Xhelozia: Çfarë është dhe kur duhet të mendohet problem?

Life style

Xhelozia: Çfarë është dhe kur duhet të mendohet problem?

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 8 dhjetor 2022 Në ora: 21:15
Foto ilustrim

Xhelozia është një ndjenjë, të cilën e njohim të gjithë, madje që në fëmijërinë e hershme. Por, meqënse ka një nam shumë të keq, të gjithë mundohemi t’a fshehim. Vështirë se dëgjon dikë të thotë: Po, unë jam xheloz.

Psikologët mendojnë se instinkti i xhelozisë është i lashtë. Kjo vihet re më shumë te disa lloje kafshësh dhe te fëmijët. Në familjet e lashta, konkurenca për ushqim dhe përkujdesje, ishte shumë e madhe. Bëhej fjalë për të mbijetuar, prandaj secili e shikonte tjetrin si konkurrent. Xhelozia sherbente si sinjal rreziku. Edhe xhelozia romantike, bashkëshortore, nuk është e re. Mendohet se, që në Epokën e Gurit, bashkëshortët ishin xhelozë ndaj njëri-tjetrit. Asnjë burrë i Epokës së Gurit, nuk ishte i gatshëm të rriste dhe të ushqente fëmijët e huaj. Gratë, materialisht, ishin të varura nga burrat. Një rast tradhtie brenda familjes, do të thoshte rrezik për jetën e fëmijëve dhe të gjithë familjes.

Qëllimi kryesor i paraardhësve tanë ishte, ruajtja, përhapja, trashëgimia e moralit dhe mendësive të tyre. Me kalimin e kohës, xhelozia u bë pjesë gjenetike e njeriut.

Xhelozia mund të shfaqet në çdo rast të marrëdhënieve midis njerëzve, pavarësisht nga mosha, gjinia, pozita sociale. Në vitet e fëmijërisë, fëmijët janë xhelozë brenda vëllazërisë, për mënyrën e trajtimit nga prindërit. Xhelozia e të rriturve, brenda miqësisë, një rrethi shoqëror, në punë dhe kudo, është shumë e njohur.

Nëse bëhet fjalë për xhelozinë në një grup, bashkësi apo partneritet, duhen menduar konflikte.

Njeriu xheloz, ndihet i lënë pas dore, i mënjanuar, i injoruar nga të tjerët. Kjo e bën të ndihet shumë keq, e përjeton me shumë dhembje, deri në sëmundje.

Xhelozia është një emocion fare normal dhe i zakonshëm, i cili krojohet nga frika e humbjes së njerëzve të dashur ose të vlefshëm për jetën tënde. Me ata njerëz, ti ke një lidhje të brendshme dashurie, dhe frika e humbjes së kësaj lidhjeje, krijon xhelozinë. Me ata që nuk ke lidhje, nuk bëhesh kurrë xheloz. Në rastet kur rrezikohet apo dëmtohet kjo lidhje, shkakton një goditje shpirtërore, traumë psikike.

Forca vepruese e xhelozisë te njerëzit, shfaqet në intensitet të ndryshëm. Ndërkohë që dikush ndien një pështjellim të stomakut, kur e shikon gruan/burrin e vet me një huaj, dikush tjetër turret me thikë ose kobure.

Më së shumti, kjo varet nga personaliteti i njeriut. Më të ndjeshëm janë tipat:

- fanatikë

- ata që vuajnë nga komplekset e inferioritetit

- tipat e traumatizuar nga përvoja e keqe me dashurinë

- tipat e rritur në familje patriarkale

- tipat e varur emocionalisht dhe materialisht nga të tjerët

- tipat që vuajnë nga çrregullimet e forta psikike apo të personalitetit.

Psikologët mendojnë se, shkaku kryesor, duhet kërkuar në fëmijërinë e hershme.

Psikologu anglez, Kevin Dutton (1967) thotë: „Njeriu, të gjitha ligësitë, i mëson në familje. Fillon me gënjeshtrën, shpifjen, duhanin, alkoolin, drogën dhe deri në vrasje.“

Shumë nga tipat që vuajnë nga xhelozia, në fëmijërinë e tyre të hershme, kanë përjetuar lidhje të pasigurta. U kanë munguar lidhjet me njerëzit e afërt, babai i ka braktisur, dhe janë rritur vetëm me nënën. Frika e braktisjes, është rrënjosur thellë në psikikën e tyre, e cila nuk u ndahet gjithë jetën.

Si pasojë e sëmundjes së xhelozisë, jeta bashkëshortore përjeton gjendjen e krizës së padurueshme. Rrjedhojat e krizës, nuk mund të parashikohen. Nuk mund të dihet, nëse kjo gjendje zgjidhet paqësisht, me dhunë, me gjakosje, me largimin e njërit apo….

Sot, megjithëse kanë ndryshuar kushtet, rreziku nuk mendohet më aq i madh, xhelozia ka mbetur po aq e madhe, sa atëherë. Kjo vërteton se kjo ndjenjë, është spirancuar thellë në psikikën tonë, është problem gjenetik. Krahas faktorit gjenetik, në zgjimin, aktivizimin dhe nxitjen e kësaj ndjenje, rol të madh luajnë edhe faktorët e mjedisit, kultura, niveli i civilizimit. Në popujt e kulturës patriarkalo-orientale, ku mjerisht, bëjmë pjesë edhe ne si komb, xhelozia, dominon gjithë jetën bashkëshortore dhe familjare. Burrat kanë të drejtën në çdo rast të jenë xheloz ndaj gruas. Zakoni ua jep të drejtën që të sillen dhe ta trajtojnë gruan sipas dëshirës dhe vullnetit të tyre. E mbulojnë me shami, me burka, e fyejnë e dhunojnë, madje edhe e vrasin. Në shumë raste, vetëm se është femër. Kjo sjellje, në gjihën juridike, mendohet femicid. Gratë, nuk guxojnë të tregohen xheloze ndaj burrit të tyre. Burrat janë të lirë, mund të bëjnë çfarë të duan dhe të sillen si të duan.

Shkencëtarët, akoma nuk kanë arritur në konkluzionin se, cila gjini është më shumë xheloze se tjetra. Eshtë vërtetuar se burrat dhe gratë, e shfaqin xhelozinë në mënyra, dhe për arsye të ndryshme. Gratë preken më shpejt nga tradhëtia emocionale, ndërkohë që burrat, e humbasin logjikën nga tradhtia trupore.

Gratë vuajnë nga tradhtia digjitale, më shumë se burrat. Në ditët e sotme, rrjetet mediatke sociale, janë burim i konflikteve në familje.

Shumë mendojnë se xhelozia në jetën bashkëshortore, është e mirë, është mbrojtëse e dashurisë. Por, çfarë thonë psikologët?

Psikologët kanë përcaktuar tri lloje xhelozish:

1. Xhelozia reaktive.

Kjo shoqërohet me shpërthim emocional në raste konkrete, kur njëri nga bashkëshortët e kap tjetrin në flagrancë me një të huaj.

2. Xhelozia e mosbesimit.

Njëri nga bashkëshortët, vuan vazhdimisht nga mosbesimi te tjetri. Kjo e bën që ai, të zbatojë principin e „kafazit“. E kontrollon vazhdimisht, gjithku dhe për gjithçka, e dhunon psikikisht dhe fizikisht, e ndalon në kontaktete me të tjerët, ia dikton veshjet, ia ndalon aktivitetet jashtë mureve të shtëpisë.

3. Xhelozia e pushtetit në familje.

Burrat e kulturës patriarkale, nuk kanë aspak qejf që ta ndajnë apo delegojnë pushtetin në familje. Të gjithë pushtetin duan ta përqendrojnë në dorën e tyre. Ia bllokojnë gruas të gjitha rrugët dhe mundësitë e zhvillimit mendor, intelektual dhe fizik. Mundohen ta bëjnë sa më të vogël, mundësisht të padukshme dhe të padëgjueshme.

Nga të tri format e shfaqjes së xhelozisë, psikologët mendojnë se, rasti më i „pastër“ është xhelozia reaktive. Edhe në këtë rast, dhuna nuk justifikohet, mendohet veprim kafshëror. Ai që përdor dhunën mbi „fajtorin“, vërteton se kurrë nuk e ka dashur. Ndoshta ka priitur rastin për t’a hequr qafe dhe…bam.

Xhelozia në jetën bashkëshortore, në të gjitha rastet dhe format e saj mendohet brejtës i jetës bashkëshortore por, nëse shfaq këto simptoma, duhet menduar problem:

1. Mosbesimi i hapur.

2. Fajësimet permanente të tjetrit, ku dhe me cilin?.

3. Reaksionet emocionale të vazhdueshme, për çdo vogëlsirë, buzëqeshje, përshëndetje, mesazhe telefonike etj.

4. Kontrolle permanente të tjetrit, gjithku dhe për gjithçka, deri në mohimin dhe rrënimin e sferës private.

5. Gjurmimi dhe spiunimi i partnerit përmes personave të tretë.

6. Mbyllja e femrës brenda katër mureve të shtëpisë.

7. Ndalimi i kontakteve sociale.

8. Detyrimi i veshjes, deri te, edhe mbajtja e shamisë së kokës apo burkës, jashtë vullnetit të bashkëshortes.

9. Bllokimi i llogarisë personale, përqendrimi i të ardhurave në një dorë të vetme.

10. Kontrolli për shpenzimet ditore, deri në cent.

Nëse bashkëshortët përjetojnë simptoma të tilla, duhet të mendojnë se jeta bashkëshortore ka përfunduar me kohë. Ata vetëm bashkëbanojnë por, nuk bashkëjetojnë.

Autori - shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat