Ja se cila është arsyeja e vërtetë pse fëmijëve nuk ju pëlqen shkolla

Life style

Ja se cila është arsyeja e vërtetë pse fëmijëve nuk ju pëlqen shkolla

Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 16:58
Ilustrim

Që i vogël, por edhe më vonë kur isha më i rritur, e urreja të vajturin në shkollë. Nuk më kujtohet ndonjëherë që të kem dashur të qëndroj me dëshirë në klasë, qëkur kam nisur kopshtin,dhe deri kur e braktisa universitetin pasi përfundova vitin e parë. Braktisja e universitetit për mua ishte njësoj si të merrja faljen e dënimit nga guvernatori.

Sigurisht që kjo nuk më bën të veçantë, pasi në shkollë ka kaq shumë fëmijë të pakënaqur. Shkolla është padyshim një gjë e mirë për shumicën e fëmijëve. Por nëse vajza juaj nuk ka një pasion të çuditshëm në shkencat sociale, është e kotë t’i thoni asaj se “arsimi e stimulon mirëqenien subjektive në një periudhë afatgjatë”.

Ajo që e shkatërron atë përvojë për kaq shumë fëmijë, siç ka ndodhur me mua, është fakti që shkolla është sot një vend ku ndihesh i vetmuar dhe i mërzitur. Duke shqyrtuar studimet mbi të mësuarit dhe lumturinë, ne zbulojmë se ndjenjat e fëmijëve ndaj shkollës, nuk kanë të bëjnë aq shumë me moshën, përkatësinë etnike apo prejardhjen socio-ekonomike, por me dy faktorë bazë:miqësinë dhe interesin.

Fatmirësisht, duke ditur pak nga të dyja, ne mund të përmirësojmë jetën e të gjithë nxënësve që kohët e fundit janë rikthyer në shkollë të tronditur ose duke u dridhur nga mendimi se duhet ta bëjnë këtë edhe në ditët në vijim. Kur është fjala për mirëqenien afatgjatë, ekzistojnë pak shpikje qe e rrisin lumturinë më shumë sesa arsimi.

Duke përdorur të dhëna nga të rriturit nga 85 vende, studiuesi austriak Erik Striesnig zbuloi në vitin 2015, se njerëzit që kishin përfunduar arsimin e mesëm kishin 10 për qind më shumë gjasa të raportonin se ishin të lumtur, sesa ata që nuk e kishin përfunduar arsimin e mesëm, edhe duke qenë me të ardhura të përafërta.

Ndërkohë ata që përfundonin shkollën e lartë, kishin 30 për qind gjasa që të ishin më të lumtur. Një shpjegim i mundshëm për këto përfundime, është se mësimi stimulon një emocion të fuqishëm pozitiv:interesin. Kerol Izard, studiuese në fushën e emocioneve, e përkufizon interesin si “motivimin kryesor që qëndron pas përfshirjes në veprimtari krijuese dhe konstruktive dhe ndjenjës së mirëqenies”.

Thënë thjesht, ekspozimi i njerëzve ndaj ideve dhe mjeteve që u ofrojnë njohuri, u jep atyre edhe mekanizmat për të prodhuar lumturi gjatë gjithë jetës. Prandaj, nuk është për t’u habitur që leximi, të cilin të rriturit përpiqen që t’ua kultivojnë si pasion fëmijëve të tyre, është zbuluar se rrit kënaqësinë e jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat