Me rritjen e volumit të punës në kompjuter dhe kalimit të shumë aktiviteteve në formë digjitale, qëndrimi ulur është kthyer në normë për miliona njerëz.
Megjithatë, ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se kjo mënyrë jetese është e lidhur me numër të madh problemesh shëndetësore – nga dhimbjet e shpinës, te diabeti dhe madje edhe sëmundjet e zemrës.
Studiuesit theksojnë se qëndrimi i zgjatur në pozicion ulur ndikon negativisht edhe në qarkullimin e gjakut dhe metabolizëm. Pas vetëm 30 minutash në një vend, fillojnë të ndodhin ndryshime negative në trup që nëse përsëriten çdo ditë, mund të kenë pasoja afatgjata.
Fizioterapistët këshillojnë që çdo gjysmë ore të ndërpritet qëndrimi ulur me një pauzë të shkurtër për lëvizje – si ecje, shtrirje ose qëndrime në këmbë. Disa kompani kanë filluar të instalojnë tavolina që ngrihen për të nxitur qëndrimin aktiv gjatë punës.
Krijimi i një “kulture lëvizjeje” në jetën e përditshme po konsiderohet gjithnjë e më shumë si parandalues i sëmundjeve kronike dhe si mjet për rritjen e energjisë dhe produktivitetit. E rëndësishme është që të mos pritet momenti kur ndihen efektet negative – lëvizja duhet të jetë pjesë konstante e ditës.