​Thashethemet në vendin e punës, si t’i trajtojmë?

Life style

​Thashethemet në vendin e punës, si t’i trajtojmë?

Më: 27 gusht 2023 Në ora: 08:04
Foto ilustrim

Thashethemet në vendin e punës duhet të trajtohen si dukuri negative, pasi që ndikojnë negativisht në ambientin e punës si dhe ftohin raportet ndërmjet kolegëve.

Ndonjëherë, duket sikur njerëzit nuk kanë asgjë më të mirë për të bërë sesa thashethemet për njëri-tjetrin. Ata flasin për kompaninë, kolegët e tyre si dhe menaxherët. Personat e tillë shpesh e marrin një të vërtetë të pjesshme dhe e kthejnë atë në një të vërtetë të tërë spekulative.

Edhe pse thashethemet janë prezente në shumë vende pune, çelësi i kësaj teme është që të mos dalin ato jashtë kontrollit. Prandaj, ju duhet të ndërmerrni masa nëse thashethemet:

-Janë duke penguar vendin e punës dhe performancën ekipore

-Lëndojnë ndjenjat e punonjësve

-Dëmtojnë marrëdhëniet kolegiale

-Dëmtojnë motivimin dhe moralin e punonjësve

Nëse thashethemet nuk janë menaxhuar në të kaluarën, ato kanë tendencë të bëhen një aspekt negativ i kulturës suaj të punës. Kështu që, mos lejoni që thashethemet negative të kalojnë pa u raportuar te mbikëqyrësi juaj.

Nëse kolegët e punës po flasin për njëri-tjetrin në mënyrë negative, mund të ketë pasoja mjaft serioze. Shpesh, në një kulturë toksike me thashetheme, ekziston një grup i vogël i punonjësve që shkaktojnë probleme.

Si t’i menaxhojmë thashethemet

Thashethemet në vend të punës, mund të menaxhohen njësoj si problemet apo konfliktet e tjera që mund të ndodhin. Thashethemet, në përgjithësi janë një ves shumë i vështirë për të hequr dorë. Nëse në një kompani, ka persona që bëjnë thashetheme, rolin kryesor për t’u marrë me këtë çështje e kanë menaxherët apo mbikëqyrësit.

Të gjithë ata menaxherë që i injorojnë thashethemet në një vend të punës, mund të çojnë në dëmtimin e një departamenti. Menaxhimi i thashethemeve fillimisht duhet të nisë me një bisedë serioze midis punonjësit dhe menaxherit, apo mbikëqyrësit.

Nëse diskutimi rreth ndikimit negativ që kanë thashethemet në ambiente të punës nuk ka ndonjë rezultat, atëherë ndaj punonjësit duhet të jepet një paralajmërim gojor apo edhe me shkrim. Nëse një punonjës, pavarësisht kritikave, vazhdon të bëjë thashetheme, në të shumtën e rasteve përfundon i pushuar nga puna, shkruan AkademiPune.

Një person që bën thashetheme konsiderohet edhe person toksik, prandaj ai mund të ndikojë negativisht edhe tek punëtorët e tjerë. Punëdhënësit dhe menaxherët duhet të përgjigjen me ndershmëri në çdo pyetje të punonjësve dhe të flasin direkt me ta, në mënyrë që të shmangen thashethemet lidhur me punën.

Ndërkaq, nëse thashethemet janë personale, duhet t’ua thonë direkt punonjësve se të folurit për kolegët, nuk është diçka e përshtatshme.

Raportoni thashethemet

Thashethemet janë shpërqendrim në punë dhe mund të kalojnë limitet duke shkuar madje deri te ngacmimi. Mos hezitoni ta informoni menagjerin/en i/e burimeve njerëzore nëse ka një problem që nuk mund ta zgjidhni vetë. Nëse thashethemet nuk ndalen edhe pas raportimit tuaj, atëherë kjo mund të konsiderohet si ngacmim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat