Kur e dashuroni dikë dhe jeni të përfshirë emocionalisht në marrëdhënie, nuk është e lehtë të largoheni. Pavarësisht asaj që mund t’ju thonë të tjerët, shpesh nuk hiqni dorë aq shpejt. Fatkeqësisht, kjo mund t’ju bëjë më të prekshëm ndaj manipulimit emocional.
Kur bëhet fjalë për një person me prirje narcisiste dhe me një mentalitet të vazhdueshëm viktimizimi, situata mund të jetë edhe më e ndërlikuar. Ndryshe nga ideja klasike e një personi narcisist që është i fiksuar pas vetes, dikush që e sheh vazhdimisht veten si viktimë mund të përpiqet t’i shmanget përgjegjësisë dhe të fitojë simpatinë e të tjerëve.
Disa modele sjelljeje mund t’ju ndihmojnë ta kuptoni më qartë se çfarë po ndodh në marrëdhënien tuaj.
1. Mbajnë shënim gjithçka që të tjerët u kanë bërë
Në një marrëdhënie të shëndetshme, nuk ka nevojë të mbahet llogari për çdo sakrificë apo gabim të së kaluarës. Por një person me prirje të forta viktimizimi mund t’i rikthejë vazhdimisht gjërat që i kanë ndodhur, duke i përdorur si prova se gjithmonë është trajtuar keq.
2. Kanë nevojë që ju të pranoni se u është bërë padrejtësi
Nuk u mjafton të mendojnë se janë trajtuar keq. Kanë nevojë që edhe ju ta pranoni këtë. Nëse nuk janë viktima e qartë e një situate, mund të zemërohen ose të përpiqen të ndryshojnë mënyrën se si të tjerët e perceptojnë ngjarjen.
3. E shohin edhe kritikën normale si një sulm të padrejtë
Një vërejtje e zakonshme apo një kritikë e arsyeshme mund të perceptohet si sulm personal. Në vend që të reflektojnë mbi atë që po u thuhet, mund të përqendrohen te mënyra se si janë “keqtrajtuar” duke e dëgjuar atë.
4. Nuk pranojnë se kanë kontribuar në problemin që u krijua
Një person që e sheh vazhdimisht veten si viktimë mund ta ketë shumë të vështirë të pranojë pjesën e tij në një konflikt. Në vend të kësaj, faji kalon te partneri, familja, miqtë apo rrethanat.
5. Besojnë se meritojnë trajtim të veçantë
Vuajtjet e së kaluarës mund të kthehen në bindjen se meritojnë më shumë mirëkuptim, vëmendje apo privilegje se të tjerët. Kur dikush tjetër merr atë që dëshirojnë, mund të reagojnë keq dhe ta shohin situatën si një tjetër padrejtësi ndaj tyre.
6. Çdo kufi që vendosni e shohin si mizori
Ju vendosni një kufi, ndërsa ata e përjetojnë si refuzim. Edhe një “jo” e thjeshtë mund të interpretohet si mungesë dashurie ose respekti. Por vendosja e kufijve nuk është mizori; është mënyra për të përcaktuar se çfarë jeni dhe çfarë nuk jeni të gatshëm të pranoni.
7. Nuk e durojnë dot kur dikush tjetër merr vëmendje ose simpati
Kur vëmendja largohet prej tyre, mund të mos e përjetojnë mirë. Nëse dikush tjetër po merr mbështetje, komplimente apo simpati, mund të përpiqen ta zhvendosin sërish fokusin te vetja.
8. Nuk pranojnë atë që kanë bërë gabim
Mund t’u shpjegoni çfarë ju ka lënduar, por përgjigjja është gjithmonë mohimi, justifikimi ose kthimi i fajit te ju. Në raste të tilla, mund të filloni edhe të dyshoni te përvoja juaj dhe të pyesni veten nëse po e ekzagjeroni situatën.
9. Mbajnë mëri për një kohë të gjatë
Një gabim i vjetër mund të rikthehet vazhdimisht, edhe pasi keni kërkuar falje. Për një person me mentalitet të vazhdueshëm viktimizimi, heqja dorë nga mëritë mund të jetë veçanërisht e vështirë.
10. E shpërfillin vuajtjen tuaj
Ndërsa janë të përqendruar te vuajtjet e tyre, mund të mos arrijnë të shohin se çfarë po përjetoni ju. Edhe kur jeni partneri i tyre, dhimbja juaj mund të duket sikur zë një vend dytësor.
Mungesa e empatisë e bën edhe më të vështirë një marrëdhënie ku njëri person duhet vazhdimisht të dëshmojë se sa shumë ka vuajtur, ndërsa vuajtja e tjetrit mbetet pa u vënë re.
Nëse e gjeni veten në një marrëdhënie ku gjithçka përfundon gjithmonë me personin tjetër si viktimë dhe ju si fajtor, ia vlen të ndaleni dhe të shihni modelin në tërësi. Dashuria nuk duhet të nënkuptojë të mohoni vazhdimisht përvojën tuaj vetëm për t’i dhënë tjetrit të drejtën të ketë gjithmonë të drejtë.