirë nga jeta e tij e mëparshme.

Shmangi mendimet që të bëjnë keq, sepse ai ndjen! Mirëqenia e vetes dhe fëmijës duhet të jenë interesi primar i çdo nëne. Një nënë që kujdeset për të voglin e saj dhe bën kujdes nuk gabon kurrë prandaj ia del gjithmonë. Merre veten me të mirë dhe mirësia jote do reflektojë edhe tek bebi. Ndaj kohë për t’u argëtuar me të, qeshi, luaj, fol me të, këndo për të edhe pse të duket aq i vogël dhe i pavëmendshëm, në fakt është e kundërta e saj dhe rezulton se bebat janë shumë të vëmendshëm dhe mësojnë shumë shpejt. Kur ti të jesh e kënaqur do kënaqet edhe ai dhe kur ti të jesh e qetë do qetësohet edhe ai.

Pavarësisht ushqyerjes, pastrimit, ndërrimit dhe kujdesit, ajo që më shumë i nevojitet bebit në vitin e parë dhe gjatë gjithë jetës është dashuria e madhe e gërshetuar me përkushtimin e prindërve ndaj tij. Kjo do ia ëmbëlsojë ardhjen në jetë dhe do ia bëjë botën një fole të sigurt. Kjo ka rëndësi të madhe pasi një individ që ndien siguri në familje ka vetëbesim edhe në vete dhe anasjelltas, një njeri që nuk ndihet anëtar i një familjeje nuk ka qetësi përbrenda. Mungesa e qetësisë sjell dëme personale, më vonë edhe dëme kolektive. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se suksesi ynë nuk përmbyllet vetëm me arritjet profesionale të fëmijëve dhe arritjet e tyre në karrierë, por një fëmijë i edukuar është ai prej të cilit janë të qetë familja dhe nuk është i rrezikuar komuniteti. Me pak fjalë, një fëmijë i mirë është ai që është i kuruar nga veset dhe mbahet nga virtytet.

 

Kujdesi personal

Përveç ujitjes së mendimit të mirë, nëna duhet të kujdeset për paraqitjen e saj të jashtme që t’i rritet vetëbesimi dhe kjo duhet të fillojë që nga shtatzënia duke u ushqyer shëndetshëm që të mos merr kile të panevojshme. Megjithatë, është gati se e pamundur që të jesh në formën tënde më të mirë menjëherë pas shtatzënisë andaj merre shtruar sepse kjo është shumë normale. Jepi kohën e duhur çdo gjëje dhe ajo do ulet vet në vendin e vetë. E rëndësishme është të kesh shëndet gjatë kësaj periudhe dhe ta shijosh të voglin tënd. 

 

Këshilla:

Çdo bebush është i ndryshëm nga tjetri dhe çdonjëri nga ta ka forma të ndryshme të qetësimit që nënat i zbulojnë me përvojën e prindërimit. Megjithatë, një qetësi universale për të gjitha bebet janë krahët e nënës, qoftë kjo duke e lëkundur lehtë, duke e ledhatuar bashkë apo duke i kënduar.

Ti duhet të luftosh për gjidhënien sado që e sheh si torturë në fillim. Duhet të durosh për të fituar më pas. Krahas vitaminave të shumta që i merr foshnja jot, ti do të atashohesh shumë më shpejt me të dhe me anë të atashimit ai do ndjehet shumë i sigurt me praninë tënde. Por, nëse për aksh arsye nuk mund ta rrisësh të voglin tënd me qumësht gjiri, sot ka zgjidhje të shumta për zëvendësim.

Nëse foshnja jote ka vështirësi për të fjetur edhe pas ushqyerjes, pasi është pastruar dhe nuk ka ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor, sigurohu që ke kaluar kohë mjaftueshëm me të dhe ia ke dhënë ngrohtësinë e duhur sepse një foshnje e paplotësuar emocionalisht zakonisht është një foshnje që ka probleme me gjumin.

Kur bebi të flejë bën diçka nga rutina e së shkuarës si të shohësh një film apo emision, bën një maskë, lexo një libër, komuniko me shoqet tua, bën një kafe qejfi, etj,. E gjithë kjo do ta ngrejë humorin dhe do të bëjë ta marrësh më me dashuri ardhjen e bebit në jetë. Kalimi i kohës në gjërat që ne i duam ndihmon në rregullimin e gjendjes sonë psikologjike. Kur ti mund t’i bësh gjërat që i do edhe me një bebush atëherë e kupton se bebushi nuk të privon nga jeta personale, thjesht duhet të mësohesh t’i sistemosh gjërat dhe ta organizosh ditën sipas mënyrës tënde. Ai që mëson të sistemojë ka kohë për të gjitha!

Nëse jeni shumë anëtarë në familje mos i ndaj detyrat e bebit me të tjerët, që nënkupton të mos flejë, ushqehet, apo pastrohet nga të tjerët (përveçse në raste nevoje) sepse bebi do e ketë të vështirë ndërtimin e një figure përkujdesëse dhe do jetë i parehatshëm.

Mos dëgjo këshilla të panevojshme, që nënkupton se nëse ti je në rregull me një rutinë të bebit mos ia ndërro atë vetëm se të tjerët të ofrojnë diçka më të mirë (sipas tyre). Më shumë ndiej kërkesat e vogëlushit tënd sepse askush nuk mund ta ndiejë nevojën e foshnjës sate më mirë se sa ti, ngaqë askush përveç teje nuk e ka përjetuar bashkë me të gjithë rrugëtimin e tij, që nga gjeneza deri tani, si dhe askush nuk e mban në kraharor më shumë dhe më sigurt se sa ti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat